×
  • Lajme
  • Lajme

    Merr rrogë në ministri, por lajmërohet në punë vetëm një herë në muaj

    FrontOnline
    21 Tetor 2020

    Një 40-vjeçar serb nga Mitrovica e Veriut (emër i njohur për redaksinë), detyrim të vetëm për marrjen e pagës mujore nga institucionet e Kosovës e ka paraqitjen në punë një herë në muaj në një ministri në Prishtinë. Vite më parë, ai i ishte bashkangjitur strukturës paralele serbe në veri, ‘Mbrojtja Civile’.

    Pas vendimit për shpërbërje të kësaj strukture dhe pas marrëveshjes së Brukselit për integrimin e stafit të Mbrojtjes Civile, ai ishte punësuar në një nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës. Ka kontratë të përhershme, por nuk ka detyra ditore, e as vend pune.

    “Kam nënshkruar një kontratë për të punuar, jo për të mos punuar, por agjencitë nuk janë të hapura, nuk ka vend për të punuar. Nuk është faji im. Mendoj që kjo situatë i përshtatet dikujt që të jemi vetëm në listën e pagave, pa shpenzime të tjera, zyra, kompjuterë, letër, etj”, i tha ai Radios Evropa e Lirë

    Sipas tij, situatë të njëjtë kanë edhe shumë ish-kolegë të tij në ‘Mbrojtjen Civile’.

    Disa nga institucionet qendrore në Prishtinë kanë dështuar në hapjen e agjencive dhe degëve të ministrive në pjesën veriore të vendit, ku do të akomodoheshin ish-pjesëtarët serbë të ‘Mbrojtjes Civile’. Kjo strukturë ishte shpërbërë më 2015/16, pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, e ku Kosova kishte marrë përgjegjësinë për integrimin e tyre në institucionet e vendit.

    Rreth 483 ish-pjesëtarë të kësaj strukture paralele janë punësuar nëpër institucione e agjenci shtetërore, por një pjesë e konsiderueshme e tyre, marrin paga, pa bërë asnjë ditë pune efektive.

    Pas fillimit të procesit të integrimit, në Mitrovicën e Veriut ishte bërë një përpjekje për hapjen e zyrave të ministrive dhe agjencive, ku do të punonin ish-pjesëtarët e ‘Mbrojtjes Civile’, porse një hotel i dedikuar për këtë qëllim, ishte sulmuar menjëherë pas prezantimit si qendër e institucioneve të Republikës së Kosovës, më 28 dhjetor, 2016.

    Bashkëbiseduesi i Radios Evropa e Lirë thotë se kjo gjë pati shkaktuar frikë në mesin e atyre që patën nënshkruar kontrata me Qeverinë e Kosovës, dhe se një frikë e tillë ende ekziston.

    Mungesa e dorës së shtetit dhe transparencës

    Ish-udhëheqësja e dialogut me Serbinë, Edita Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë se këtë çështje e sheh si problem politik, pasi Serbia, pavarësisht se kishte nënshkruar marrëveshjen në vitin 2015, e kishte penguar zbatimin e saj.

    “Serbia duhet të mos e pengojë veprimin e institucioneve të Kosovës në veri. Kur ne i kemi punësuar si shërbyes civilë, ish-punonjësit e të ashtuquajturës ‘Mbrojtje Civile’, dhe kur unë kam shkuar të hapë zyrat e ministrive me veprim lokal, atë ditë Serbia i ka bombarduar dhe ka pamundësuar funksionimin”, tha Tahiri.

    Ajo shtoi se zbatimi i Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk duhet të ndodhë, para se Serbia të shuajë të gjitha strukturat e saj paralele.

    Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga personazhi i këtij rrëfimi, por edhe nga bashkëbisedues në veri të Kosovës, se edhe në komunat që punojnë me sistem të Kosovës, ekziston ky fenomen, ku punëtorët marrin paga, pa u paraqitur fare në punë.

    Radio Evropa e Lirë, ka kërkuar përgjigje nga disa ministri, duke përfshirë Ministrinë e Brendshme, atë të Punës, por nuk i janë përgjigjur pyetjeve të dërguara, pos Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, që është organ i pavarur në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Integrimi i pjesshëm

    Nehat Koqinaj nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent i tha Radios Evropa e Lirë se 82 pjesëtarë të ish-Mbrojtjes Civile janë integruar dhe kanë detyra specifike në komunat veriore të Kosovës.

    “Ata janë të sistemuar në njësitet profesionale të zjarrfikësve dhe shpëtimit në komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan. Po ashtu edhe në Qendrën operative emergjente QOE 112 , e cila me lokacion është ne Komunën e Zveçanit”, sqaroi Koqinaj.

    Sipas tij, i gjithë personeli është aktiv dhe se raportojnë në baza ditore.

    Edhe Adriana Hoxhiq, që e administron zyrën e Qeverisë së Kosovës në veri, thotë se kanë hapur disa zyra, porse nuk ka specifikuar se cilat janë ato.

    “Ata janë të obliguar të paraqiten çdo ditë në punë”, tha Hoxhiq për Radion Evropa e Lirë.

    Si ishte krijuar ‘Mbrojtja Civile’?

    Sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ‘Mbrojtja Civile’ ishte themeluar më 2006, në kohën kur në Serbi, kryeministër ishte Vojisllav Koshtunica.

    E konsideruar si struktura paralele më e rrezikshme për sigurinë nacionale të Kosovës, në fillim kishte rreth 500 anëtarë, por me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008 dhe pastaj më 2013 dhe 2014, numri ishte rritur në rreth 751.

    Pjesëtarët e saj kishin të kaluar ose ishin trajnuar me metoda ushtarake.

    Ata paguheshin nga Qeveria e Serbisë, dukë përfshirë këtu edhe rreth 200 pjesëtarë të tjerë, të cilët ishin në komunat e tjera me shumicë serbe në jug të lumit Ibër. ‘Mbrojtja Civile’ ishte përgjegjëse edhe për barrikadat në veri, të cilat u hoqën po ashtu me Marrëveshjen e Brukselit.

    Për shuarjen e kësaj strukture paralele ishte diskutuar për më shumë se 2 vjet në Bruksel, ku Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për integrimin e tyre në institucionet e Kosovës në vitin 2015. Ata janë sistemuar me vende pune në 9 ministri, dhe 11 agjenci e institucione të tjera shtetërore. /REL

    Përfito nga zbritja e madhe në NimiTV me pakon DigiPrime!
    Nga Rubrika
    Lajme20 Prill 2024
    Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka folur me tone disfatiste para Ndihmëssekretarit amerikan të shtetit James O’Brien. Gjatë konferencës për media me...
    Lajme20 Prill 2024
    Kurti në Berlin më 25 prill – gazetari gjerman zbulon agjendën Gazetari gjerman, Michael Martens, ka thënë se kryeministri Albin Kurti do...
    Lajme20 Prill 2024
    Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka folur për Srebrenicën në një konferencë për media pas takimit që...
    Të tjera
    Lajme20 Prill 2024
    Një nënë nga Prishtina ka raportuar në Polici se një burrë ia ka ngacmuar seksualisht vajzën e saj. Me vendim të prokurorit,...
    Lajme20 Prill 2024
    Një mashkull kosovar ka njoftuar se është sulmuar nga ish-gruaja e tij. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, njofton FrontOnline ish-bashkëshortja e...
    Lajme20 Prill 2024
    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, në një prononcim për Front Online ka kritikuar përfshirjen e Kryeministrit Albin Kurti...
    Lajme20 Prill 2024
    Gratë të cilat pranuan se ishin viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, po bëjnë thirrje që edhe burrat...
    Lajme20 Prill 2024
    Me rastin e përpilimit të aktgjykimit në rastin e njohur si “53-milionëshi”, Gjykata Themelore në Prishtinë ka treguar edhe gjetjet e saj...
    Lajme20 Prill 2024
    Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka paralajmëruar protestë më 1 Maj. Ata kanë paralajmëruar se nëse qeveria nuk...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.