×
  • Hulumtime
  • Hulumtime

    Mega kontrata e kompanisë së Luan Dalipit me Qeverinë “Thaçi”, u tejkalua për rreth 200 mijë € (Dokumente)

    FrontOnline
    13 Prill 2022

    Pranvera Behluli & Lavdim Hamidi

    Luan Dalipi, shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, javë më parë ka hedhur akuza të rënda në drejtim të disa medieve në Kosovë, duke i lidhur këto të fundit me “biznese kriminale”, me ç’rast ka kërkuar nga qytetarët që t’i bojkotojnë të njëjtat. Ky postim i Dalipit në rrjetin social “Facebook” u përcoll me një kundërpërgjigje të fortë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili konsideronte se thirrja e tillë publike e njeriut të afërt të kryeministrit Albin Kurti është e rrezikshme dhe thirrje e hapur për linçim.

    Por, kompania ku Luan Dalipi ka qenë aksionar ““Managment&Develoopment Associates”L.L.C” në vitin 2012 kishte arritur një kontratë tre vjeçare në vlerë prej 375 mijë € me Ministrinë e Integrimeve Evropiane, në kohën kur kryeministër i vendit ishte Hashim Thaçi, një pjesë të së cilave mjete e kishte shpenzuar edhe për reklamime në disa mediume kosovare, raporton portali “Front Online”.

    Për më tepër, portali “Front Online”, bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, ka siguruar të gjitha kontratat/faturat e kompanisë “MDA” me Ministrinë e Integrimit Evropian, ku ka zbuluar se kontrata tri vjeçare në vlerë prej 375 mijë euro nuk i ka mjaftuar kompanisë së Dalipit, por e njëjta është tejkaluar për hiç më pak se mbi 190 mijë euro.

    Asokohe nuk kishte “tavan” ligjor për përqindjen e shumës që mund të tejkalohej, e cila gjë tashmë nuk lejohet për një tejkalim të tillë financiar.

    Kontrata e obligonte biznesin e Dalipit, MDA, që të përgatiste materiale të ndryshme për nevojat e këtij dikasteri, tash 10 vjet më pas i shuar. Këtu hynin edhe spotet, të njëjtat, të cilat më pas do të transmetoheshin nëpër medie të ndryshme, ato, të cilat njeriu më i afërt i Kurtit, tash i quan kompani kriminale. Mbi 360 mijë euro ia kërkoi Ministrisë së Integrimeve për minutat reklamues, të blerë nëpër mediume që ky kishte lidhur kontratë.

    Nga Qeveria e Kosovës thanë për “Front Online” se nuk i posedojnë të dhënat për shumat e kontratave të lidhura ndërmjet MDA dhe palëve të treta, në këtë rast medieve. Megjithatë potencuan se i kanë monitoruar në kohë reale ato. Krejt çka dihet është se Luan Dalipi bleu minutazh reklamimi në katër televizione qendrore, sekondin e marketingut në këto televizione e ka paguar 11.60 €. Minutazh të kësaj natyre – por më lirë – prej 5.80 euro për sekond, Dalipi kishte blerë edhe në televizionet e tjera lokale të vendit.
    Televizonet nuk ishin të vetmet. Ai lidhi kontratë edhe me radiot, ku e pagoi sekondin e reklamimit  60 cent. Kontrata kornizë kishte çmimet për njësi dhe operatori ka realizuar shpërndarjen në media sipas kërkesave që janë bërë nga Ministria e Integrimeve.

     

     

    Kontrata mes tjerash nënkuptonte shtypjen e disa materialeve tjera si broshura, e maica se po ashtu realizimin e sondazheve dhe kuizeve online në uebfaqe.
    Për këto shërbime Luan Dalipi kërkoi që Ministria e Integrimeve t`ia qes në xhirollogarinë e biznesit të tij edhe 203 mijë euro të tjera.
    Megjithatë në faturat, dërguar “Front Online”, vërehet se në xhirollogarinë e kompanisë MDA – Ministria e Integrimeve ka derdhur mbi 550 mijë euro. Megjithatë, jo vec për realizimin dhe transmetimin e spoteve. Në këtë shumë hynin edhe dizajnimi dhe shtypja e materialeve të ndryshme për informimin e publikut për nevojat e MIE-së (broshura, maica, sondazhe, kuize online në uebfaqe).
    Në faturat, dërguar “Front Online”, vërehet se në xhirollogarinë e kompanisë MDA – Ministria e Integrimeve ka derdhur në total mbi 560 mijë euro.
    Totali i faturave

    Të gjitha faturat ndodhën këtu

     

    Dalipi, këshilltari milioner i Kurtit


    Shefi i stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, është goxha i pasur.

    Në kuadër të pasurisë së paluajtshme, e deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion, Dalipi ka paraqitur një shtëpi në vlerë 650 mijë euro. Krahas saj, një banesë 107.420 mijë euroshe. Tutje një bodrum në vlerë 6 mijë euro dhe një garazhdë 3 mijë e 200 sosh. Të trija këto i ka kategorizuar si trashëgimi familjare.

    Luan Dalipi posedon dy vetura. Një “Mercedes E 220”, vlera e të cilës arrin në 50 mijë euro dhe një tjetër “Renault Capture”, 11 mijë sosh.

    Sa i përket parave të gatshme të mbajtura në institucione financiare, Luan Dalipi, nuk ka asnjë kredi bankare. Ka 10 mijë e 675 euro para “kesh”, ndërsa në llogari të bashkëshortes ka 18 mijë e 915 euro. Fëmijët e çiftit Dalipi kanë edhe një xhirollogari bankare, ku janë tubuar 384 euro.

    Në të hyrat vjetore, Luan Dalipi ka të deklaruar dy lloje të të hyrave, të hyrat vjetore si konsulent pikërisht në kompaninë MDA në shumë prej 27 mijë eurove dhe të hyrat vjetore si shef i stafit të kryeministrit në të hyra vjetore prej 4 mijë e 410 euro.

    Dalipi kishte aktakuzë për korrupsion në vitin 2017

    Ndaj Luan Dalipit në vitin 2017 ishte ngritur aktakuzë për korrupsion.

    Sipas aktakuzës të asaj kohe, të pandehurit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për kompaninë MDA, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, në atë mënyrë që gjatë procesit të tenderimit sipas projektit “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, në vlerë prej dy milionë euro, gjatë vitit 2013  kanë shkëmbyer informacione dhe dokumente lidhur me tenderin në fjalë, duke i përshtatur kushtet dhe kriteret  e tenderit  interesave të kompanisë së të pandehurit Dalipi.

    Komunikata e prokurorisë e asaj kohe, thoshte se me të njëjtën aktakuzë, i pandehuri Xhemajl Syla është akuzuar edhe për keqpërdorim të informatës zyrtare pasi që si anëtar i komisionit për vlerësimin e ofertave edhe pse kishte nënshkruar deklaratën e paanshmërisë dhe konfidencialitetit, sipas së cilës është obliguar që ta ruaj rreptësishtë fshehtësinë në lidhje me çdo informatë të marrë si rezultat i përfshirjes së tij në procesin e prokurimit, ka dërguar te Luan Dalipi informacione në lidhje me vlerësimin e ofertave, duke e njoftuar për përparësitë e kësaj kompanie krahas kompanive tjera konkurruese në këtë tender.

    Ngritja e kësaj aktakuze, sipas prokurorisë, ishte rezultat i hetimit të përbashkët të një prokurore vendëse të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).

    Megjithatë, Gjykata e Apelit e Kosovës e kishte hedhur poshtë si të pabazuar aktakuzën ndaj pronarit të kompanisë “Menagment Development Association” (MDA) Luan Dalipi duke i gjetur si të pabazuara pretendimet e Prokurorisë.

    AGK dënoi gjuhën e njeriut më të afërt të Kurtit ndaj medieve

    Shefi i Stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ka bërë akuza ndaj disa mediave në Kosovë, duke i lidhur ato me “biznese kriminale” dhe duke u bërë thirrje atyre që ai i ndanë në “qytetarë të dinjitetshëm”, t’i bojkotojnë ato.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kishte dënuar këtë gjuhë të tij. Madje kishte konsideruar se thirrja e tillë publike e njeriut më të afërt të kryeministrit Kurti në qeveri është shumë e rrezikshme dhe thirrje e hapur për linçim.

    “Gjuha e zotit Dalipi është në vazhdimësi të sulmeve të individëve të shumicës parlamentare në Kosovë, që rrezikon direkt sigurinë e gazetarëve dhe rëndon klimën e të bërit gazetarit në vend”, thuhej në njoftimin e AGK-së.

    /Front Online/

    Festo Bajramin me ofertën All Inclusive të Sharr Travel
    Nga Rubrika
    Hulumtime10 Janar 2024
    Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka shpallur tenderin prej më shumë se 22 milionë euro për përfundimin e punimeve në ndërtimin e objektit...
    Hulumtime03 Janar 2024
    Rreth 8 milionë € është qarkullimi vjetor financiar i zyrave të Telekomit të Serbisë (MTS) në territorin e Republikës së Kosovës, bazuar...
    Hulumtime05 Shtator 2023
    Një tjetër veturë luksoze e tipit “Audi A7”, që dikur ishte në pronësi në Hysri Peqanit (Burdushit), i është dhënë për shfrytëzim...
    Të tjera
    Lajme28 Mars 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka folur për kandidaturën e tij dhe përballjen në zgjedhje me kryetarin e VV-së, Albin...
    Sport28 Mars 2024
    Florian Marku këmbëngul se Chris Kongo, kundërshtari i tij mbrëmjen e së dielës, ka bërë një gabim të madh. Kongo, pohon ai,...
    Lajme28 Mars 2024
    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas triumfit të jashtëzakonshëm të studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, të cilët...
    Lajme28 Mars 2024
    Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se asnjë qeveri s’ka mundësi që t’i kryej...
    Lajme28 Mars 2024
    Policia e Kosovës është bërë pjesë e Taskforcës së Përbashkët të Migracionit me autoritetet ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë dhe të Mbretërisë...
    Lajme28 Mars 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka folur në Kuvend të Kosovës për tenderët njëburimore. Opozita edhe gjatë seancës së fundit...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.