[wp-story]

Lajme

Më shumë se 2600 emigrantë në Kosovë, mbi 50 për qind vetëm nga Siria

Më shumë se 2600 emigrantë në Kosovë, mbi 50 për qind vetëm nga Siria
14:41 | 22 Nëntor 2020

Kosova kohëve të fundit po përballet me numër të madh të emigrantëve dhe kërkesës për azil nga shtetas të vendeve të Lindjes së Mesme. Vetëm gjatë këtij viti në vendin tonë kanë ardhur mbi 2600 të huajë. Prej tyre, 1300 e kanë shfrytëzuar të drejtën për azil, ndërsa pjesa tjetër kanë hyrë ilegalisht në Kosovë. Mbi 50 për qind prej tyre vijnë nga Siria, e që ekspertë të sigurisë në deklarata për KosovaPress e shohin me shqetësim ardhjen e tyre. Këta të fundit kërkojnë nga institucionet që të verifikojnë këta refugjatë, meqë sipas tyre mund të kryejnë ndonjë sulm terrorist në vend.

Të rinj të shumtë nga vende të ndryshme të Lindjes së Mesme, janë parë së fundmi në rrugët e Prishtinës. Të ikur nga vatrat e krizës, nëpërmjet rrugëve ilegale shumë prej tyre kanë hyrë në Kosovë, për të kaluar më pas në shtetet perëndimore.

Se gjatë këtij viti ka pasur rritje të numrit të emigrantëve dhe kërkesave për azil nga shtetas të vendeve të Lindjes së Mesme, e thotë edhe drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, Valon Krasniqi. Ai për KosovaPress thotë se vetëm gjatë këtij në Kosovë kanë ardhur 2600 shtetas të huajë, ku vetëm gjysma kanë kërkuar azil.

Krasniqi: Nga janari deri më tani i kemi 2600 migrantë

“Për dallim nga viti 2018 kur i kemi pasur rreth 600 kërkesa për azil, në vitin 2019 patëm një rritje të konsiderueshme. Nga 1 janari deri më 31 dhjetor të vitit 2019, kemi pasur 2100 kërkesa për azil. Kështu që është një rritje goxha e madhe në krahasim me vitin paraprak. Gjithashtu trendi në rritje ka vazhduar edhe në vitin 2020. Nga 1 janari deri më tani kur po flasim në vendin tonë kanë ardhur mbi 2600 migrantë. Ku rreth 1300 prej tyre e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për mbrojtje ndërkombëtare apo azil. Siç e thashë këta vinë nga vende të ndryshme aziatike dhe afrikane. Mbi 50 për qind janë nga Siria, sirianët dominojnë sa i përket kërkesave për azil, dhe ardhjes së migrantëve në përgjithësi”, tregon ai.

Në numër të madh këta persona vijnë edhe nga Maroku, Iraku, Palestina, Libia dhe vendet tjera. Krasniqi tregon se përveç sfidave në akomodim dhe shërbimeve tjera, kohëve të fundit këta persona kanë shkaktuar edhe incidente të shumta.

Krasniqi: Po sfidohemi nga tendenca për të prishur rendin dhe qetësinë

“Kohëve të fundit po sfidohemi edhe nga tendenca e një pjese të imigrantëve për ta prishur rendin dhe qetësinë në vendet publike në vendin tonë. Jo të gjithë emigrantët dhe azilkërkuesit shkaktojnë incidente dhe prishin rendin e qetësinë publike. Janë kryesisht migrantë nga Maroku, Algjeria dhe nga disa vende të tjera të cilat i kanë shkaktuar incidentet e fundit për të cilat është i njoftuar edhe opinioni publik. Mbi 90 për qind të emigranteve hyjnë në Kosovë në mënyrë jo të rregullt. Pasi të takohen me Policinë e Kosovës brenda territorit të Kosovës, ata e shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të kërkuar azil”, tregon Krasniqi.

Para disa ditëve, një xhami në fshatin Magurë të Lipjanit ishte përfshirë nga flakët e zjarrit. Magura është fshati që strehon emigrantët dhe azilkërkuesit e mundshëm në Kosovë. Kjo xhami herë pas here është shfrytëzuar si strehë nga azilantët. Rast tjetër ka qenë në objektin ku strehohen disa refugjatë në Vranidoll të Prishtinës.

KosovaPress ka kërkuar përgjigje nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, sa i përket këtyre rasteve. Megjithatë, në përgjigjen e tyre nuk specifikohen rastet, veçse përmenden ato të kalimit të paautorizuar të vendkalimeve kufitare.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se Policia e Kosovës, rastet i emërton bazuar në emërtimet e veprave penale sipas Kodit Penal, POR nuk kemi mundësi veprat penale, të ndahen sipas përkatësisë etnike a shtetërore të të përfshirëve në to. Për të realizuar kërkesën Ju i referoheni ‘Raportit 24 orësh’, kurse ne po ua përcjellim numrin e rasteve për ketë vit (janar-9 nëntor) të rasteve ‘Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare’ ku janë regjistruar 196 raste në përgjithësi”, ka theksuar Bajram Krasniqi.

Krasniqi thekson se shumica e personave që po vijnë në Kosovë janë Siria, ku 600 prej tyre kanë kërkuar azil.

Krasniqi: 600 persona nga Siria kanë kërkuar azil

“51 për qind janë nga Siria prej numrit total 2600, ndërsa vetëm sirianë kemi në vitin 2020, mbi 600 janë nga Siria. Maroko-138, Irak-118, Palestinë-108 dhe vende të tjera. Këta janë nga kërkesa e tyre për azil. 1300 sa e kanë shfrytëzuar të drejtën për me kërku azil, mbi 600 janë nga Siria. Ndërsa, migrantë të tjerë të cilët kanë ardhur në territor dhe nuk kanë kërkuar azil janë 1300, është numër pak a shumë i njëjtë me atyre që kanë kërkuar azil. Dhe prej tyre që kanë kaluar tranzit dhe nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën për azil, nga 1300 janë 724 sirianë”, ka treguar ai.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë për KosovaPress se vendi tashmë është pjesë përbërëse e rrugës së Evropës, e që po shfrytëzohet si kanal për kalim në vende të caktuara. Megjithatë, ai ngrit shqetësimin se refugjatët të cilët vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme duhet të verifikohen nëse janë pjesë e strukturave të armatosura terroriste.

Shala: Këta refugjatë të verifikohen nëse janë pjesë e strukturave terroriste

“Problemi kyç dhe esencial për Kosovën është që këta qytetarë, apo refugjatë të cilët bëjnë kërkesë për azil në Kosovë t’iu bëhet verifikimi përmes kanaleve diplomatike, përmes Interpol-it apo Europol-it. Që këta të shikohen mos këta individë janë pjesë e strukturave të armatosura terroriste në ato vende në të cilat ku ata ka vende të luftës. Pra, të bëhet verifikimi i tyre që ne mos t’i jepnim azil personave të cilët janë pjesë e ISIS-it”, thekson Shala.

Shala thekson se shteti i Kosovës duhet të jetë shumë vigjilent karshi këtyre personave. Në rast se këta persona cenojnë sigurinë e Kosovës, ai potencon se këta individë duhet të largohen të burgosur në vendin e origjinës.

Shala: Nëse nuk bëhet verifikimi i tyre këta mund të jenë kandidat potencial për sulm terrorist në vend

“Këta persona nëse nuk bëhet verifikimi i tyre mund të jenë kandidat potencial që të kryejnë ndonjë sulm terrorist në vend. Shteti i Kosovës duhet të jetë shumë vigjilent sa i përket këtyre individëve të cilët mund të lëvizin në Kosovë përmes dhënies së statusit të refugjatit apo azil-kërkuesit në Kosovë”, thotë ai.

Për këtë ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu të premten i është drejtuar përmes një letre publike, shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Tomas Szunyog. Në këtë letër theksohet se gjatë viteve të fundit, janë duke hasur në raste kur autoritetet serbe në mënyrë të organizuar grumbullojnë dhe më pas i transportojnë migrantët deri në afërsi të kufirit me Republikën e Kosovës, me qëllim që të njëjtit të kalojnë përmes rrugëve ilegale në territorin e shtetit tonë.

“Për më tepër, të njëjtit kanë deklaruar së ndaj tyre është ushtruar dhunë fizike dhe, përveç kësaj, janë kërcënuar me dhunë në rast se do të tentojnë të kthehen përsëri në territorin e Serbisë. Për veprimet e tilla të autoriteteve serbe, është raportuar edhe në mediat e ndryshme ndërkombëtare”, thekson shqetësimin e tij përmes kësaj letre ministri Veliu.

Veç tjerash ka theksuar se gjatë intervistave të autoriteteve me migrantë, janë njoftuar nga ata që një numër prej rreth 400 migrantëve tanimë janë grumbulluar në afërsi të Preshevës, me qëllim që të transportohen deri në afërsi të kufirit me Republikën e Kosovës. Aktualisht në Qendrën për Azil janë të strehuar 150 azilkërkues.

“Graniti” hap showroom-in e dytë në Prishtinë (VIDEO)

Të tjera