[wp-story]

Bota/Rajoni

Mbrohet në heshtje i akuzuari se përkrahu “xhihadistët” dhe postoi shkrime nxitëse për vepra terroriste

Mbrohet në heshtje i akuzuari se përkrahu “xhihadistët” dhe postoi shkrime nxitëse për vepra terroriste
12:21 | 07 Shtator 2020

Fitim Lladrovci, i cili po akuzohet për kryerjen e veprës penale “shtytja në kryerjen e veprave terroriste”, është mbrojtur në heshtje në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, ka pyetur ekspertin – psikiatrin Arsim Gashi, se a është i akuzuari në gjendje të deklarohet dhe a mund të merret deklarata mbrojtëse e tij, për çka, Gashi tha se i akuzuari Lladrovci nuk ka probleme ta kuptoj atë se çfarë po ndodhë, por që problemet e tij shëndetësore mund të paraqiten gjatë seancës, kur diskutohen temat apo ngjarjet të cilat e rrisin ankthin.

Pas kësaj, i akuzuari Lladrovci ka zgjedhur të shfrytëzojë të drejtën e tij ligjore për tu mbrojtur në heshtje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, në këtë seancë është bërë edhe administrimi i provave materiale dhe atë, fotografitë dhe incizimet e nxjerra nga rrjeti social Facebook i të akuzuarit Lladrovci, si dhe raporti njoftues i hetuesisë.

Lidhur me këto prova, vërejtje kishte mbrojtësi i të akuzuarit Lladrovci, avokati Arsim Bilalli.

“Kemi vërejtje në kuptim të mbrojtjes me arsyetimin se këto prova nuk janë prova që do ta mbështesnin akuzën nga ana e prokurorisë ngase siç kemi theksuar, këto incizime dhe fotografi janë nxjerrë nga një portal arab dhe se i mbrojturi im ua ka bërë vetëm copy-paste dhe asgjë më shumë. Sa i përket raportit njoftues, është ligjore që ky raport të futet dhe nuk përbën në brendësinë e tij asgjë inkriminuese në raport me të mbrojturin tim”, deklaroi Bilalli.

Lidhur me portalin, i akuzuari Lladrovci tha se portali nuk ishte arab, por menaxhohet nga shqiptarët e Kosovës dhe se është në gjuhën arabe.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet me 9 shtator 2020, në ora 13:30, ku pritet të jepet fjala përfundimtare si dhe të bëhet shpallja e aktgjykimit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 19 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Fitim Lladrovcit për veprën penale “shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, nga neni 134 të KPRK-së.

Ai akuzohet se ka bërë shtytje në kryerjen e veprave terroriste, në atë mënyrë që prej vitit 2018, e deri më 24 prill 2019, përmes rrjetit social në Facebook, me anë të një postimi ka shprehur gëzimin dhe ka përkrahur sulmet e fundit terroriste që kishin ndodhur në kisha dhe hotele në Sri Lanka, ku humbën jetën të paktën 139 persona, në mesin e të cilëve 45 fëmijë.

Në aktakuzë thuhet se ai komentuar “Me ndihmën e Allahut, bijtë e Unmetit sulmuan aty ku dhemb më shumë, në kishat dhe hotelet në Sri Lankë dhe nesër do të sulmojnë përsëri, por kësaj here në Paris, Londër, Uashington dhe New York. Andaj, pritni se me të vërtetë edhe ne presim nga ju dhe Akidja e Hilafetit është në zemrat dhe mendjet tona, në realitet jemi gjithkund, çdo mysliman është projekt për Xhihadin në të ardhmen, Allahu ka premtuar se Xhihadi do të qëndroj deri në orën e fundit (kijametit) dhe besojnë në Allahu”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se i akuzuari Lladrovci ka postuar video-incizime, fotografi dhe komente në formë të shkruar, duke shprehur haptazi përkrahjen dhe simpatinë ndaj organizatës terroriste “ISIS”, përmes të cilave postime shpreh urrejtje ndaj pjesëtareve tjerë të komunitetit dhe propagandon islamizmin, ashtu që nga fotografitë e publikuara që paraqesin “Xhihadistë” dhe “Sulmues vetëvrasës”, ku dhe i ka komentuar me qëllim që të shtysë kryerjen e aktit terrorist, duke shkaktuar rrezik serioz që vepra të tilla edhe të kryen.

Kush ështe kosovari THE VICTOR që synon tregun e jashtëm? (video)

Të tjera