Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ditë më parë ka marrë vendim për ndërrimin e targave të automjeteve për të gjithë ata qe ende kanë targa me ‘KS’, raporton Front Online.
E nga MPB-ja në një përgjigje me shkrim për Front Online, kanë thënë se nga 17 shtatori që kur është marrë ky vendim e deri më sot janë ndërruar 2 mijë e 21 targa.
“Gjithsej janë 2021 targa të ndërruara nga KS në RKS për datat : 2020-09-17 deri 2020-10-08”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
Ndërsa të pyetur se a ka mungesë të targave, nga kjo ministri thonë se procesi i punës është duke u zhvilluar pa asnjë problem dhe se janë furnizuar me targa.
“Të gjitha qendrat janë të furnizuara mjaftueshëm dhe procesi i punës po zhvillohet pa ndonjë problem”, thonë nga MPB për Front Online.
Kosova dhe Serbia, janë pajtuar në Bruksel për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa të dy shteteve, kosovarët që shkojnë apo kalojnë transit nëpër Serbi, janë të detyruar të mbulojnë targat “RKS” dhe të pajisen me targa “prova”.
Marrëveshja e Brukselit e vitit 2011, parasheh që të gjithë pronarët e automjeteve, të cilët jetojnë në Kosovë, duhet të shfrytëzojnë targat e regjistrimit me shenjën KS ose RKS.
Marrëveshja e re për tabelat e regjistrimit, e vitit 2016, përveç heqjes së tabelave serbe të regjistrimit, parasheh edhe shfuqizimin e “tabelave provuese”, të cilat Serbia i jep për automjetet me tabela të Kosovës dhe që qarkullojnë në Serbi. Marrëveshja e re parasheh që simbolet shtetërore që gjenden në tabela të regjistrimit të mbulohen.Kjo pjesë e marrëveshjes ende nuk është duke u zbatuar./Front Online/