Xhihadistët e degës së Al-Kaidas avancojnë në veriperëndim të Sirisë. Sipas të dhënave pjesë të mëdha të qytetit të Alepos janë nën kontrollin e tyre. Trupat qeveritare ndihmohen nga Rusia.
Xhihadistët në Siri kanë pushtuar pjesën më të madhe të qytetit të Aleppos dhe po përparojnë në veriperëndim të vendit. “Gjysma e qytetit të Alepos është tani nën kontrollin e Hajat Tahrir al-Sham dhe grupeve aleate të tyre”, tha për AFP, kreu i Qendrës Siriane për të Drejtat e Njeriut, Rami Abdel Rahman. Trupat qeveritare siriane nuk ofruan ndonjë rezistencë të konsiderueshme, thuhet. “Kur forcat e regjimit u tërhoqën, nuk pati luftime, nuk u shkrep asnjë e shtënë”, ka thënë Rahman. Megjithatë luftime ka pasur në lagjen e Alepos së re, raportoi një reporter i AFP-së në terren.
Dega siriane e rrjetit terrorist të Al-Kaidës, Hajat Tahrir al-Sham (HTS) dhe grupet aleate nisën një ofensivë të gjerë befasuese kundër forcave të qeverisë siriane të mërkurën (27.11). Këto konsiderohen luftimet më të ashpra që nga viti 2020. Sipas aktivistit Rahman, islamistët depërtuan të premten në qytetin e madh të Alepos. Rajoni është kontrolluar deri tani kryesisht nga qeveria. Sipas mediave siriane, Alepo u godit gjithashtu nga forcat e Hajat Tahrir al-Sham për herë të parë në këto katër vjet. Katër civilë u vranë kur xhihadistët sulmuan një konvikt studentor.
Qeveria flet për zmbrapsjen e ofensivës
Sipas Rahman, ushtria siriane nuk i ofroi ndonjë rezistencë të konsiderueshme avancimit të xhihadistëve në Aleppo. Kurse nga qeveria siriane thuhet, se ushtria kishte zmbrapsur “ofensivën e madhe të grupeve të armatosura terroriste” në Alepo dhe kishte rimarrë disa pozicione. Ushtria ka dërguar përforcime në qytet, në zonën rreth së cilës, sipas burimeve qeveritare, tashmë kishte pasur “luftime dhe përleshje të ashpra”.
Priten ndihma ushtarake nga Rusia
Trupat siriane mbështeten nga aleati i tyre Rusia. Forcat ajrore ruse po bombardojnë “pajisjet dhe personelin e grupeve të armatosura të jashtëligjshme”, cituan agjencitë ruse të lajmeve një zëdhënës të Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë, përgjegjës për Sirinë. Zëdhënësi i ministrisë tha se 200 luftëtarë u vranë në sulmet ruse gjatë 24 orëve të kaluara për të marrë provincën e Alepos, siç raportoi agjencia e lajmeve Reuters. Qendra Siriane për të Drejtat e Njeriut raportoi për 23 sulme ajrore nga avionët sirianë dhe rusë në bastionin e rebelëve në Idlib. /A2cnn