×
  • Opinione
  • Opinione

    Lufta për Ukrainën po krijon një botë të re

    FrontOnline
    05 Maj 2022

    Autori është Ministër i Punëve të Jashtme të Ukrainës.

    Lufta e Ukrainës për të drejtën e saj për të pasur një të ardhme, e ka përshpejtuar një ndryshimin e madh që po ndodh në rendin global të shekullit XXI-të. Mund të shihen që tani elementë të botës së re, që dalin nga zjarret e luftës në Ukrainë.

    Uniteti midis Amerikës së Veriut dhe Bashkimit Evropian është rivendosur dhe çimentuar. Koncepti i Perëndimit e ka rifituar kuptimin e tij origjinal, ndërsa rënia strategjike e Rusisë po e dobëson sistemin e aleancave të Kinës. Pushtimi rus i Ukrainës, e ka vënë Evropën sërish në lëvizje.

    Pavarësisht xhelozisë së disa shteteve evropiane, Ukraina u bë qendra e lindjes së Evropës së re. Që Evropa të ketë sukses në rivendosjen e paqes dhe forcimin e prosperitetit dhe sigurisë në rajon, Ukraina duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, dhe në përgjithësi e Perëndimit, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

    Dhe kështu do të ndodhë. Bota e së nesërmes do të jetë trepolare. Dy pole të dukshme do të jenë Shtetet e Bashkuara dhe Kina. India do ta forcojë pozitën e saj globale si një fuqi e madhe demokratike. Por poli i tretë, më pak i dukshëm do të jetë komuniteti i sapo-shfaqur dhe i decentralizuar i përdoruesve globalë të internetit.

    E ardhmja e këtij të fundit, do të përcaktohet nga zhvillimi i shpejtë teknologjik dhe inovacioni. Ky komunitet, do të përqendrohet kryesisht në atë që disa tashmë e quajnë “metaverse”. “Netizen” mund të tingëllojë si një fjalë e zbukuruar që kombinon fjalët “qytetar” dhe “rrjet”, por ai përshkruan një ndryshim historik, dhe shfaqjen e një fuqie të re globale.

    Shumë njerëz anembanë globit po investojnë shumë mbi jetën e tyre në internet, dhe po formojnë identitetin e tyre si “qytetarë të rrjetit”. Tashmë ata u besojnë më shumë komuniteteve të tyre në internet sesa shteteve të tyre kombëtare.

    Dhe do të fitojnë gjithnjë e më shumë forcë, duke kapërcyer kufijtë dhe duke e transformuar botën. Ato janë tashmë këtu, të decentralizuar, të vetë-mjaftueshëm dhe efektivë. Ata kanë ide të mëdha dhe vullnet për t’i çuar idetë përpara. Janë ndjekës besnikë dhe të besueshëm.

    Por kjo botë e re e guximshme, do të krijohet vetëm nëse do të jetë i favorshëm mjedisi përreth.

    Kjo është arsyeja pse ka shumë rëndësi rezultati i luftës Rusi-Ukrainë. Ajo çka është në lojë shkon përtej një lufte fizike. Nëse Ukraina do të jetë fitimtare, dhe ajo dhe vendet e tjera me të njëjtin mendësi mbeten të lira për të ndjekur idealet e tyre demokratike, do të përshpejtohet lëvizja globale drejt një bote më të fuqizuar dhe më të lirë dhe pa kufij.

    Por nëse gjërat shkojnë në drejtimin tjetër – pra nëse Rusia ia del të shkatërrojë lirinë dhe demokracinë në Ukrainë dhe më gjerë – atëherë ne do të hyjmë në një botë të zymtë pa rregulla dhe pa liri, ku sundon vetëm forca, dhe ku çdo gjë tjetër zhduket.

    Lufta në Ukrainë, po i tregon tashmë botës se si njerëzit e shtyllës së tretë, po nxisin ndryshimin në 3 mënyra kryesore. Së pari, përdoruesit e internetit po luajnë një rol aktiv në mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit rus.

    Për shembull, anëtarët e grupimi global të hakerëve internet të njohur si “Anonymous”, kanë zgjedhur t’i përdorin aftësitë e tyre për të demaskuar propagandën e qeverisë ruse, dhe për t’i thënë të vërtetën popullit rus për luftën. Vendimi i Anonymous për t’i shpallur një “luftë kibernetike” kundër Rusisë ishte një zgjedhje e tyre, dhe jo një urdhër nga ndonjë komandë më e lartë qeveritare apo ushtarake.

    Së dyti, përdoruesit e rrjetit po shfrytëzojnë çdo mundësi për të ofruar alternativa ndaj asaj që zakonisht ofrohet nga qeveritë. Për shembull, merrni njoftimin publik të miliarderit të teknologjisë Elon Musk se do t’i ofronte Ukrainës shërbimin e internetit satelitor Starlink.

    Në ditët e para të pushtimit, terminalet e Starlink u vendosën me shpejtësi në Ukrainë, duke mundësuar një sistem alternativ komunikimi të pandërprerë, dhe duke e penguar aftësinë e Rusisë për të ndërprerë komunikimet ukrainase në të gjithë vendin.

    Së treti, përdorimi i kriptomonedhës, i ka dhënë mundësi qeverisë ukrainase të mbledhë para nga mbarë bota për të financuar përpjekjet tona për t’u mbrojtur, dhe ka ndihmuar në kufizimin e mënyrave për të anashkaluar sanksionet financiare nga ana e Rusisë.

    Rusia e ka sulmuar Ukrainën me një forcë ushtarake brutale, e cila synon të na shkatërrojë si komb dhe si shtet. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, është lufta e të vjetrës kundër të resë.

    Kur pjesa më e madhe të ushtrisë ruse mësyu mbi kufijtë tanë në orët e para të 24 shkurtit, shanset tona dukeshin të pakta.

    Megjithatë, përkundër të gjitha gjasave, Ukraina e ka mbajtur të lirë shumicën e territorit të saj, dhe ka treguar se ekspertët dhe vendimmarrësit e kanë pasur gabim. Siç po e shohim nga ditë në ditë, udhëheqja politike në këtë epokë, ka të bëjë më pak me pushtetin shtetëror hierarkik, dhe më shumë me udhëheqjen përmes shembullit personal, dhe forcimin e zërit dhe energjisë së komuniteteve lokale.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po udhëheq përmes forcës së shembullit dhe sinqeritetit të tij, dhe e bën këtë jo vetëm me deklarata dhe urdhra. Ai është një nga njerëzit e këtij vendi, dhe jo një figurë e largët diku në krye të kupolës.

    Ai është i afërt me ukrainasit e zakonshëm, duke postuar videot e tij selfie, dhe duke ndarë me popullin e Ukrainës rutinën e tij të përditshme presidenciale nëpërmjet postimeve në rrjetet e tij sociale orët e vona të mbrëmjes.

    Udhëheqja dhe imazhi i tij publik, kontrastojnë plotësisht me atë të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili shfaqet në televizion duke u dhënë urdhra gjithë nervozizëm gjeneralëve të tij, të cilët ulen të heshtur dhe të bindur në anën e kundërt të një tavoline shumë të gjatë.

    Ky dallim i spikatur është vetëm një shembull i hendekut shumë të madh midis dy modeleve politike:të ardhmes komunale dhe të shkuarës hierarkike; të rendit politik ekzistues dhe atij në zhvillim.

    Zelensky po tregon se për të udhëhequr botën dhe për të fituar popullaritet brenda dhe jashtë vendit, duhet guxim, një aparat celular për të bërë video selfi dhe sinqeritet, dhe jo armë bërthamore, as të ardhura nga nafta dhe as një makineri propagandistike shtetërore.

    Ky është modeli i së ardhmes, dhe arsyeja pse Ukraina do të triumfojë, dhe Rusia do të humbasë. Ne jemi duke hyrë në një terren të ri, të pa eksploruar, një rezultat që askush nuk mund ta parashikonte. Ata që besojnë se kjo luftë ka ndikim vetëm tek e ardhmja e Ukrainës dhe Rusisë e kanë gabim.

    Pasojat e tij po ndikojnë dhe do të vazhdojnë të ndihen në mbarë globin, dhe jo vetëm në botën fizike, por edhe atë online. Komuniteti i internetit beson se ideja e një shteti-komb është e vjetruar, dhe se e ardhmja është kjo botë e re online dhe e decentralizuar.

    Ata i refuzojnë hierarkitë vertikale dhe kufijtë fizikë. Në vend të bankave dhe qeverive, ata mbështeten tek blockchain dhe kriptomonedhat. Përdoruesit e rrjetit mund të jenë ukrainas, por edhe amerikanë ose kinezë. Ata mund të mbeten patriotë të vërtetë të vendeve të tyre. Mund t’i përkasin komunitetit dixhital global, dhe të jenë njëherazi krenarë për identitetin e tyre. Përdoruesit e rrjetit besojnë se bota e tyre e re, do t’i mbijetojë rendit botëror bipolar. Ka mundësi që po. Por së pari, duhet që të tria polet të mësojnë se si të bashkëjetojnë dhe të angazhohen me njëri-tjetrin.

    Ne nuk duhet të kemi frikë nga ky “modernitet likuid” i ri , siç e përkufizoi sociologu dhe filozofi polak Zygmunt Bauman, por duhet të hapemi ndaj mundësive të mëdha që ai sjell.

    Koncepti tradicional i një poli gjeopolitik, kërkon një utopi mobilizuese, një rend social gjithëpërfshirës dhe një model ekonomik konkurrues. Bota dixhitale i ka të tria. Ajo mobilizon tashmë investime dhe burime të mëdha, të cilat nuk janë të lidhura as me Shtetet e Bashkuara liberale-demokratike dhe as me Kinën tradicionaliste dhe të kontrolluar nga shteti.

    Sigurisht, botës së re trepolare do t’i duhet pak kohë për të gjetur ekuilibrin e saj unik që do të formësojë shekullin XXI-të. Ky ekuilibër, do të përcaktohet nga dekadat e konkurrencës dhe tensionit, si dhe nga bashkëpunimi dhe harmonizimi.

    Tani për tani mund të mos duket shumë e qartë, por fitorja e Ukrainës në luftën kundër Rusisë do ta katalizonte më tej këtë transformim dixhital, dhe do të përshpejtonte krijimin e botës trepolare. Nga ana tjetër, humbja e një Ukraine dinamike dhe demokratike përballë një Rusie autoritare, do të kthente pas historinë botërore. Ne do të triumfojmë, së bashku me ata që janë të pozicionuar në zgjedhjen morale të së mirës mbi të keqen, të lirisë mbi frikën dhe të dritës mbi errësirën.

    Marrë nga “Foreign Policy”.

    KEDS njofton për ndërprerje të rrymës për shkak të punimeve
    Nga Rubrika
    Opinione24 Prill 2024
    Nga: Lina Khatib / The Guardian (titulli origjinal: Iran seems like it’s in escalation mode – but all-out war with Israel is...
    Opinione23 Prill 2024
    Shkruan Hisen Berisha  Pas dështimit të serbëve për të realizuar të drejtën e tyre politike për të zgjedhur kryetarët e tyre në...
    Opinione22 Prill 2024
    Nga: Ben Andoni  Bojkoti i djeshëm serb i zgjedhjeve në Veri ishte krejt i dukshëm dhe i pritshëm, por ajo la një...
    Të tjera
    Bota/Rajoni24 Prill 2024
    Komisioni Shtetëror Zgjedhor në Maqedoninë Veriore (KSHZ) ka nisur të nxjerr rezultatet e para jo-zyrtare për zgjedhjet presidenciale në rrethin e parë,...
    Lajme24 Prill 2024
    Jonathan Hargreaves, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë është takuar me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të...
    Bota/Rajoni24 Prill 2024
    Përpjekjet globale të imunizimit kanë shpëtuar të paktën 154 milionë jetë në 50 vjetët e fundit, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH),...
    Lajme24 Prill 2024
    Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka nisur të nxjerr rezultatet e para jo-zyrtare për zgjedhjet presidenciale në rrethin e parë, shkruan FrontOnline. Sipas...
    Lajme24 Prill 2024
    Kryeministri i vendit, ka thënë se Kosova për herë të parë ka filluar regjistrimin online të diasporës. Ai tha se ky është...
    Bota/Rajoni24 Prill 2024
    Në Serbi sot janë arrestuar 17 persona, anëtarë të dy grupeve të organizuara kriminale, të cilët dyshohet se kanë falsifikuar 400 dokumente...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.