Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, deklaroi se tri sulmet e fundit në veri janë kualifikuar si “sulme terroriste”, që kanë pasur synim ta cenojnë sigurinë e Kosovës.
Hoxha theksoi se të arrestuarit mund të kenë lidhje me kryeterroristin Milan Radoiçiq, derisa hetuesia pritet që ta konfirmojë rolin e secilit të arrestuar, raporton Front Online.
Drejtori i Policisë potencoi se gjatë bastisjeve të sotme kanë konfiskuar mbi 200 uniforma ushtarake, 6 zolla, 3 granata dore, 2 armë AK47, 1 revole, municion të kalibrave të ndryshëm, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, para dhe pajisje të tjera.
Ndërsa në një bastisje të ndarë në Zveçan, Policia ka konfiskuar sasi të konsiderueshme armatimi, 2 AK47, 3 revole, 1 armë gjuetie, 2 armë rekreative, 6 karikator të AK47, municion e uniforma ushtarake.
Hoxha ka dhënë detaje edhe për shpërthimin në Ibër-Lepenc.
“15 deri në 20 kilogramë eksplozivë ka qenë i vendosur në çantë të zezë dhe është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”, ka thënë ai. /FrontOnline/