Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka postuar lidhur vizitën në veri per shkak të sulmit të mbrëmshëm, duke e cilësuar atë si një akt të orientuar për të dëmtuar rëndë infrastrukturën kritike dhe për të cënuar sigurinë kombëtare të vendit. Ai ka theksuar se ky sulm kishte si qëllim defunksionalizimin e jetës normale në Kosovë, por ka falënderuar institucionet, inxhinierët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike që arritën të rikthenin në kohë rekorde funksionimin e kanalit të Ibër Lepencit dhe furnizimin e KEK-ut me ujë.
Kryeministri, së bashku me ministrin Sveçla, drejtorin e Policisë së Kosovës, Hoxha, dhe drejtorin e AKI-së, Ajeti, vizituan fshatin Varagë në Zubin Potok, ku ishte dëmtuar kanali nga shpërthimi. Ai ka nënvizuar se institucionet e sigurisë po bëjnë përpjekje maksimale për zbardhjen e rastit, ndërkohë që janë kryer bastisje dhe ka pasur të arrestuar, me prova të mjaftueshme.
Kurti ka garantuar se të gjithë kriminelët dhe terroristët do të përballen me drejtësinë dhe ka falënderuar qytetarët e Kosovës për mbështetje, solidaritet dhe maturi në këto momente të vështira.