×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti e Osmani duken sikur i kanë rregulluar pak raportet pas një vargu të gjatë mosmarrëveshjesh

    FrontOnline
    18 Shkurt 2025

    Moskoordinimi dhe mosmarrëveshjet pothuajse të vazhdueshme ndërmjet Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, duket se u kishin dhënë fund marrëdhënieve të mira ndërmjet tyre. Kryeministri dhe presidentja, megjithatë, këto ditë sikur dëshmuan një afrim të sërishëm ndërmjet tyre.

    Marrëdhëniet e ftohta prej disa kohësh ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani duket se janë përmirësuar. Këtë e tregojnë në një masë edhe komunikimi dhe afërsia në paraqitjet e fundit të tyre.

    Ata të dy ishin në Mynih të Gjermanisë në fundjavë për Konferencën e Sigurisë dhe pas fjalimit të zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, JD Vance, u raportua se ata e shmangën njëri-tjetrin.

    Si për ta demantuar çfarëdo hipoteze që mund të ngritej mbi disa pamje të publikuara, atë natë, ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, publikoi një fotografi me dy krerët e shtetit.

    “Kosova në Konferencën e Sigurisë në Mynih 🇽🇰“, shkroi shkur në postimin e bërë në Facebook.

    Bashkë ishin gjatë gjithë ditës të hënën, në aktivitetet për 17-vjetorin e pavarësisë së vendit.

    Para se të nisin për homazhe në Prekaz, Osmani e Kurti folën edhe për të pirë kafe ndërkohë.

    “Po shkojmë pak më herët. A po vini ju?… Edhe me fishekzjarre pimë kafe, pse? Çka na bëjnë?”, dëgjohet teksa thotë ajo në një moment të cilin e ka kapur T7.

    Ata qëndruan bashkë në një tavolinë edhe në mbrëmje, me rastin e pritjes shtetërore për 17-vjetorin e pavarësisë.

    Tandemi Kurti–Osmani duket se ishte prishur. Sidomos vitin e kaluar, kishte një kronologji të mosmarrëveshjeve ndërmjet kryeministrit dhe presidentes – nga çështja e përfaqësimit të vendit në samitet e forumet e ndërkombëtare, konfrontimi i drejtpërdrejtë, e deri te mungesa totale e komunikimit.

    Gazeta Express merrte vesh se fërkimet e para ndërmjet tyre kishin nisur për çështjen e përfaqësimit të vendit në samitet e forumet e ndryshme ndërkombëtare.

    Shkëndija e parë e prishjes së marrëdhënieve ishte në vitin 2022. Zyra e Kryeministrit njoftonte më 18 shkurt të atij viti se shefi i Qeverisë, Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla do të udhëtonin atë ditë për në Mynih, për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë. Po atë ditë, Presidenca njoftonte më pas se shefja e shtetit, Vjosa Osmani kishte udhëtuar për në të njëjtin destinacion dhe me të njëjtin qëllim, për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë. Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit nuk përmendej presidentja dhe në njoftimin e Zyrës së Presidentes nuk përmendej kryeministri.

    Ata, siç kishte marrë vesh Express, kishin pasur një konfrontim të drejtpërdrejtë më pas: Osmani ishte ndjerë e përjashtuar nga një takim i Kurtit me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

    Dështimi për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës në maj të vitit të kaluar kishte shpërfaqur një tjetër mosmarrëveshje ndërmjet Kurtit dhe Osmanit dhe mungesë totale të komunikimit ndërmjet Qeverisë dhe Presidencës.

    Qeveria e kishte dërguar një letër në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në prag të mbledhjes së Komitetit të Ministrave, në një përpjekje të fundit për t’i bindur ministrat e shteteve anëtare të kësaj organizate për ta futur Kosovën në agjendën e takimit të tyre, duke premtuar përgatitjen e një draft-statuti të Asociacionit të komunave me shumicë serbe që thoshte se do t’i dorëzohej Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të atij muaji. Kështu, Ekzekutivi shpresonte që pas këtyre “hapave konkretë dhe të prekshëm”, Komiteti i Ministrave do të vendoste përfundimisht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, gjë që nuk ndodhi.

    Shefja e shtetit kishte dalë kundër kësaj letre që mbante nënshkrimin e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila tash e drejton Guxo-n, partinë, kryetare e së cilës ishte Vjosa Osmani deri në prill të vitit 2021. Këshilltari i saj, Bekim Kupina, pati thënë se presidenten nuk e kishin konsultuar për këtë.

    Osmani do ta quante “qesharake” një deklaratë të kryeparlamentarit Glauk Konjufca i cili përpiqej ta natyralizonte këtë mungesë komunikimi duke e quajur atë të paqëllimtë.

    Ajo letër, sipas Osmanit e kishte ndryshuar “në tërësi” qëndrimin e mbajtur nga Kosova deri atë ditë për çështjen e Asociacionit.

    Ishte bërë një kohë që presidentja nuk po i qëndronte gjithherë në krah kryeministrit. Ajo vetë në një rast kishte konfirmuar se kishin qëndrime të kundërta, ndër tjerash, për çështjen e marrëdhënieve me shtetet aleate.

    Gabriel Escobar, i cili kishte i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, kishte treguar publikisht se në Washington kanë “problem komunikimi me kryeministrin”, dhe thoshte se “ky nuk është problem vetëm i Shteteve të Bashkuara”, ndërsa në mars të vitit të kaluar, ai e ‘shpalli’ presidenten garantuese të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

    Nga Rubrika
    Lajme25 Mars 2025
    Një rast jashtëzakonisht i pazakontë u zbulua kur planet ushtarake të SHBA-së u bënë të ditura një gazetari. Planet për sulmet kundër...
    Lajme25 Mars 2025
    Presidentja Vjosa Osmani do të bëjë nesër homazhe në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël. Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani...
    Lajme25 Mars 2025
    Katër persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur sot rreth orës 17:00 në Ferizaj, konkretisht në...
    Të tjera
    Lajme25 Mars 2025
    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka shtruar sot iftar për myftiun e Kosovës, Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorë të tij nga Bashkësia Islame...
    Lajme25 Mars 2025
    Mendimi për motin – 25.03.2025 Më shumë të reshura shiu përfshinë vendin orëve të mëngjesit të ditës së mërkurë, e që pritet...
    Bota/Rajoni25 Mars 2025
    Presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, ka folur nga Izraeli, pasi u arratis nga Bosnja dhe Hercegovina me një fluturim drejt kryeqytetit...
    Lajme25 Mars 2025
    Është varrosur Nexhmie Haradini, e cila u vra dje në fshatin Stanoc të Vushtrisë, nga Arsim Morina, i cili më pas u...
    Lajme25 Mars 2025
    Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se marrëveshja që ka arritur kryeministri Albin Kurti në vitin 2023 dhe Statuti i Asociacionit i...
    Lajme25 Mars 2025
    Gjykata Themelore në Prizren sot ka ngritur aktakuzë për sulm dhe kanosje ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.