[wp-story]

Lajme

Kurti: Disa individë në LDK e duan PDK-në para Vetëvendosjes

Kurti: Disa individë në LDK e duan PDK-në para Vetëvendosjes
15:36 | 24 Shtator 2019

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti duke folur për koalicionin paszgjedhor me LDK-në, ka deklaruar sot se duhet pasur kujdes se kush po e fiton besimin e popullit për deputet nga radhët e kësaj partie.

Pasi siç thotë ai janë disa persona brenda LDK-së që e duan PDK-në para LVV-së.

“Ky është gabimi i tretë me radhë i LDK-së prej kur dolën prej VLAN e iu bashkuan PDK-së dhe tash kur nuk bëri koalicionit me VV-në. Duhet të përcjellim me kujdes se kush po fiton në Kuvendin e Kosovës nga lista e deputetëve të saj, sepse ka që nuk na preferojnë neve e janë për PDK…Na duhet një qeveri stabile me më shumë se 61 deputetë”, tha Kurti.

Në debatin “Talk to Talk” të kolegjit Riinvest, Kurti foli edhe për shumë çështje të tjera, ku u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me presidentin Hashim Thaçi, por theksoi se në qeverinë e tij, të parit të shtetit do t’i kufizohet hapësira manovruese.

“Ai nuk mund të sillet me mua sikur ka bërë në mandatin e kaluar me kryeministrin Haradinaj. Komunikim doemos do të kemi, mund të kemi edhe bashkëpunim. Por nuk mundet të kemi kur presidenti kundërshton politikën e qeverisë. Hapësira e tij e manovrimit do të jetë më vogël. Do të kishte qenë mirë të heq dorë nga pozita e presidentit, tash do të bëjmë edhe Ligjin për Pension të Parakohshëm”, tha Kurti.

Kandidati për kryeministër për dialogun me Serbinë tha se qysh në javën e parë në krye të ekzekutivit do të filloj kontaktet me qytetarët serbë të Kosovës.

Kurti theksoi se nuk u përket atyre njerëzve që tentojnë që të përfundojnë dialogun para zgjedhjeve në Serbi vitin e ardhshëm.

“Në javën e parë do të filloj dialogun me serbët e Kosovës. Në muajin e parë do të vlerësoj të gjitha marrëveshjet që janë bërë me Serbinë. Po ashtu në muajin e parë do filloj takimet me BE-për tu përgatitur për dialogun me Serbinë. Nuk iu përkas atyre njerëzve që tentojnë që të përfundojnë dialogun para zgjedhjeve në Serbi vitin e ardhshëm” , tha Kurti.

Kurti ripërseriti se do ta respektojë flamurin e Kosovës në zyrën e Kryeministrit, teksa u zotua se në Qeveri do të jenë rreth 30 përqind të kabinetit të tij gra.

Auto Mita me një mundësi të mirë për bizneset – për çdo veturë të re, SERVISI FALAS deri në 100…

Të tjera