×
  • Opinione
  • Opinione

    Kur teoricienët e konspiracionit udhëheqin shtete

    FrontOnline
    06 Tetor 2022

    Nga: Gideon Rachman / The Financial Times

    Më parë kam menduar se teoritë e konspiracionit kanë qenë strehë e të pafuqishmëve dhe të paarsimuarve. Bindja se forcat e errëta dhe të fshehta manipulojnë ngjarjet botërore, ishte shenjë e një amatori, që kalonte kohë në internet ose duke bërtitur në rrugë. Në korridoret e pushtetit, njerëzit i dinin gjërat më mirë. Teksa nëpunësit civilë britanikë pëlqejnë të pëshpëritin, kur gjërat shkojnë keq ky zakonisht është “gabim, jo komplot”.

    Por, teoricienët e konspiracionit kanë lëvizur nga rrugët në seli. Janë bërë presidentë të shteteve, përfshirë Turqinë dhe Brazilin. Në ShBA, Donald Trumpi – i cili komplotet kundër tij i sheh kudo -planifikon rikthimin e vet politik. Teoricieni më i rrezikshëm i konspiracionit, nga të gjithë, është Vladimir Putin i cili aktualisht po kërcënon botën me luftë bërthamore.

    Fjalimi i tij i javës së kaluar, duke njoftuar aneksimin e paligjshëm të pjesëve të Ukrainës, ishte përplot i mbushur me mendime konspirative. Sipas Putinit, Perëndimi në përgjithësi nuk “do që të jemi të lirë; ata duan të jemi koloni … Duan të na vjedhin”. Në rastet e mëparshme, Putini dhe këshilltarët e tij kryesorë janë referuar te teoria e konspiracionit e “miliardit të artë”. Kjo thotë se Perëndimi ka vendosur që bota ka burime të mjaftueshme vetëm për të mbështetur një miliard njerëz – dhe se për këtë arsye synon të shpërbëjë Rusinë dhe t’i vjedhë burimet e saj. Javën e kaluar ai pretendoi se vendet perëndimore kanë braktisur fenë dhe kanë përqafuar “satanizmin”.

    Është gjithnjë e më e qartë se Putini në të vërtetë beson te shumë prej teorive të konspiracionit që ai i hedh. Një pamje thellësisht konspirative e botës ka nxitur veprimet e tij për vite me radhë. Vazhdimisht ka këmbëngulur se “revolucionet me ngjyra” në Ukrainë dhe në Gjeorgji nuk ishin lëvizje spontane dhe demokratike, por “grushte shteti” të prodhuara nga agjencitë perëndimore të inteligjencës.

    Putini është shumë i rrezikshëm. Por, ai nuk është i vetmi president që është edhe teoricien konspirativ. Teksa përballet me mundësinë e humbjes në zgjedhje, udhëheqësi i Brazilit, Jair Bolsonaro, po e promovon idenë e një komploti të madh të majtë për t’ia vjedhur zgjedhjet. Ai gjithashtu ka përqafuar teorinë e padëshmuar se koronavirusi është prodhuar në një laborator.

    Giorgia Meloni, që pritet të jetë kryeministre e ardhshme e Italisë, është e dhënë pas teorive konspirative. Ka flirtuar me teorinë e “zëvendësimit të madh” – thotë se ekziston një plan, i hartuar nga financierët elitarë, për ta zbehur kulturën e krishterë të Evropës, duke e promovuar imigracionin. Qëllimi përfundimtar, me sa duket, është t’i kthejë evropianët në “skllevër” dhe konsumatorë të pamend, të zhveshur nga identitetet kombëtare dhe gjinore.

    Në një parashikim të zymtë, Meloni – si Trumpi dhe Viktor Orbáni në Hungari – ka sugjeruar se figura kryesore që punon kundër vendit të saj është financuesi dhe filantropisti hebre, 92-vjeçar George Soros. “Kur je skllav, vepron në interes të Sorosit”, ka deklaruar ajo.

    Një lider tjetër i fuqishëm që kundërshton Sorosin është Recep Tayyip Erdoğani. Presidenti i Turqisë, për problemet ekonomike të vendit të tij shpeshherë fajëson jo paaftësinë e vet, por një “lob misterioz të normave të interesit” që supozon se për njerëzit e zakonshëm dëshiron të vendosë norma të interesit me fajde.

    Ngritja e Trumpit e shkatërroi çdo iluzion se ndaj gjërave të tilla janë imune demokracitë e vendosura mirë në Perëndim. Ish-presidenti, dhe ndoshta i ardhshmi, e nisi karrierën politike duke promovuar gënjeshtrën e “vendlindjes” – që thoshte se Barack Obama nuk ka lindur në ShBA. Që atëherë, ai ka qenë promotor i madh i teorive konspirative. Kjo kulmoi me këmbënguljen e tij se atij iu vodhën zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

    Teoritë e konspiracionit kanë ekzistuar për shekuj me radhë, që nga epoka e djegies së shtrigave, si dhe më parë. Por, në epokën tonë të globalizimit, ato veçanërisht janë të favorizuara nga nacionalistët ekstremë, të cilët shohin forca të huaja në hije, që fshihen pas çdo pengese apo poshtërimi kombëtar.

    Tërheqja në teoritë e tilla përfshin largimin nga realiteti, i cili më pas i fton fatkeqësitë e mëtejshme. Teksa gjërat shkojnë për keq, reagimi i natyrshëm për një teoricien konspirativ është ta dyfishojë atë, duke pohuar se katastrofat që kanë prodhuar politikat e tyre janë dëshmi e mëtejshme e komplotit fillestar.

    Presioni i ngjarjeve, normalisht mund t’i bëjë edhe politikëbërësit racionalë të futen në mbulesën e rehatisë së teorive konspirative. Në kulmin e krizës së euros, takova politikëbërës të BE-së që flirtonin me idenë se gjithçka ishte shkaktuar nga fondet mbrojtëse, në komplot me Financial Times-in. Tani që është radha e Britanisë të kalojë në krizën financiare, disa komentues të djathtë në Mbretërinë e Bashkuar dyshojnë për një komplot të huaj për ta prishur Brexit-in.

    Ata liderë që tashmë ishin të prirë për mendim konspirativ, priren të bëhen edhe më paranojakë, pasi gjërat shkojnë keq. (Me fjalët e pavdekshme të Kenneth Williams në komedinë “Carry on Cleo”, “Turp, turp, të gjithë ata janë të inatosur me mua.”) Fjalimi i Putinit për aneksim, javën e kaluar, ishte shembull klasik. Gjithçka që ka shkuar keq për Rusinë, që nga vendimi i tij për ta pushtuar Ukrainën, u citua si dëshmi e mëtejshme e komplotit djallëzor perëndimor që “justifikoi” në radhë të parë pushtimin.

    Disa vjet më parë, ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, sugjeroi se Putini kishte humbur kontaktin me realitetin dhe se po jeton “në një botë tjetër”. Është ajo botë në të cilën armiqtë dhe komplotet e fshehura janë të shumta. Është bota e teorive konspirative. Tragjikisht, imagjinata e sëmurë e Putinit ka nisur një luftë të panevojshme, brutale dhe gjithnjë e më të rrezikshme./ Telegrafi.com

    Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ LKIA me rekord të ri në nr. të udhëtarëve dhe fluturimeve
    Nga Rubrika
    Opinione28 Mars 2024
    Nga: Albert Prenkaj Situata e re e krijuar me inkursionin ushtarak rus në Ukrainë dhe mundësia e derdhjes së konfliktit në Ballkan...
    Opinione27 Mars 2024
    Nga Thomas Latschan: Sipas informacioneve të Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës (i cili kontrollohet nga Hamasi), pothuajse 32 mijë vetë...
    Opinione26 Mars 2024
    Nga Bernd Riegert: NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një katastrofë humanitare në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është...
    Të tjera
    Lajme28 Mars 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka folur për kandidaturën e tij dhe përballjen në zgjedhje me kryetarin e VV-së, Albin...
    Sport28 Mars 2024
    Florian Marku këmbëngul se Chris Kongo, kundërshtari i tij mbrëmjen e së dielës, ka bërë një gabim të madh. Kongo, pohon ai,...
    Lajme28 Mars 2024
    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas triumfit të jashtëzakonshëm të studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, të cilët...
    Lajme28 Mars 2024
    Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se asnjë qeveri s’ka mundësi që t’i kryej...
    Lajme28 Mars 2024
    Policia e Kosovës është bërë pjesë e Taskforcës së Përbashkët të Migracionit me autoritetet ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë dhe të Mbretërisë...
    Lajme28 Mars 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka folur në Kuvend të Kosovës për tenderët njëburimore. Opozita edhe gjatë seancës së fundit...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.