×
  • Opinione
  • Opinione

    Kur lajmet e mira ekonomike mund të mos jenë lajme të mira

    Martin Wolf
    05 Shkurt 2023

    Nga: Martin Wolf / The Financial Time

    A ka ardhur koha për të ngadalësuar shtrëngimin monetar apo madje për ta rikthyer atë. [Shtrëngimi zbatohet kur inflacioni rritet me shpejtësi. Në rastet e tilla, normat e interesit rriten nga banka qendrore dhe oferta monetare zvogëlohet]? Se përgjigja për këto pyetje është “po”, kjo pikëpamje po bëhet gjithnjë e më e zakonshme. Tregjet sigurisht se sillen sikur ditët e shtrëngimit tashmë janë të numëruara. Madje, mund të kenë të drejtë. Por, më e rëndësishmja, do të kenë të drejtë për të ardhmen e politikës monetare vetëm nëse ekonomitë rezultojnë të jenë dobëta. Sa më të forta të jenë ekonomitë, aq më i madh është shqetësimi i bankave qendrore se inflacioni nuk do të kthehet në një nivel të qëndrueshëm prej dy për qind dhe kështu politika afatgjate ka të ngjarë të qëndrojë e shtrënguar. Në esencë, atëherë mund të shpresohet se ekonomitë do të jenë të forta, politikat do të lehtësohen dhe inflacioni do të zhduket, që të gjitha këto në të njëjtën kohë. Por, kjo që është më e mira nga të gjitha botët e mundshme është larg asaj që është më e mundshme.

    Përditësimi i Perspektivës Ekonomike Botërore nga FMN-ja konfirmon një pikëpamje disi më optimiste për të ardhmen ekonomike. Veçanërisht, rritja ekonomike globale parashikohet në 3.2 për qind midis tremujorëve të katërt të vitit 2022 dhe 2023 – nga 1.9 për qind midis tremujorëve përkatës më 2021 dhe 2022. Kjo do të ishte nën mesataren 2000-‘19 me 3.8 për qind. Megjithatë, duke pasur parasysh goditjet e mëdha dhe rritjet e inflacionit, ky do të ishte rezultat i mirë.

    Inflacioni në 18 ekonomi të zhvilluara dhe në 17 ekonomi në zhvillim

    Vërtetë, rritja parashikohet me vetëm 1.1 për qind në vendet me të ardhura të larta gjatë së njëjtës periudhë, me 1 për qind në ShBA dhe vetëm 0.5 për qind në Eurozonë. Por, ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar është e vetmja në parashikimin e G7-shit që do të tkurret gjatë kësaj periudhe, me 0.5 për qind. Parashikimi për Mbretërinë e Bashkuar për vitin 2023 gjithashtu është ulur me 0.9 pikë të përqindjes. Konsiderojeni këtë si një nga ato “dividentet e Brexit-it”. Brexit-i është dhurata që vazhdon të japësh.

    Tipari i habitshëm i parashikimeve, megjithatë, është forca e vendeve drejt zhvillimit dhe atyre në zhvillim. Ekonomitë e tyre parashikohen të rriten me 5 për qind midis tremujorëve të katërt të vitit 2022 dhe 2023 (nga 2.5 për qind në periudhën paraprake), me Azinë drejt zhvillimit dhe në zhvillim që do të rritet me 6.2 për qind (nga 3.4 për qind), me Kinën në rritje me 5.9 për qind (nga 2.9 për qind) dhe me Indinë me rritje prej 7 për qind (nga 4.3 për qind). Kina dhe India madje parashikohet të gjenerojnë gjysmën e rritjes ekonomike globale të këtij viti. Nëse FMN-ja ka të drejtë, Azia fuqishëm është rikthyer.

    Inflacioni “bazik” (duke përjashtuar ushqimin dhe energjinë) në 18 ekonomi të përparuara dhe 17 ekonomi në zhvillim

    Rihapja e Kinës dhe rënia e çmimeve të energjisë në Evropë konsiderohen si një nga arsyet më të rëndësishme për perspektivat e përmirësimit. Inflacioni global parashikohet gjithashtu të bie nga 8.8 për qind më 2022 në 6.6 për qind më 2023 dhe 4.3 për qind më 2024. Kryeekonomisti i FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas, madje tha se viti 2023 “mund të paraqesë një pikë kthese”, me përmirësimin e kushteve në vitet në vijim. Mbi të gjitha, nuk ka asnjë shenjë të një recesioni global.

    Rreziqet mbeten të peshuara deri në rënie [lëvizje negative në çmimin e një letre me vlerë, në ndonjë sektor ose treg], thotë FMN. Por, rreziqet e pafavorshme [çdo rrezik me efekt negativ në zhvillimin] janë zbutur që nga tetori 2022. Nga ana e ngritjes, mund të ketë kërkesë më të fortë ose inflacion më të ulët se sa pritej. Nga ana rënies, ka rreziqe për rezultatet më të këqija shëndetësore në Kinë, përkeqësim të mprehtë të luftës në Ukrainë ose kriza financiare. Kësaj mund t’i shtohen pikat tjera të nxehta, jo vetëm Tajvani, por rreziku i një sulmi ndaj programit të armëve bërthamore të Iranit që do të shkaktonte bombardimin e fushave të naftës të Gjirit.

    Vlerësimi global ekonomik është paksa më i mirë se në tetorin 2022

    Disa mund të argumentojnë se po nënvlerësohen rreziqet negative ndaj rritjes në vendet me të ardhura të larta: konsumatorët mund të pakësohen pasi bien fondet që ata morën gjatë koronavirusit. Rreziku i kundërt, megjithatë, është se fuqia e ekonomive do të pengojë inflacionin që të bie shpejtë aty ku duhet. Inflacioni i lartë mund të ketë kaluar kulmin e vet. Por, siç vë në dukje FMN, “inflacioni themelor (bazik) nuk ka arritur ende kulmin në shumicën e ekonomive dhe mbetet shumë lartë – mbi nivelet para pandemisë”.

    Bankat qendrore përballen me një dilemë: a kanë bërë tashmë mjaftueshëm për të përmbushur objektivin e tyre dhe pritshmëritë për ankorim të inflacionit [zvogëlimi i pasigurisë me të cilën përballen firmat dhe familjet, duke i lejuar ata të planifikojnë më mirë të ardhmen dhe investimet afatgjata që çojnë në rritje]? Nëse Rezerva Federale do ta shikonte optimizmin e tregjeve, mund të arrinte në përfundimin se jo. Por, nëse do të shikonte parashikimet e fondit për rritjen e ShBA-së, mund të konkludonte të kundërtën. Këto mund të mos jenë shkatërrimtare, por janë të dobëta. E njëjta gjë vlen edhe për Bankën Qendrore Evropiane dhe, aq më tepër, për Bankën e Anglisë kur shikojnë ekonomitë e veta. Këto banka qendrore në mënyrë mjaft të arsyeshme mund të presin për të parë se sa të dobëta do të bëhen ekonomitë, përpara lëvizjeve në të ardhshmen. Në të vërtetë, Larry Summers, deri tani militant i Harvardit për masat më të rënda, rekomandon pikërisht pauzën e tillë.

    Tregjet parashikojnë lehtësim më të madh të normave të politikës monetare

    Fakti se ekonomia botërore duket pak më e fortë sesa pritej jo shumë kohë më parë, sigurisht se është gjë e mirë. Megjithatë, për bankat qendrore (dhe investitorët), kjo gjithashtu krijon vështirësi. Objektivi strategjik i të parëve në fund të fundit duhet të mbetet ai i kthimit të normës vjetore të inflacionit në dy për qind dhe, në këtë proces, ankorimi i qëndrueshëm i pritshmërive në atë nivel.

    Atëherë, dilema për bankat qendrore është nëse optimizmi më i madh i sotëm është në përputhje me arritjen e këtij qëllimi strategjik, ndërsa për investitorët është nëse këndvështrimi i implicit i tregjeve se si do ta shohin bankat qendrore këtë çështje del të jetë i saktë. Vështirësia analitike po tenton të zgjidhet, në një botë në të cilën ekziston një “lojë” ndërvepruese midis bankave qendrore dhe akterëve ekonomikë, nëse të parat kanë bërë mjaftueshëm për të ofruar ekonominë e nevojshme për të vendosur në cak inflacionin, më shumë apo më pak.

    Tregjet e bursës janë përforcuar nga rëniet

    Duke pasur parasysh pasigurinë, tani ekziston një rast i mirë për adoptimin e pozicionit të pritjes dhe rishikimit. Por, një çështje thelbësore është se në një botë me inflacion, lajmet e mira për aktivitetin ekonomik sot nuk janë domosdo lajm i mirë për politikën monetare dhe për aktivitetin e mëvonshëm, përveç nëse zbulon se shkëmbimi afatshkurtër midis prodhimit dhe inflacionit është gjithashtu i favorshëm. Nëse po, bankat qendrore mund të zbutin politikat më herët sesa pritej më parë. Nëse nuk është kështu, ato do të duhet të shtrëngohen më shumë sesa shpresohet tani. Për momentin, mund të shpresohet për rezultatin e mëparshëm. Por, është ende larg të qenit të sigurt.

    Petrol Company sërish troket në dyert e Shtëpisë së Pleqve për Ramazan
    Nga Rubrika
    Opinione28 Mars 2024
    Nga: Albert Prenkaj Situata e re e krijuar me inkursionin ushtarak rus në Ukrainë dhe mundësia e derdhjes së konfliktit në Ballkan...
    Opinione27 Mars 2024
    Nga Thomas Latschan: Sipas informacioneve të Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës (i cili kontrollohet nga Hamasi), pothuajse 32 mijë vetë...
    Opinione26 Mars 2024
    Nga Bernd Riegert: NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një katastrofë humanitare në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është...
    Të tjera
    Lajme28 Mars 2024
    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti lidhur me statistikat që ai ka publikuar sa i përket zhvillimit...
    Lajme28 Mars 2024
    Deputeti nga radhët e PDK-së, Ardian Kastrati është shprehur se ka me qindra kontrata një burimore ku qeveria ka vjedhur miliona, raporton...
    Sport28 Mars 2024
    Janë arrestuar nga Policia Federale të dyshuarit që kanë kërcënuar me vdekje familjen e Angel Di Maria-s në godinën ku ndër të...
    Lajme28 Mars 2024
    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku një person nga Kosova ka humbur jetën në vendin e punës. Rasti i...
    Vip28 Mars 2024
    Sara Hoxha është përfolur shumë kohëve të fundit. Kjo për arsye të aludimeve të ndarjes nga reperi i  njohur, Ledri Vula. Në...
    Ekonomi28 Mars 2024
    Rreth 88 milionë euro është vlera preliminare e dërgesave të mërgatës që janë sjell në Republikën e Kosovës për muajin shkurt 2024....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.