Nysrete Kumanova nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, ka marrë fjalën në seancën e Kuvendit e cila po mbahet me rastin e Ditës ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit, si dhe parandalimi i këtij krimi.
Nysrete Kumanova ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të votohet Ligji për të Pagjeturit, në mënyrë që ta ndjenjë dorën e shtetit të pavaruar.
Në fjalën e saj drejtuar deputetëve, Kumanova tha se familjet e të pagjeturve jetojnë që dy dekada në ankth, pritje, ethe, pikëllim e shpresë.
“U bënë 21 vjet duke kërkuar drejtësi dhe më në fund arrita të dal para jush që të ju bëjë thirrje të veproni sa më parë…Ndaloni turrin e Serbisë që të mos ndjehet e fituar me historinë e saj vrastare, ndër shekuj, e në luftën e vitit 1999, me mbi 13 mijë viktima”, tha Kumanova para deputëtëve, transmeton Gazeta Express.
Tutje ajo tha se familjet e të pagjeturve nuk patën përkrahje nga insititucionet vendore e ndërkombëtare.
Mes lotësh, ajo ju drejtua deputetëve që po presin fjalët dhe veprat e tyre për të denoncuar krimet serbe.
“Posti i deputetit është detyrë fisnike e jo profitabile”, tha ajo.
“A e dini sa prindër të pikëlluar kanë vdekur në pritje për një lajm për më të dashurit të tyre, sa nëna i kanë rritur fëmijët në varfëri”, vijon fjalimi i Kumanovës.
“Arban Abrashi na ka vënë në pozitë të vështirë, duke na lënë të zgjedhim mes pensionit të pleqërisë dhe ndihmës së shtetit”, shtoi ajo teksa përmendi, me emra edhe politikanët e tjerë të cilët nuk kanë bërë mjaftueshëm për familjet e personave të pagjetur.
Ajo e përmendi edhe zv/kryeministrin Driton Selmanaj, shkarkimin e të cilit e ka kërkuar pothuajse çdo ditë Kumanova para Kuvendit, pas deklaratës së tij për të pagjeturit.
“Driton Selmanaj kohë më parë e injoroi temën e të pagjeturve, duke e cilësuar si të konsumuar”, tha ajo ndër të tjera.