Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, i është përgjigjur deklaratës që kryeministri Albin Kurti kishte dhënë për televizionin publik, ku ky i fundit e kritikonte Gjykatën Kushtetuese duke thënë se nuk është apolitike, dhe duke i ftuar gjykatësit e kësaj gjykate që të garojë në zgjedhjet e ardhshme.
Caka-Nimani tha ekskluzivisht në Rubikon se është e rëndësishme të sqarohet se Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetenca vetanake për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve, transmeton klankosova.tv.
”Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje nga palët e autorizuara, të përcaktuara me Kushtetutë, Kushtetutë të cilën e ka miratuar Kuvendi i Republikës së Kosovës, në kontekst të ligjeve. Këto janë ligje që janë kontestuar në Gjykatë Kushtetuese nga palët e autorizuara, kur një kërkesë vije në Gjykatën Kushtetuese sipas përcaktimeve kushtetuese, sepse ka kritere të përcaktuara në ligj, sigurisht që Gjykata e ka për detyrë kushtetuese që të trajtojë çështjen që ka para saj dhe të nxjerrë verdiktin e saj”, tha Caka-Nimani në Rubikon të Klan Kosovës.