Herë njëri, e herë tjetri.
PDK-ja e LDK-ja zhvilluan “luftë” mes vete në zgjedhjet lokale të këtij viti në komunën e Dragashit.
Një pjesë e qytetareve që jetojnë jashtë shtetit është dashur të votojnë tre herë për të përcaktuar kryetarin e ardhshëm të komunës së tyre.
Në zgjedhjet e rregullta më 17 tetor qytetarët e kësaj komune nuk ia dolën ta zgjidhnin të parin e tyre, pasi që asnjëri prej kandidatëve nuk arriti të fitojë mbi 50% të votave, ashtu edhe sic parashihet me ligj.
Shaban Shabani i PDK-së, i cili qeverisi në këtë komunë nga viti 2017, dhe kundërkandidati i tij nga LDK-ja, Bexhet Xheladini do t’i nënshtroheshin edhe njëherë procesit zgjedhor për të marrë besimin e qytetarëve.
Balotazhi u caktua të mbahej më 14 nëntor në të gjitha ato komuna ku asnjëri prej kandidatëve nuk arriti të fitonte, e të cilat nuk ishin të pakta.
Me votat e rregullta fitues doli Shaban Shabani i PDK-së.
Por, rezultatin me numërimin e votave të diasporës, arriti ta përmbyste Bexhet Xheladini i LDK-së, shkruan Front Online.
Më 16 nëntor përfundoi edhe numërimi i votave të diasporës, ku Xheladini mori gjithsej 244 vota, ndërsa Shabani vetëm 54.
Por, maratona e këtyre zgjedhjeve në këtë komunë nuk përfundoi me kaq.
PDK-ja në asnjë formë nuk nuk pajtohej me humbjen.
Përfaqësuesit e këtij subjekti politik mendonin se votat e diasporës janë të manipuluara.
Ata kërkuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa(PZAP) të merreshin me këtë çështje.
Vlerësonin se votat janë të mbushura nga një dorë e vetme.
Më 19 nëntor PZAP-ja, vendosi që të anuloj në tërësi këto vota.
Nuk e lanë më gjatë.
E treta e vërteta
Por, Lidhja Demokratike e Kosovës menjëherë të nesërmen u ankua në Gjykatën Supreme lidhur me anulimin e votave të diasporës.
E, më 25 nëntor Gjykata Supreme vendosi që të përsëritet procesi i votimit nga jashtë për komunën e Dragashit.
“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që brenda Kornizës Ligjore në fuqi të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë, për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës së Dragashit”, thuhej në aktgjykim.
Pas vendimit të Supremes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim që periudha për përsëritjen e votimit përmes postës për rundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit të fillojë më 29 nëntor dhe të përfundojë më 13 dhjetor 2021.
Votat e diasporës bën përsëri që Bexhet Xheladini të korr fitore në këtë komunë, dhe ta mposht PDK-në e cila ishte në pushtet nga janari i vitit 2008.
Të drejtën për të votuar përmes postës e kishin vetëm votuesit të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021, të cilët janë një mijë e 90 persona.
E, për gjithë këtë rast, fitoren, anulimin e votave, rivotimin e diasporës, ka folur për Front Online, kryetari i ri i kësaj komune, Bexhet Xheladini.
Kryetari i Dragashit: Kur hyra në garë kam menduar që është më lehtë, nuk më doli ashtu
Kryetari i zgjedhur i komunës së Dragashit Bexhet Xhekadini një rrëfim për FrontOnline, tregon se nuk e ka menduar që hyrja në garë për të parin e komunës do të jetë kaq e vështirë.
Kjo, për shkak që siç thotë ai ka pasur lloj-lloj propaganda gjatë kësaj kohe.
“Kur i kam hy kësaj gare kam menduar se do ta kem më lehtë, megjithëse edhe në rundin e dytë edhe në rundin e parë me votat e diasporës kam dal fitues, por ishte pak vështire drejte me tregu sepse jemi ballafaqua me lloj-lloj si të them propagandash ata kanë qenë të përgatitur më shumë në këtë drejtim, kanë bërë propaganda të llojllojshme, kanë bë premtime të mëdha”, tha ai.
E, deri sa flet për gjithë procesin hedh edhe akuza ndaj PDK-së, për mashtrim ndaj qytetarëve për punësime, vetëm e vetëm për t’i votuar.
“Vetëm në fshatin tim kam dëgjuar se iu kanë premtuar shtatë personave që do t’i bëjnë roje pylli, a faktikisht rojet e pyllit nuk i cakton komuna dhe ato janë kompetencë e ministrive. Pastaj me programe të tjera të punës ka shtatë, tetë deri në dhjetë persona iu kanë premtu, kështu që ishte shumë vështirë, por megjithatë në fund ia dolëm fal votave vendore, por edhe ato të diasporës”, është shprehur Xheladini për FrontOnline
Ndërsa, deklaron se votat e diasporës kanë qenë vota pa interes.
“Vota e diasporës ka qenë votë pa interes, pra diaspora ka qenë shumë më vështirë me u shantazhu, shumë më vështirë me u mashtrua me premtime të kota, kështu që ata kanë shpreh vullnetin e tyre përmes votës së lirë sepse kanë qenë të bindur se në komunën tonë ka qenë e nevojshme të bëhet një ndryshim , edhe ata kanë votuar për ndryshim”, ka thënë ai.
E pranon Xheladini: Zgjedhja e kryetarit të Dragashit ka qenë e zorshme
Zgjedhja e kryetari të komunës së Dragashit ka qenë mjaftë e zorshme.
Kështu, thotë për FrontOnline, kryetari i kësaj komune nga radhët e LDK-së, Bexhet Xheladini.
Madje, thotë se nuk ka pritu që diaspora do të votojë edhe njëherë.
“Po, zgjedhja e kryetarit ka qenë mjaftë e zorshme. Unë nuk e kam prit që do të shkohet në rivotim, kam menduar se gjithçka do të përfundojë më rundin e dytë për arsye se edhe vendimi i PZAP-së, ka qenë një vendim skandaloz, vendim jo i bazuar në fakte dhe argumente, vendim i cili ka qenë i bazuar vetëm në kërkesat e PDK-së, dhe ua ka plotësua kërkesat dhe dëshirat e tyre për arsye se votat e diasporës kanë qenë të pastra si kristali dhe diaspora me tri herë radhazi e ka votuar më shumicë absolute të votave LDK-në”, ka deklaruar i pari i komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini.
Thotë se deri në ditën kur edhe ka përfunduar rezultati i votave të diasporës ka qenë mjaftë në stres, pasi gjatë kësaj kohe siç shprehet ai iu vinin lloj-lloj informacione kontradiktore.
Xheladini: Do të bashkëpunojë me PDK-në
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini në një rrëfim për FrontOnline, ka deklaruar se nuk e ka ndërmend t’i hakmerret PDK-së, siç thotë ai pavarësisht manipulimeve që kjo e fundit ka bërë gjatë gjithë procesit.
“Unë do të bashkëpunojë me PDK-në. Populli mua nuk më ka votuar me u hakmarrë, por më ka votuar që të bëj një ndryshim dhe këtë ndryshim do ta bëjmë ne bashkë me VV-në dhe me partitë tjera të pakicave dhe do ta instalojmë një pushtet demokratik, një pushtet ligjor, një pushtet i cili do ta ketë për bazë zhvillimin ekonomik dhe korrupsioni gjatë qeverisjes tonë do të jetë në nivelin zero”, ka thënë ai.
Rezultatet përfundimtare për të parin e Komunës së Dragashit u shpallën më 16 dhjetor.
Sipas këtyre rezultateve, kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini ka fituar 6,192 vota, apo 51.16%, 280 vota më shumë se kandidati i PDK-së, Shaban Shabani (5,912 vota, apo 48.84%)./ FrontOnline.