Lajme

Kryesindikalisti i shëndetësisë: Priten veprime të paparashikueshme nga Sindikatat!

Kryesindikalisti i shëndetësisë: Priten veprime të paparashikueshme nga Sindikatat!
17:13 | 05 Dhjetor 2019

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), Blerim Syla, ka paralajmëruar veprime, siç ka thënë ai, të paparashikueshme pas dërgimit të Ligjit për Paga në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i popullit, shkruan “Front Online”.

Syla ka thënë se qysh nga dita e nesërme do të mblidhen edhe me dy kryesuesit e sindikatës së Arsimit dhe atë të Policisë, për të marrë hapa të mëtutjeshme.

LEXO EDHE: Pas dërgimit në Kushtetuese të Ligjit për Pagat, SBASHK-u nuk përjashton grevat në arsim

Kryesindikalisti i shëndetësisë është shprehur i vendosur, se në lidhje me Ligjin për Paga, nuk do të ketë më fjalë, por siç thotë ai, nga nesër do të ketë vepra, duke aluduar edhe për grevën e përgjithshme të paralajmëruar ditë më parë.

“Sa i përket sektorit të shëndetësisë, prej nesër do të fillojmë të shikojmë legjitimitetin e sindikatave se në cilën ligj është bazuar ankesa e Avokatit të Popullit. Dhe nëse nga ajo sindikatë nuk ka legjitimitet  dhe nëse nuk e përfaqëson lëvizjen e punëtorëve, ne do të kërkojmë përgjegjësi juridike me të gjitha ligjet edhe nga Avokati i Popullit”, ka thënë Syla për portalin “FrontOnline”.

Ai ka treguar se janë koordinuar me SBAShK-un dhe Sindikatën e Policisë së Kosovës, që të këmbëngulin që sa më parë të implementohet Ligji për Paga.

“Në të njëjtën kohë duhet të kemi parasysh që unë përfaqësojë 14 mijë punëtorë vetëm të shëndetësisë. Se çfarë vendime do të marrim, janë të paparashikuara. Ne kemi mbajtur dje mbledhjen e Bordit të Drejtorëve në nivel të Republikës së Kosovës. Nga nesër që të tri sindikatat, shëndetësia, arsimi dhe sindikata e policisë së Kosovës do të mblidhen së bashku dhe do të marrin vendime të mëtutjeshme. Më fjalë nuk ka, ka vetëm vepra”, ka deklaruar Syla.

Përndyshe, gjatë ditës së sotme Avokati i Popullit ka njoftuar se ka pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik të parashtruara kundër Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, duke përfshirë këtu ankesat nga të punësuarit në shëndetësi, në arsim, në polici dhe në shërbimin civil.

“Avokati i Popullit ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, duke vlerësuar se vendosja e masës të përkohshme është e nevojshme për ta mbrojtur interesin publik dhe për të evituar dëme të pariparueshme që do të mund të shkaktoheshin me zbatimin e këtij ligji”, thuhet mes tjerash në njoftim. /FrontOnline/

Pas dërgimit në Kushtetuese të Ligjit për Pagat, SBASHK-u nuk përjashton grevat në arsim

Super zbritje në “Petrol Company”

Të tjera