[wp-story]

Lajme

Kosova drejt krizës për ujë të pijshëm

Kosova drejt krizës për ujë të pijshëm
16:38 | 13 Janar 2020

Për shkak të mungesës së reshjeve atmosferike, përveç komunës së Gjilanit, edhe qytetarët e Prishtinës dhe rrethinës, mund të ballafaqohen me krizë të ujit të pijshëm, thonë zyrtarët e Ujësjellësit Rajonal Prishtina.

Sipas autoriteteve kompetente në Prishtinë, aktualisht ka rënie të nivelit të ujit në liqenet e Badovcit dhe Batllavës, prej të cilave sigurohet uji i pijshëm për më shumë se 140 mijë konsumatorë.

Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” është ndërmarrja më e madhe e furnizimit më ujë të pijes në Republikën e Kosovës, nga e cila furnizohen me ujë tetë komuna të Kosovës, përfshirë kryeqytetin Prishtinën.

Kryeshefi ekzekutiv i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” Ilir Abdullahu në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se nëse vazhdon mungesa e reshjeve, në ditët e ardhshme kompania do të fillojë të zbatojë masat e reduktimit.

“Nëse nuk ka reshje, rezerva të ujit ka për gjashtë ose shtatë muajt e ardhshëm. Kemi minus rreth 10 metra ujë të pijes në të dy liqenet Batllavë dhe Badovc. Siç po shihet edhe gjatë kësaj jave mundësitë e reshjeve nuk janë, kështu që ne po futemi në një krizë të ujit në të ardhmen”, tha Abdullahu.

“Edhe pse deri më tani ne kemi mbajtur një furnizim me ujë për 24 orë, tashmë jemi në përpilim të një plani për fillimin e reduktimeve, aty ku mundësitë teknike ekzistojnë, në mënyrë që të menaxhohen nivelet e ujit që tani për tani i kemi”, tha Abdullahu.

Edhe në Shoqatën e Ujësjellësve të Kosovës (SHUKOS), pohojnë se mungesa e reshjeve atmosferike, ka ndikuar në zvogëlimin e sasisë së ujit në nivel vendi, por gjendje më e rëndë, sipas kësaj shoqate, paraqitet të jenë në Komunën e Gjilanit.

Komuna e Gjilanit që nga mesi i vitit të kaluar është duke u ballafaquar me mungesë të madhe të rezervave të ujit. Në këtë komunë tashmë janë duke u zbatuar reduktimet.

“Petrol Company” në natën e “Kurban Bajramit” e bën me shtëpi të re familjen nga Skenderaj

Të tjera