×
  • Opinione
  • Opinione

    Kosova adoleshente, e keqja e vetes

    FrontOnline
    25 Gusht 2021

    Çfarë e motivon sjelljen e shteteve në marrëdhëniet ndërkombetare? Rryma të ndryshme teorike i japin shpjegime të ndryshme kësaj pyetjeje, duke e pasur në qëndër të vëmendjes para së gjithash nevojën e shteteve për siguri fizike.

    Shkolla realiste e ka si pikënisje një botëkuptim krejt të zymtë mbi natyrën njerëzore. Sipas realistëve, gjendja e konfliktit mes shteteve është një ligj i natyrës – prandaj çdo shtet duhet të niset nga premisa se është fizikisht i kërcënuar dhe në garë të përhershme me të tjerët. Si rrjedhojë, shtetet ndodhen në një cikël të pafund përpjekjesh për mbrojtje, apo edhe për hegjemoni dhe dominim në funksion të mbrojtjes (sipas logjikës: „ nëse nuk e bëj unë, do ta bëjë tjetri!“).

    Shkolla liberale në anën tjetër është më idealiste dhe niset nga një botëkuptim më pozitiv mbi natyrën njerëzore. Ajo e sheh botën si një arenë ku shtetet arrijnë t‘i shohin interesat e përbashkëta, të aspirojnë për vlera universale dhe të bashkëpunojnë përmes institucioneve shumë palëshe, si mënyrë për të arritur siguri dhe paqe.

    Këto dhe teori të tjera, sado që dallojnë në përqasjet ideologjike, megjithatë e supozojnë njëfarë racionaliteti të shteteve në përcaktimin dhe ndjekjen e interesave të tyre. Ato pretendojnë se shtetet në fund të fundit veprojnë në mënyrë relativisht të parashikueshme dhe të shpjegueshme.

    Çështja është se shkencat shoqërore moderne, përfshirë ato të studimeve marrëdhënieve ndërkombëtare, përgjithësisht vuajnë nga një mbivlerësim i racionalitetittë njeriut – e me këtë edhe të shteteve si zgjatime të njerëzve.

    Një shkollë më e re teorike e marrëdhënieve ndërkombëtare, e cila i merr parasysh dimensionet iracionale dhe psikologjike të sjelljes njerëzore, argumenton se shtetet si prodhime kolektive të njerëzve nuk synojnë vetëm siguri fizike, por edhe diçka që quhet „siguri ontologjike“ – ndjekja e së cilës në fakt shpesh bie ndesh me synimin për siguri fizike.

    Siguria ontologjike ka të bëjë me nevojën e shteteve për të qenë mendërisht në paqe me veten; për të pasur përgjigje dhe qartësi në çështjet themelore si ekzistenca, jetëgjatësia, raportet me të tjerët – pra nevojën për njëfarë autobiografie, boshti dhe identiteti të qëndrueshëm të shtetit.

    Sipas kësaj shkolle të mendimit, njëlloj si individët, edhe shtetet ndihen ontologjikisht të pasigurta kur përballen me rrethana të cilat e kërcënojnë rendin psikologjik të gjërave dhe vazhdimësinë e këtij narracioni mbi veten.

    Politika ndërkombëtare e Serbisë në raport me Kosovën është një shembill tipik i iracionalitetit shtetëror të shkaktuar nga pasiguria ontologjike. Ky është argumenti i një libri të botuar së fundmi nga profesori i politikave të sigurisë në Universitetin e Beogradit, Filip Ejdus. Autori vë theks të veçantë në periudhën prej Millosheviçit (kur Serbia shkoi deri aty sa u bombardua nga NATO) e deri më sot kur Serbia vazhdon të mos e pranojë realitetin e pavarësisë së Kosovës (me koston e raporteve të vështira me perëndimin).

    Duke e gjurmuar historinë dhe evolucionin e prodhimit të mitit serb mbi Kosovën, Ejdus argumenton se nacionalizmi serb e ka ngujuar tepër thellë në shoqëri idenë mbi Kosovën si „djep të Serbisë“. Ideja e shkëputjes së Kosovës prodhon ankth aq ekzistencial në idenë (autobiografinë) që Serbia e ka prodhuar për vetëveten, saqë Serbia mbetet e paaftë të diskutojë racionalisht për këtë temë, madje tregohet e gatshme të paguajë kosto të mëdha dhe vetëshkatërruese.

    Leximi i librit të Ejdus, përveçse më shërbeu si hyrje në teorinë e sigurisë ontologjike (për të cilën më parë s‘kisha dëgjuar), ma dhuroi edhe një kornizë teorike të dobishme për të reflektuar mbi iracionalitetin e politikës e jashtme të Kosovës në vitet e fundit, i cili buron prej një pasigurie të ngjashme ontologjike të shtetit të papërfunduar.

    Në përpjekjet për ta konsoliduar shtetësinë, edhe ne jemi ngujuar në një farë narracioni ilozor të vitit 1999 – më konkretisht, në bindjen miope se mjafton t‘ua përkujtojmë aleatëve tanë se kauza jonë për pavarësi është e drejtë, apo se ne jemi viktima (të një lufte të cilën bota e ka harruar). Ndërkohë, rendi ndërkombëtar (ku fuqia vlen më shumë se nocioni abstrakt i drejtësisë) ka pësuar aq shumë ndryshime favorizuese për Serbinë, sa që nuk duhet të habitemi nëse prapakthimi i viteve të fundit me çnjohjet apo idetë për korrigjime kufijsh mund të jetë vetëm dushi i parë i ftohtë që do të na shemb iluzionet.

    Me këtë realitet të ri në sfond, politika e jashtme e Kosovës viteve të fundit u tregua skajshmërisht iracionale dhe e papjekurkur teksa përballej me idetë e aleatëve dhe bashkëhisedarëve të shtetësisë për ta përmbyllur çeshtjen me Serbinë, apo për ta siguruar afrimin tonë me BE-në dhe NATO-n. Rrahjet e gjoksit dhe diskursi sovranist/populist bënë që politika e jashtme me momente të rrëshqiste në momente të pastra histerie. Kjo histeri ishte produkt kryesisht i betejave të brendshme politike që e verbuan opinionin publik ndaj ndryshimit të realitetit ndërkombëtar, dhe që reduktuan gjithçka te interesat e aktorëve të brendshëm.

    Por ky iracionalitet në debatet publike (mbi demarkacionin me Malin e Zi, mbi Asociacionin, mbi korrigjimin e kufijve) – i cili e konfrontoi Kosovën me të gjithë aleatët, madje edhe me Shqipërinë –nuk ishte aspak produkt i ndonjë strategjie të mirëmenduar, por thjesht shpërthim iracional që buronte nga pasiguri të thella ontologjike.

    Kosova prej vitesh është në një gjendje trazimi identitar. Ajo akoma nuk e ka shëruar traumën dhe përçarjen e brendshme nga përvoja ish-Jugosllavisë; mbetet e turbulluar nga dimensionet identitare të pakos së Ahtisaarit; e mbërthyer në ankth nga çështja e identitetit kombëtar dhe raportet me Shqipërinë. Mbi të gjitha, Kosova mbetet ontologjikisht e pasigurt për shkak të varësisë nga perëndimi dhe trauma post-koloniale e „desubjektivizimit“.

    Shteti i Kosovës i ngjan një adoleshenti thellësisht të pasigurt për identitetin dhe kufijtë e lirisë së tij. Si rrjedhojë, në përpjekje për t‘ia dëshmuar të tjerëve në familje (por edhe vetes) pavarësinë dhe subjektivitetin, kalon në esktremin tjetër me sjellje histerike dhe arrogante, duke e mbivlerësuar fuqinë e vet reale. Diskursi ekstrem sovranist dhe populist gjen mbështetje pikërisht për shkak të pasigurisë për realitetin e sovranitetit, dhe ironikisht e konfirmon kufizimin e tij.

    Nevoja e madhe të cilën disa e ndjejnë për „t‘ia treguar vendin“ Amerikës apo edhe Shqipërisë – për ta mbrojtur sovranitetin dhe subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit nga armiqë të vërtetë e të sajuar – buron nga nevoja e tyre për ta bindur para së gjithash veten se Kosova është shtet. Efekti i prodhuar në sytë e të tjerëve është mjaft komik.

    Problemi me qasjen adoleshente dhe sovraniste në marrëdhëniet ndërkombëtare është fakti se Kosova mbetet projekt i papërfunduar, dhe se në këtë rrugëtim duhet të jetë e vetëdijshme për fuqinë e vet reale për t‘i shtyrë gjërat përpara e vetme. E fuqia reale e Kosovës po del gjithmonë e më shumë në pah. Kosova është gjeostrategjikisht tepër e parëndësishme për aleatët – gjithsesi më pak e rëndësishme se Serbia e cila me strategji të mirëmenduar po kthehet në partneren e tyre kryesore në rajon.

    Mbi të gjitha, fuqia e Kosovës zbehet nga fakti se ajo nuk është aspak partnere e besueshme dhe e qëndrueshme, përkundër retorikës pro-perëndimore. Për shkak të paaftësisë për të prodhuar stabilitet dhe zhvillim, por edhe për shkak të kapaciteteve të mangëta për shtetndërtim, Kosova sot më shumë është kthyer në një barrë për aleatët se një aset. Aleancat maten me vepra, dhe jo me fjalë të ëmbla, me vendosje të statujave të liderëve perëndimor, dhe me deklarime të orientimeve pro-perëndimore në anketa.

    Me iluzionet dhe pasiguritë e veta të thella adoleshente, Kosova nuk është as aleat i vetes – ajo është e keqja më e madhe e vetes.

    Artani: Stresi e Andi u gëzuan për ndarjen e Julit, s’duhet t’iu gëzohesh fatkeqësive të të tjerëve (VIDEO)
    Nga Rubrika
    Opinione26 Mars 2024
    Nga Bernd Riegert: NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një katastrofë humanitare në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është...
    Opinione25 Mars 2024
    Shkruan: Blerim Shala  Poqëse këtë të diel, (pra, më 24 mars, 2024) do të bëhej një anketë e improvizuar me qytetarët e...
    Opinione24 Mars 2024
    Nga Majlinda Bregu: Ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor punojnë për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në lidhje me krijimin e Tregut të...
    Të tjera
    Bota/Rajoni28 Mars 2024
    Ka ndërruar jetë sot në moshën 82-vjeçare ish-senatori amerikan, Joe Lieberman, i cili para gati dy dekadave kishte vizituar Kosovën. Ai ishte...
    Lajme27 Mars 2024
    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka treguar se fondi për blerjen e sistemit anti-tank “Javelin”, është fond shtesë i ndarë nga qeveria....
    Bota/Rajoni27 Mars 2024
    Votimi kundër raportit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nga përfaqësuesja e Malit të Zi në Komisionin e Asamblesë Parlamentare...
    Lajme27 Mars 2024
    Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka shprehur qëndrimin e tij se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) duhet të bëhet pa...
    Lajme27 Mars 2024
    Drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, ka deklaruar se janë në dijeni se grupet kriminale serbe po përgatiten dhe trajnohen në...
    Lajme27 Mars 2024
    Për të enjten parashikohet fillimisht të kemi parakalimin e sistemit frontal gjatë orëve të para të 24-orëshit e deri në mëngjes, me...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.