×
  • Lajme
  • Lajme

    Kontesti i Deçanit me Manastirin, si i propozoi Martti Ahtisaari zonat e mbrojtura

    FrontOnline
    19 Gusht 2020

    Manastiri i Deçanit ka gëzuar gjithnjë vëmendje të veçantë, madje edhe në nivel ndërkombëtar. Joe Biden diku rreth vitit 2005 i kishte kërkuar Ramush Haradinajt ta mbrojë këtë objekt, ndërsa si nënpresident kishte shkuar personalisht për ta vizituar. Por, 15 vjet më vonë janë rishfaqur mosmarrëveshje në Deçan. Igumeni Sava Janjiq po kundërshton ndërtimin e rrugës përskaj Manastirit, që ndodhet në zonën e mbrojtur, ndërkohë që Komuna nuk po i ndalë punimet në rrugën Deçan – Plavë. Por, cila është historia e zonave të mbrojtura dhe mosmarrëveshjeve atje.

    Fundjava ka kthyer historinë e kontestit të Manastirit të Deçanit me autoritetet e komunës, duke e bërë një nga top temat në vend. Komuna e vogël e Deçanit vazhdon të refuzojë t’ia njohë Manastirit “kompetencën” që e ka të garantuar nga legjislacioni në Kosovë.

    Në prill të vitit 2007, Emisari Special i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, doli me propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës

    Në pikat përmbledhëse të propozimit të Ahtisaarit, që njihet si pakoja e Ahtisaarit, është edhe çështja e Zonave të Mbrojtura, që është rikthyer edhe njëherë si temë, për shkak të punimeve të rrugës Deçan – Plavë.

    Zonat e Mbrojtura që në masë të madhe ishin edhe si rezultat i ngjarjeve të marsit të vitit 2004, dhe në përgjithësi statusi i komuniteteve, do t’ia bënin më të lehtë finlandezit Ahtisaari ta arsyetojë para Këshillit të Sigurimit pavarësinë e Kosovës.

    E në Zonat e Mbrojtura do të futeshin të gjithë rrjetet fetare e kulturore serbe, me të drejta të pronës, lirim nga taksat e detyrimet e tjera dhe mbajtjen e lidhjes me Kishen Ortodokse Serbe.

    “Trashëgimia fetare dhe kulturore – Plani vendos dispozita për mbrojtjen e Kishave Ortodokse në Kosovë. Me shume se 40 zona fetare dhe kulturore do te jenë Zona të Mbrojtura, në mënyrë që dinjiteti i tyre te ruhet. Kishës Ortodokse Serbe do t’i jepen të drejtat e pronës, do të lirohen nga taksat dhe detyrimet doganore dhe do të jenë të lirë të mbajnë lidhje me Kishën Ortodokse Serbe në Beograd”, thuhej në propozimin e Ahtisaarit.

    Kjo pikë tash ekziston edhe si ligj në Kosovë, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në qershor të vitit 2008.

    Qëllimi i ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura ishte që t të sigurojë mbrojtjen e Manastireve Ortodokse Serbe, Kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturorë të një rëndësie të veçantë për Komunitetin Serb si dhe për komunitetet e tjera në Republikën e Kosovës, nëpërmjet themelimit të Zonave të Veçanta të Mbrojtura.

    E pikërisht zonat e mbrojtura pjesë e të cilave është edhe Manastiri i Deçanit, është rikthyer në kontest mes Komunës së Deçanit dhe Manastirit të Deçanit, pasi e para dëshiron që të vazhdojnë punimet e rrugës Deçan – Plavë, e Manastiri po i kundërshton, pasi konsideron se është në “tokën e mbrojtur”.

    Kryepeshkopi Sava Janjic, që parimisht nuk e njeh Kosovën shtet, thotë se duke u ndërruar kjo rrugë në mes të pronës së Manastirit, shkelet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.

    Janjiq thirret në ligjin për Zonat e Mbrojtura, neni 5 i të cilës thotë se, ndër të tjera, si aktivitet i ndaluar brenda zonave të veçanta janë edhe rrugët tranzite në zonat rurale. Madje ai ka publikuar edhe një dokument ku thoë se në vitin 2014 edhe Kryeministri i atëhershëm i Kosovës ishte pajtuar që rruga drejtë Plavës të kalojë nëpër një korridor tjetër jashtë Zonës së Mbrojtur.

    Çështja e objekteve fetare serbe ishte diskutuar në negociatat e Vjenës, e Kosova ka pasur Ylber Hysën si të emëruar të veçantë për këtë temë.

    Hysa, tash ambasador i Kosovës në Mal të Zi, nuk ka qenë i qasshëm, por një tjetër pjesëmarrës në negociata i ka thënë Expressit se çështja e Zonave të Mbrojtura është përcaktuar nga UNMIK.

    Publicisti Shkëlzen Maliqi thotë se pala serbe gjatë negociatave me Kosovën dëshironte të nxirrte eksterritorialiteti, e Kosova përfundoi me “Zona të Mbrojtura”, si zgjidhje e rekomanduar edhe nga ndërkombëtarët që i ndërmjetësonin negociatat.

    “E di se kjo ka qenë njëra prej çështjeve ku Serbia është munduar ta nxjerrë solucionin e eksterritorialitetit, ne bazë të të qenit objekte kulti që kisha ortodokse serbe i ka shfrytëzuar si të vetat me shekuj edhe ne Perandorinë Osmane, kështu që pala kosovare ne negociata edhe me sugjerime të ndërkombëtareve, kanë gjetur një solucion të tillë “zona të mbrojtura” në kuadër të shtetit të Kosovës”.

    Sipas Maliqit “Zona e Mbrojtur nuk është as autonomi, assesi autonomi apo status special, por thjesht zonë e kujdesit të veçantë të shtetit të Kosovës, që afër këtyre objekteve të mos ndërtohet ose bëhen intervenime të ndryshme që tjetërsojnë ose pengojnë funksionet perimetrat e kultit dhe mbrojtjes se trashëgimisë”.

    Maliqi thotë se statusin për Zonat e Mbrojtura, pala serbe po e shfrytëzon për t’i penguar ndërtimet e rrugës për në Plavë.

    “Pala serbe interpreton këtë status në mënyrë ekstensive dhe në tentativë si një lloj të drejte për ta ndaluar edhe ndërtimin e rrugës”, ka thënë Maliqi, duke shtuar se “kjo çështje nëse ka pasur elemente “rrezikshmërie’  ka mundur te negociohet, dhe ende mund te behet kjo, me qetësi, ekspertiza dhe pa dramatizime. Manastireve, me sa i kam vizituar unë, nuk u pengon që të jenë afër akseve të rrugëve, përkundrazi, ato kane përfitime nga vizitoret fetare dhe turistet.

    Kryetar i Deçanit, Bashkim Ramosaj, po këmbëngul që punimet e rrugës të vazhdojnë me doemos. Ai në paraqitjet e tij mediale ditëve të fundit ka thënë se institucionet duhet të gjejnë zgjidhje, duke përmendur si opsion shfuqizimin e ligjeve që i rregullojnë Zonat e Mbrojtura.

    Juristi Ehat Miftaraj thotë se të drejtat për komunitetet dhe rrjetet kulturore e fetare të tyre janë marrë përsipër nga Kosova gjatë procesit të shpalljes së pavarësisë. Plus që, ligjet që kanë dalë nga këto zotime, kërkojnë votat e dy të tretave të deputetëve shqiptarë dhe votat e dy të tretave të deputetëve të minoriteteve.

    “Republika e Kosovës gjatë procesit të shpalljes së pavarësisë në koordinim dhe bashkëpunim me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë ka marr përsipër obligime ndërkombëtare kur përfshihen promovimi i të drejtave dhe lirive të komuniteteve jo shumicë në Kosovë, përfshire njohjen e zonave të mbrojtura ku lidhet kryesisht edhe me kishat serbe në Kosovë. Këto obligime  ndërkombëtare takime janë pjesë e legjislacionit pozitiv në Kosovë dhe shfuqizimi i këtij legjislacioni përveç që kërkon votat e shumicës shqiptare në Kuvendin e Kosovës, kërkon poashtu edhe 2/3  e votave të minoriteteve”, ka thënë Miftaraj për Express.

    Kontesti mes komunës e manastirit në Perëndim të Kosovës është i moçëm, e ka vazhduar me intensitet të shtuar në katër vitet e fundit. Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit në mbi 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

    Sava Janjiq, në emër të Manastirit të Decanit, në vitin 2015 ishte ankuar në Kushtetuese dy vendime, sipas të cilave, pronat prej 24 hektarësh tokë që i ishin dhuruar Manastirit të Deçanit me një marrëveshje të Qeverisë së Serbisë dhe këtij manastiri në vitin 1997, lidheshin me ish-Agjencinë e Mirëbesimit dhe pasardhësen e saj, Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte aprovuar ankesën e Manastirit të Deçanit, duke ia njohur të drejtën për ato 24 hektarë. Nga ky vendim pasuan protesta të banorëve të Deçanit kundër këtij vendimi.

    Manastiri i Deçanit është zonë e Mbrojtur nga UNESCO. /Express

    Vlera Devolli bashkë me liderin e CDU-së në promovimin e Sara Rosner
    Nga Rubrika
    Lajme24 Prill 2024
    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë e Serbia do të tentojë sërish të destabilizojë Kosovën. Sipas saj, përpjekjet e Serbisë për...
    Lajme24 Prill 2024
    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot mbush 56 vjet. Edhe kjo ditëlindje Thaçin e gjen në Hagë ku po akuzohet për krime...
    Kronika24 Prill 2024
    Në Qendrën Korrektuese në Dubravë është arrestuar e dyshuara femër pasi ka tentuar të fusë brenda burgut një sasi të substancës së...
    Të tjera
    Vip24 Prill 2024
    Françeska është një nga banoret me të përfolura në ‘Big Brother VIP Albania’ për arsye të dinamikave që ajo krijon në shtëpi....
    Sport24 Prill 2024
    Arsenali e ka mposhtur me rezultat të thellë prej 5-0 Chelsean në “Emirates”. Serinë e golave e hapi Trossard në minutën e...
    Sport24 Prill 2024
    Dallas Mavericks e ka mposhtur Los Angeles Clippers me rezultat të ngushtë 96-93 në kuadër të 1/8 së finales së playoff-it në...
    Sport24 Prill 2024
    Arsenali shënoi fitore të thellë ndaj Chelseat, me rezultat 5-0, në mbrëmjen e së hënës. Megjithatë, trajneri i të Kaltërve, Mauricio Pochettino...
    Kronika24 Prill 2024
    Është arrestuar një burrë ne Rahovec, pasi i njëjti ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj gruas me të cilën bashkëjeton që...
    Lajme24 Prill 2024
    Lidhur deklaratën e Ramush Haradinajt për gatishmërinë e tij për koalicion, Betim Gjoshi nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës tha për...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.