Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka folur sot për sulmet ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës.
Ai tha se sulmet e tilla në veri të Kosovës kanë për qëllim ta destabilizojnë Kosovën. Krejt kjo sipas tij që invazioni rus mbi Ukrainën të shpërndahet edhe në pjesë tjera të Evropës.
Sipas tij, këto sulme mbi Policinë e Kosovës janë interes i presidentit rus, Vladimir Putin që ta shpërndajë konfliktin edhe nëpër vende të tjera.
Këto komente kryeparlamentari Konjufca i bëri sot pas tubimit për nderimin e të rënëve në luftën e fundit në fshatin Dyz të Podujevës.
“Pra, këto sulme që po ndodhin mbi Policinë e Kosovës edhe po tregojnë se sa Serbia është e varur nga Rusia, meqenëse këto sulme unë nuk i interpretoj tjetër përveç sesi të motivuara që konflikti të shpërndahet edhe nëpër pjesë tjera të Evropës, ashtu që invazioni rus mbi Ukrainën të mos e ketë vëmendjen e botës demokratike, të BE-së dhe SHBA-ve. Kështu që është interes i Putinit që me shpërnda konfliktin edhe nëpër vende të tjera dhe sulmet mbi Policinë e Kosovës unë i interpretoj mbi këtë motivacion që të shpërthejë lufta dhe destabilizimi edhe në pjesët tjera të Evropës”, theksoi Konjufca.