×
  • Kronika
  • Kronika

    Konfirmohet aktakuza ndaj dy të akuzuarve për krime lufte në Nerodime të Epërme në Ferizaj

    FrontOnline
    19 Qershor 2020

    Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve për krime lufte ndaj popullatës civile, Zlatan Kristiq dhe Destan Shabanaj.

    Më këtë rast, Apeli e ka refuzuar ankesën e avokatit mbrojtës, Dejan Vasiq dhe e ka lënë në fuqi aktvendimin e nxjerrë nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, të marr me 16 mars 2020, me të cilin ishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSKR).

    Në vendimin e ka siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabazuara pretendimet ankimore të mbrojtësit të të akuzuarit Kristiq, me të cilën ishte kërkuar hedhja e aktit akuzues.

    “Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet e mësipërme ankimore nuk janë të bazuara, për shkak se gjykata e shkallës së parë me aktvendimin e atakuar është kujdesur sipas thënieve nga kundërshtimet, që të vlerësoj dhe në mënyrë të drejtë ka dhënë arsye të mjaftueshme se aktakuza e ngritur nga PSRK-ja më datë 30 dhjetor 2019, sipas gjendjes faktike nga aktakuza, dëshmohet se ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale me të cilën akuzohet”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Bazuar në vendimin e Apelit, rezulton se gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar drejtë se nga gjendja e përshkruar faktike, ekzistojnë prova që mbështesin dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer veprën që i ngarkohet.

    “Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë në aktvendimin e kundërshtuar ka dhënë në mënyrë të zgjeruar arsye lidhur me provat e kundërshtuara dhe drejtë ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme dhe të pranueshme në aspektin ligjor, se nga gjendja e përshkruar e fakteve, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Dyshimi i bazuar mirë, në këtë fazë të procedurës vërtetohet nga dëshmitar-të dëmtuar, pastaj provat materiale etj.”, thuhet në vendim.

    Tutje, sipas këtij vendimi, Apeli ka vlerësuar se provat e prezantuara në aktakuzë nuk janë të kundërshtim me dispozitat e kodit të procedurës penale dhe se ato janë siguruar në mënyrë ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Po ashtu, provat nuk janë në kundërshtim me nenin 249 par.5 të KPPRK-së dhe se të gjitha provat e prezantuara në aktakuzë janë siguruar në mënyrë ligjore dhe se çdo provë e cila gjendet në shkresat e lëndës tregon një dyshim të bazuar mirë se në veprimet e të pandehurit të përshkruara në aktakuzë ekzistojnë elementet e veprës penale për të cilën akuzohet. Në këtë drejtim, pretendimi i mbrojtësit se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale, sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, janë të pabazuara”, thuhet në vendimin e kësaj gjykate.

    Në fund, Apeli e ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë me refuzimin e kërkesave të mbrojtësit për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, pasi nuk janë plotësuar kushtet e nevojshme ligjore.

    “Andaj, nga të lartcekurat kjo Gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, pasi që nuk janë plotësuar kushtet ligjore për hedhjen e aktakuzës të parapara me nenin 253 të KPPRK-së, si dhe nuk janë plotësuar kushtet nga neni 249 par.1 të KPPRK-së, për shpalljen e provave apo ndonjë prove të papranueshme”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

    Ndryshe, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, me aktvendimin e nxjerrë më 16 mars 2020, kishte refuzuar kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të paraqitura nga mbrojtësi i të akuzuarit Zlatan Kristiq, avokati Dejan Vasiq.

    Kundër këtij vendimi të nxjerrë nga gjykata e shkallës së parë, ankesë kishte paraqitur avokati Dejan Vasiq, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

    Në ankesën e ushtruar në Gjykatën e Apelit nga avokati Vasiq kërkohej aprovimi i kësaj ankese si e bazuar, ndryshimi i aktvendimit të ankimuar dhe refuzimi i aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja.

    Ndryshe, më 20 janar 2020, dy të akuzuarit për krime lufte ndaj popullatës civile, Zlatan Kristiq dhe Destan Shabanaj, në seancën fillestare të mbajtur më 20 janar 2020, ishin deklaruar të pafajshëm për veprat që u ngarkoheshin.

    Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 dhjetor 2019, i akuzuari Kristiq, më 26 mars 1999, rreth orës 22:00, në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizaj, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serb, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije e qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë direkte në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes Nuhaj që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur.

    Gjithnjë sipas aktit akuzues, i njëjti gjatë këtij aksioni në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, fillimisht me mjete motorike ushtarake dhe policore, ka hyrë në oborrin e shtëpisë së Osman Nuhës, e pastaj nën krisma të armëve dhe britmave në gjuhën serbe, rrëmbyeshëm dhe me formë kanë hyrë brenda në shtëpi, ku ishin të strehuar 19 anëtarët e kësaj familje, në mesin e tyre fëmijë, gra e burra.

    Pastaj, thuhet se i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë të cilët u përkisnin forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, ka marrë pjesë në cenimin e rëndë të personalitetit dhe dinjitetit të pjesëtarëve të kësaj familje, ngase me forcë nën kërcënimin e armëve, duke ndjellë frikë për jetën e tyre, i kanë nxjerrë dhunshëm nga shtëpia dhe duke i trajtuar në mënyrë jo humane i kanë rreshtuar në oborr para shtëpisë duke i mbajtur nën frikë dhe presion për një kohë të gjatë.

    Tutje, thuhet se në vazhdim derisa personat civil të familjes Nuha, ishin të rreshtuar në oborr, në prezencën e tyre, i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë, ka marrë pjesë në shkatërrimin e paligjshëm dhe qëllimshëm të pasurisë së kësaj familje, djegien e shtëpive, kafshëve, ushqimin e kafshëve dhe gjithë pasurinë që gjendej në oborr, pasuri kjo që nuk justifikohej me nevoja ushtarake.

    Pastaj, sipas akuzës, i pandehuri në të njëjtën kohë ka marrë pjesë edhe në dëbimin e 15 anëtarëve të kësaj familje, të cilët paraprakisht ishin të rreshtuar në oborr, ku në bashkëveprim edhe me kryerës tjetër, nën kërcënimin e armëve i kanë urdhëruar të shpërngulen nga vendbanimi i tyre duke i dëbuar me forcë në drejtim të panjohur.

    Tutje, thuhet se i pandehuri ka marrë pjesë në marrjen peng të katër personave të kësaj familje, i cili duke vepruar në bashkëveprim me kryerës tjerë, fillimisht i ka ndarë nga pjesëtarë tjerë të familjes, personat Osman, Bajram, Agron dhe Brahim Nuha, tani të ndjerë. Pas marrjes të tyre, thuhet se thelbësisht ka kontribuar në trajtimin mizor të tyre, duke i maltretuar, torturuar, gjymtuar dhe përfundimisht vrarë me armë zjarri, kufomat e të cilëve me qëllim të fshehjes së krimit i kanë hedhur për skaj rrugës magjistrale Prishtinë – Ferizaj, konkretisht në fshatin Babush.

    Për këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së, të paraparë edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventae të Gjenevës nga neni 146, paragrafi 1 dhe 2 , nënpargrafi 2.1,2.2 dhe 2.3 të KPRK-së, ndërlidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Kurse, i pandehuri Destan Shabanaj, sipas aktakuzës, më 1 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pajetë, viktimave Osman Nuha, Brahim Nuha, Agron Nuha dhe Ismet Ramadani, ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

    Sipas akuzës, në një njëjtën ditë, sipas urdhrit të të pandehurit dhe pjesëtarëve tjerë policorë, trupat e pajetë të viktimave të cekura si më larë, përmes personave Halim Krasniqi, Ismet Asimi dhe një personi tjetër i quajtur “Rada”, me kamionin e tipit “FAP”, me ngjyrë të verdhë janë tërhequr nga Morgu i Prishtinës, ende pa u bërë autopsia dhe janë dërguar në afërsi të varrezave të qytetit të Ferizajt të quajtura “varrezat myslimane”, ku aty ishte duke i pritur i akuzuari Shabanaj, i cili menjëherë posa kanë arritur trupat e pajetë, ka urdhëruar personin e quajtur “Maksut”, që me ekskavator të fillojë hapjen e një grope me qëllim të hedhjes së këtyre.

    Ndërkaq, më pas, akuza thotë se pas hapjes së gropës me përmasa përafërsisht 2 deri në 3 metra e gjerë dhe 70 deri në 80 cm të thellë, i pandehuri Destan Shabanaj, ka urdhëruar që trupat e të vrarëve fillimisht t’i zbresin nga kamioni, e pastaj pa u respektuar traditat dhe ritet fetare janë hedhur në mënyrë të parregullt të gjithë në të njëjtën gropë masive.

    Sipas akuzës, në përfundim, i pandehuri në kundërshtim me doket, zakonet dhe rregullat fetare të të vrarëve ka urdhëruar që përmes ekskavatorit trupat e pajetë të hedhur në gropë masive të mbulohen me dhe, duke mos mbajtur asnjë shënim për identitetin e të varrosurve dhe duke mos lënë asnjë shenjë identifikuese se aty ka varrezë.

    Më këtë, akuzohet se ka kryer veprat penale “krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 LP të RSFJ-së, aktualisht e dënueshme edhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës nga neni 146, paragrafi 2.2 “ Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës”.

    Për Stresin, Xhuli është spiune (VIDEO)
    Nga Rubrika
    Kronika08 Tetor 2024
    Prokuroria Themelore në Gajkovë ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh kundër të pandehurit me inicialet E.Ll. Sipas prokurorisë,...
    Kronika08 Tetor 2024
    Sot në Gjykatën Themelore në Prizren është mbajtur seanca ndaj 13 të akuzuarve për kontrabandimin e 80 mijë kilogramëve duhan. Kjo seancë...
    Kronika08 Tetor 2024
    Një qytetar nga Shtimja ka gjetur një shumë të caktuar parash, të cilën e ka dorëzuar në polici. Policia përmes një komunikate...
    Të tjera
    Lajme08 Tetor 2024
    Sulmi i Banjskës që ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar, u trajtua edhe në edicionin e sontëm të Rubikonit, me...
    Bota/Rajoni08 Tetor 2024
    Një ngjarje rëndë ka tronditur sot pasdite qytetin e Tetovës. Një grua 36 vjeçare dhe vajza e saj 4 vjeçare janë gjetur...
    Lajme08 Tetor 2024
    Për të mërkurën parashikohet të kemi depërtimin e një fronti, me ç’rast moti do të karakterizohet me vranësira dhe intervale me diell,...
    Lajme08 Tetor 2024
    Ditën e hënëm Qeveria e Kosovë erdhi me një lajm të mirë për pensionistët. Këtë sihariq, ua dhanë kryeministri i Kosovës Albin...
    Lajme08 Tetor 2024
    Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona gjatë operacionit të koduar “Pritja”, i cili u zhvillua në Prishtinë, Mitrovicë të Jugut dhe...
    Lajme08 Tetor 2024
    Gazetarë të Asociacionit Finlandez të Gazetarëve u pritën në takim nga anëtarja e bordit të AGK-së, Jehona Hulaj dhe Drejtorja Ekzekutive e...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.