[wp-story]

Lajme

Komuna e Prishtinës do t’i dënojë partitë që hedhin fletushka zgjedhore

Komuna e Prishtinës do t’i dënojë partitë që hedhin fletushka zgjedhore
14:22 | 17 Shtator 2019

Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës do të dënojë të gjitha subjektet politike të cilat do të shpërndajnë fletushka për të bërë fushatë zgjedhore. Ky aksion do të nis nga dita e mërkurë, ndërkaq shuma e dënimit për një fletushkë do të jetë 90 euro për secilin lokacion që do të gjenden.

Fushata parazgjedhore e subjekteve politike ka nisur, ani pse para afatit ligjor. Me të nisur kjo fushatë, partitë kanë filluar të shpërndajnë edhe fletushka përmes së cilave po i informojnë qytetarët për tubimet që po i organizojnë.

E këto fletushka duket se do t’u dalin problem partive politike të cilat i shpërndajnë ato nëpër kryeqytet. Kjo pasi Drejtoria e Inspeksionit do ta dënojë secilin subjekt politik për fletushkat të cilat do t’i gjejë nëpër hyrje të banesave, vetura, apo rrugë të Prishtinës.

Këtë e ka bërë të ditur i pari i kësaj drejtorie, Adonis Tahiri. Përmes një statusi në Facebook ai ka treguar se gjobat mandatore do të fillojnë nga e mërkura e 18 shtatorit.

“Subjektet që tashmë e kanë bërë këtë veprim, obligohen që brenda ditës t’i pastrojnë të gjitha lokacionet. Në të kundërtën, nga nesër (18 shtator), kudo që hasim në fletushka të tilla, do ta zbatojmë Udhëzimin Administrativ për Gjobat Mandatore, njësoj sikur për fletushkat e bizneseve. Pra, nga 90 euro gjobë për secilin lokacion (veturë; shtëpi; kat banese)”, ka shkruar Tahiri.

Tahiri për Express tha se kjo po bëhet për ta ruajtur mjedisin e pastër në Prishtinë dhe është vazhdim i asaj që tashmë kjo drejtori po e bën me bizneset të cilat shpërndajnë fletushka për marketing.

“Është njëjtë si me fletushkat e marketeve, ne i trajtojmë njëjtë pavarësisht se çfarë shkruan në to, sepse është ndotje e mjedisit”, u shpreh Tahiri.

Udhëzimi Administrativ i cili ndëshkon me gjoba mandatorë të gjitha bizneset të cilat shpërndajnë fletushka nëpër rrugët e Prishtinës, vetura, e në hyrje të ndërtesave kolektive, ka hyrë në fuqi që nga data 1 maj e këtij viti.

Ndërkaq përkundër gjobave që Drejtoria e Inspeksionit ka shqiptuar, bizneset nuk e kanë ndaluar shpërndarjen e fletushkave.

51 gjoba janë shpërndarë vetëm përgjatë dy muajve të fundit në kryeqytet, ku ka pasur raste që një biznes është dënuar deri në 2 mijë e 700 euro për shpërndarje të fletushkave në vendet e ndaluara.

Bonus dhe Premium Kartela të cilat po i ofron Petrol Company, kartelat më të kërkuara nga klientët

Të tjera