Tenderët

Komuna e Prishtinës blen mbi 180 mijë € insulina me tender njëburimor

Komuna e Prishtinës blen mbi 180 mijë € insulina me tender njëburimor
16:34 | 05 Korrik 2021

Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë do të furnizohen me insulina.

Rreth 40 mijë sosh komuna i bleu për diabetikët pas gjashtë muajve mungesë të tyre, shkruan “Front Online”.

Këtë e bëri përmes një procedure direkte tenderimi, pa njoftim për kontratë, e ndarë në dy lote.

Në lotin e parë parashihet ardhja e 12 mijë e 750 insulinave analoge me veprim të shpejtë. Kurse në të dytin e 26 mijë të tjerave analoge bifazike (premix).

Ato do t`i sjell kompania “Meditech”, derisa komuna e Prishtinës ka paguar për to mbi 180 mijë euro.

Me këtë veprim komuna e Prishtinës nuk e ka pritur më, Ministrinë e Shëndetësisë, për blerjen e këtyre preparateve.

Kjo e fundit ka 6 muaj që ka filluar me procedurat për blerjen e insulinave në kohëzgjatje për 2 vjet, por pa sukses.

Kjo pas ankesave “ping-pong” rreth tenderit ndaj njëra-tjetrës të kompanive garuese.

Si rezultat, tenderi, tashmë ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Ish-kryetari i Shoqatës Kombëtare të Diabetit në Kosovë: Edhe komunat e tjera të veprojnë njëjtë si Prishtina

 

Vendimin e pushtetit lokal në Prishtinë për blerjen në mënyrë vetanake të insulinave e ka përshëndetur ish-kryetari i Shoqatës Kombëtare të Diabetit në Kosovë, Idriz Ethemi.

Ai për “Front Online” tha se edhe komunat e tjera duhet të veprojnë njëjtë, po patën mundësi financiare.

I njëjti e quajti alarmante mungesën e insulinave në vend.

“Është një situatë mjaft shqetësuese. Pacienti së pari e ndien mungesën e insulinës, e dyta është gjendja ekonomike e pacientëve dhe e treta furnizimi me insulina nëpër barnatore që nuk nënkupton që e kanë prejardhjen e dyshimtë”, deklaroi Ethemi.

Ethemi theksoi se në vend janë 28 mijë qytetarë të prekur me diabet, 700 – 800 prej të cilëve fëmijë.

“Numri i pacientëve të prekur me diabet në krejt Kosovën është dikund mbi 28 mijë në bazë raporteve të vitit të kaluar të cilët varen nga insulina dhe lista esenciale”, tregoi Ethemi për “Front Online”.

Në mungesë të insulinave në vend, kosovarët, po ia mësyjnë Shqipërisë për t’i blerë ato.

 

1 abonim, 3 paisje, 240 kanale shqip – NimiTV në gjithë Evropën për vetëm 99.90€ për 12 muaj

Të tjera