Një komision i pavarur ka marrë vendimin unanim për kartonin e kuq që mesfushori i Arsenalit, Declan Rice e kishte marrë në sfidën ndaj Brightonit.
25-vjeçari ishte përjashtuar nga gjyqtari Chris Kavanagh në ndeshjen e cila u zhvillua më datë 31 gusht në ‘Emirates’ dhe përfundoi me rezultat të barabartë 1-1.
Sidoqoftë, paneli i Incidenteve të Ndeshjeve Kryesore (KMI), të cilët bëjnë rishikimin e vendimeve të mëdha të gjyqtarëve në Ligën Premier për çdo javë, kanë marrë vendim se Kavanagh kishte të drejtë në vendimin për përjashtimin e Rice.
Paneli ka bërë me dije se veprimet e Rice ishin “të qarta, të qëllimshme dhe me ndikim” dhe kartoni i dytë i verdhë ishte vendimi i duhur.
“Rice e di se çfarë po bën, është një prekje e lehtë, por në rast se gjyqtari e sheh atë nuk ka tjetër zgjidhje”, kanë thënë nga KMI në shpjegimin e tyre.
KMI është një komision i pavarur i cili është i përbërë nga tre ish-lojtarë apo trajnerë, një përfaqësues i Ligës Premier dhe një gjyqtar./Telegrafi/