[wp-story]

Hulumtime

Kolegji FAMA nuk deklaron numrin e saktë të studentëve të regjistruar (Dokument)

Kolegji FAMA nuk deklaron numrin e saktë të studentëve të regjistruar (Dokument)
10:58 | 18 Shtator 2019

Tejkalim të numrit maksimal për regjistrimin e studentëve në programe akademike, për vitin akademik 2018/19, ka bërë edhe Kolegji FAMA.

3 studentë të cilët janë pjesë e numrit të tejkaluar për regjistrim, do të hasin në vështirësi për vërtetimin e diplomës së tyre në Ministrinë e Arsimit.

Në raport thuhet se kjo shifër mund të mos jetë e saktë, për arsye se kolegji në fjalë nuk ka dorëzuar dosjen Excel, në të cilën tregohet numri i saktë i studentëve të regjistruar në programe akademike.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në vitin 2017 kishte lansuar Sistemin e Menaxhimit të Informatave të Arsimit të Lartë (SMIAL), përmes të cilit, të gjitha institucionet e arsimit të lartë, obligohen që të deklarojnë numrin e studentëve të regjistruar për nivelin akademik përkatës.

Libri Amëz i studentëve të institucioneve të arsimit të lartë, ka për qëllim mbajtjen dhe ruajtjen e të gjitha të dhënave relevante për studentët e regjistruar në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë(KShC), në Agjencionin e Kosovës për Akreditim(AKA), është organ i cili vendosë për numrin e studentëve në programe studimore, në bazë të rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë.

Portali “Front Online” ka siguruar dokumente ekskluzive, ku shihet se në një program, kolegji në fjalë tejkaloi numrin e studentëve sipas sistemit SMIAL.

Front Online ka kontaktuar me MAShT-in, për ta pyetur se çfarë masash kanë ndërmarrë për t’i ndëshkuar kolegjet që kanë tejkaluar këtë numër të studentëve, mirëpo deri në publikimin e artikullit nuk kemi pranuar përgjigje.

Kolegji FAMA nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara nga redaksia e Front Online, rreth numrit të tejkaluar të këtyre studentëve.

Gjetjet e raportit

Në programin ‘Infermieri’ në nivelin Bachelor i Shkencës, ky kolegj ka tejkaluar numrin e studentëve për tre.

Numri maksimal i studentëve sipas Agjencisë së Kosovës për Akreditim(AKA), ka qenë 50 studentë, ndërkohë që sipas sistemit SMIAL, numri i studentëve të regjistruar në këtë program është 53.

Në raport thuhet se ky kolegj nuk e ka dorëzuar dosjen Excel, në të cilën mund të shihet se sa studentë aktualisht janë të regjistruar në programet e tyre.

Pra, të dhënat e vetme janë ato të sistemit SMIAL, ndërkohë që kolegji në fjalë mund të ketë numër më të madh të studentëve të regjistruar në këtë program apo në të tjerë.

“Nuk ka dorëzuar regjistrin Excel-file, por vetëm sipas UA”, është shkruar në raport.

Historiku i problemit

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ia kishte ndërruar vendin e punës, zyrtares e cila i kishte raportuar ministrit në detyrë, Shyqyri Bytyqi, për parregullsitë dhe shkeljet që janë bërë në procesin e verifikimit të diplomave për studentët e kolegjeve private.

Kumrije Gagica ka qenë udhëheqëse e Divizionit për Njohje dhe Barasvlerë të Diplomave, ku para tetë muajsh, përmes një email-i drejtuar ministrit Bytyqi, ajo kishte treguar se Librat Amëz të disa kolegjeve private, janë dorëzuar jashtë afateve ligjore që janë të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ për Librat Amzë të Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Ajo madje kishte treguar edhe për rastet kur inspektorë të NARIC-ut, kanë bërë inspektime individuale dhe kanë kërkuar që të vuloseshin diplomat e studentëve që nuk ishin të regjistruar në Librat Amëz.

Departamenti ‘NARIC’(Qendra Kombëtare për Njohjen e Diplomave) përpos funksionit të nostrifikimit të diplomave që vijnë nga jashtë Kosovës, aktualisht ka funksionin edhe të verifikimit të diplomave vendore, që synojnë të shkojnë jashtë shtetit për vazhdim të studimeve.

Që nga koha kur ky email është publikuar, mediet në vendin tonë kanë raportuar për qindra raste të studentëve të cilët kanë diplomuar në kolegje të ndryshme, e të cilët nuk po arrijnë t’i vërtetojnë diplomat e tyre.

Çështjen e mosregjistrimit të studentëve në Libra Amëz, e kishte ngritur edhe ish-kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, i cili kishte treguar se studentëve të paregjistruar në këto libra, nuk do t’u njihet diploma apo studimet.

Ministria e Arsimit kryesisht vazhdon të heshtë kundrejt pyetjeve të gazetarëve rreth kësaj problematike. /FrontOnline/

(Vazhdon)

Kolegji UBT rrezikon diplomat e 1 mijë e 236 studentëve (Dokumente)

Kolegji “Heimerer” pranoi rreth 300 studentë më shumë, çka do të ndodhë me diplomat e tyre?

Ekskluzive/Kolegji AAB tejkaloi numrin e regjistrimit të studentëve, Ministria e Arsimit hesht (Dokument)

Kush ështe kosovari THE VICTOR që synon tregun e jashtëm? (video)

Të tjera