×
  • Lajme
  • Lajme

    KEK krenohet për ‘‘rezultate të shkëlqyera’’, ZRRE kërkon rritje të çmimit të energjisë – Njohësit thonë se ka ‘‘pasoja të rënda’

    FrontOnline
    22 Mars 2025

    Nga Korporata Energjetike e Kosovës, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, është thënë se ata kanë arritur rezultate të shkëlqyera gjatë vitit 2024, dhe se gjatë vitit që lamë pas ka pasur rritje të prodhimit  elektrike

    Nga KEK është parë si arritje e rëndësishme edhe ajo siç thuhet nga ta ‘‘shitja e tepricave të energjisë elektrike’’, e që të cilat janë në dispozicion gjatë orëve të natës

    Këtë gjë, KEK e ka cilësuar si përformancë të shkëlqyer, që tregon angazhimin e kësaj korporate për të qenë një faktor kyç në furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike

    ‘‘KEK ka përmbyllur vitin 2024 me një performancë dukshëm më të mirë se vitin paraprak

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka arritur rezultate të shkëlqyera gjatë  vitit 2024, duke përballuar me sukses sfidat që lidhen me teknologjinë e vjetër. Rritja e prodhimit të energjisë elektrike dhe eksploatimi më i lartë i qymyrit kanë kontribuar ndjeshëm në performancën e përmirësuar.

    Në periudhën janar-dhjetor 2023, bruto prodhimi i energjisë elektrike ishte rreth 5,534,196 milion MWh, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2024, ky prodhim ka arritur në 6,178,372 milion MWh, duke shënuar një rritje të konsiderueshme prej rreth 11.65% krahasuar me vitin paraprak.

    Po ashtu, edhe prodhimi i qymyrit ka pasur një rritje të ngjashme. Në periudhën janar-dhjetor 2023, KEK ka eksploatuar 6,923,659 milion ton qymyr, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2024 janë eksploatuar 8,068,711 milion ton, duke treguar po ashtu një rritje të prodhimit prej 16.55%.

    Një tjetër arritje e rëndësishme është edhe shitja e tepricave të energjisë elektrike, të cilat zakonisht janë në dispozicion gjatë orëve të natës, kur konsumi vendor është më i ulët. Shitja e tepricave gjatë periudhës janar-dhjetor 2023 ishte rreth 350,449 MWh, ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit 2024 janë shitur 645,824 MWh, duke shënuar një rritje prej 45.75%, ose rreth 295,375 MWh më shumë se vitin paraprak.

    Kjo performancë e shkëlqyer tregon qartë angazhimin e KEK-ut për të qenë një faktor kyç në furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike për partnerët e saj afarist dhe për të kontribuar në zhvillimin e sektorit energjetik në vend’’, thuhet në postimin e KEK.

    Në anën tjetër, dje në emisionin EURO n’T7 kreu i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka thënë se në vitin 2024, janë importuar 1.385 gigavat energji elektrike, me një çmim shumë më të lartë se ai i prodhimit vendor.

    “Vetëm në dhjetor kemi importuar 40 milionë euro energji elektrike. Në vitin 2013, për tërë vitin nuk kemi importuar 40 milionë euro, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar shpenzuam këtë shumë vetëm për një muaj. Qytetarët duhet të kursejnë energjinë. Ata që jetojnë në shtëpi private duhet të përdorin metoda alternative për ngrohje, sepse nëse vetëm ata do të ndalonin përdorimin e rrymës për këtë qëllim, ne nuk do të kishim nevojë të importojmë kaq shumë energji”, ka pohuar Fejzullahu.

    Fejzullahu, po ashtu dje është deklaruar edhe në lidhje me propozimin e tyre për rritje të faturës energjetike, duke thënë se kjo rritje është bazuar 100% në inflacionin që ka ndodhur jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën.

    Sipas tij, kërkesat e kompanive për furnizim me energji elektrike ishin që çmimi të rritej për 35%, por pas konsultimeve u propozua që çmimi të rritet për 15%.

    Ai shpjegon pse konsumatorët duhet të paguajnë 15% më shumë për energjinë e shpenzuar nga 1 prilli.

    “Kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike kanë mbetur të pandryshuara, ashtu siç ka mbetur edhe çmimi për konsumatorët me të drejtë universale që nga viti 2010, edhe pse kemi pasur inflacion çdo vit, veçanërisht në dy vitet e fundit. Çmimi i energjisë së prodhuar në Kosovë është 30 euro, ndërsa ai i importuar 150 euro. Kjo diferencë na detyron ose të reflektojmë dhe të mbulojmë koston, ose të kemi reduktime të energjisë elektrike. Mes dyjave, kemi konsideruar se më mirë është të importojmë energji sesa të kemi reduktime”, ka pohuar Fejzullahu.

    Në lidhje me deklarimin e Fejzullahut, dhe kërkesës për rritje të energjisë ka pasur reagime të shumta. Ndër ta është edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Shenoll Muharremi.

    Ky i fundit, në reagimin e tij të bërë ka kritikuar KEK-un, ku ka thënë ndër tjerash se dështimin e kësaj të fundit po e përdorin KESCO dhe KEDS për të prodhuar sasinë e parashikuar të energjisë si argument kryesor për rritjen e shpenzimeve të tyre.

    ‘‘KESCO dhe KEDS po përdorin dështimin e KEK-ut për të prodhuar sasinë e parashikuar të energjisë si argument kryesor për rritjen e shpenzimeve të tyre. Po thuhet se “njësitë gjeneruese të KEK-ut nuk kanë qenë në dispozicion për të ofruar sasinë e planifikuar të energjisë, duke krijuar mungesë të madhe në tregun e brendshëm.” Kjo mungesë apo mosrealizim, ashtu siç është planifikuar nga vetë KEK, po i detyron furnizuesit të blejnë energjinë nga jashtë. Kostoja nga brenda është 30 euro, ndërsa nga jashtë 150 euro për MWh. Si pasojë, pamundësia e KEK-ut për të prodhuar energjinë ka detyruar KEDS-in të importojë energji me vlerë 37 milionë euro më të lartë sesa niveli i lejuar nga ZRRE. KEDS po i bën presion ZRRE-së që të jetë më profesionale në parashikime, por në fakt, ZRRE-ja e ka parashikuar mirë situatën, KEK-u nuk ka gjeneruar aq sa ka planifikuar dhe i ka vendosur në pozitë të vështirë aktorët e tjerë në ekosistem’’, ka shkruar ai ndër tjerash.

    Reagime kundër rritjes së çmimit të energjisë kanë ardhur edhe nga politika, më saktësisht deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajramit.

    Ajo ka thënë se rritja prej 15% e çmimt të energjisë për shpenzuesit komercial (bizneset)  është drejtpërdrejtë kosto shtesë për të gjitha produktet dhe shërbimet e tyre.

    ‘‘Zbatimi i vendimt të ZRRE-së do të ketë pasoja të  rënda për ekonominë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.

    Nga 1 prilli i këtij viti, çmimi i energjisë rritet me 15%. Kryetari i Bordit të ZRRE-së thotë: “Nëse keni paguar 50€, tani do të paguani 58€” (në të vërtetë, rritja prej 15% e çon faturën në 57.5€ jo në 58).

    Por janë disa fakte që duhet të thuhën zëshëm:

    Shumica e familjeve nuk paguajnë 50€ në muaj, por më shumë.

    Rritja prej 15% e çmimt të energjisë për shpenzuesit komercial (bizneset)  është drejtpërdrejtë kosto shtesë për të gjitha produktet dhe shërbimet e tyre.

    Rritja e çmimit të energjisë është goditja e parë, por jo e fundit, sepse kur bizneseve u rriten shpenzimet, atëherë çmimet e të gjitha produkteve bazë do të rriten përsëri si: çmimi i bukës, qumështit, vajit, sheqerit, transportit dhe çdo produkti tjetër të domosdoshëm për jetesë.

    Pra, standardi i jetesës në vitin 2025 do të jetë më i ulët se ai i vitit 2020’’, ka shkruar ajo mes tjerash. /GazetaExpress

     

     

    Nga Rubrika
    Lajme29 Prill 2025
    Kryesuesi i seancës, Avni Dehari tha se në sallë janë 109 deputetë. Kjo është hera e tetë që deputetët e zgjedhur mblidhen...
    Lajme29 Prill 2025
    Nëse Vetëvendosje nuk e ka ndërruar emrin për kryeparlamentar, as AAK nuk ka ndërruar qëndrim, thotë deputeti Daut Haradinaj. “Po presim prej...
    Lajme29 Prill 2025
    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është shprehur pesimist se sot partia e parë mund të vijë me një propozim tjetër për kryeparlamentar....
    Të tjera
    Bota/Rajoni29 Prill 2025
    Furnizimi me energji elektrike u rikthye në shumicën e Spanjës dhe Portugalisë më 29 prill pasi një ndërprerje masive e rrymës goditi...
    Lajme29 Prill 2025
    Deputeti Asllani nga komuniteti ashkali: Zgjidhja duhet të vijë nga partitë e mëdha, nuk i takon askujt t’i tregojë VV-së kë të...
    Bota/Rajoni29 Prill 2025
    Partia Liberale e Mark Carney fitoi zgjedhjet kanadeze. Në fjalimin e tij të fitores, Carney u tha mbështetësve: “Presidenti Trump po përpiqet...
    Kronika29 Prill 2025
    Policia e Mitrovicës ka njoftuar se ka arrestuar një person. I njëjti dyshohet se ka vjedhur një makinë në Prishtinë, me të...
    Bota/Rajoni29 Prill 2025
    Me Johann Wadephul në krye të ministrisë së Jashtme, Ballkani Perëndimor mund të presë mbështetje të qartë për integrimin evropian – por...
    Lajme29 Prill 2025
    Deputeti nga komuniteti rom, Ablert Kinolli, për FrontOnline ka komentuar ngërçin institucional në Kuvendin e Kosovës, duke bërë thirrje për kompromis dhe...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.