[wp-story]

Lajme

KDI kërkon hetime për çmimet e fryra në tenderët e Ministrinë së Shëndetësisë gjatë kohës së pandemisë

KDI kërkon hetime për çmimet e fryra në tenderët e Ministrinë së Shëndetësisë gjatë kohës së pandemisë
12:28 | 30 Maj 2020

Instituti Demokratik i Kosovës -KDI shpalosi gjetjet preliminare nga monitorimi i procesit të tenderimit të Ministrisë së Shëndetësisë me produkte dhe pajisje medicinale gjatë pandemisë.

LEXO EDHE: “Gjakderdhje financiare” në Ministrinë e Arben Vitisë (Dokument)

Një ndër çështjet më prioritare gjatë kohës së krizave siç është rasti me pandeminë COVID 19 është edhe parandalimi dhe adresimi i rreziqeve të korrupsionit në sistemin shëndetësor. Për të analizuar se si Ministria e Shëndetësisë ka adresuar këto rreziqe, KDI ka analizuar mostrën prej 9 tenderëve për pajisje dhe produkte medicinale, të realizuar sipas procedurës së negociiuar, pa publikim të njoftimit për kontratë dhe të shpallur gjatë periudhës 4 mars – 28 prill 2020.

Shikuar nga prizmi i transparencës institucionale, të gjitha dosjet e tenderëve, vendimet për përzgjedhje të operatorëve të suksesshëm dhe të pasuksesshëm në tenderë, njoftimet për dhënie dhe nënshkrim të kontratës dhe kontratat ishin bërë publike në platformën elektronike E-prokurimi. Ndërsa, kërkesat e njësive kërkuese, procesverbalet e negocimit, ftesat për ofertim që Ministria e Shëndetësisë u kishte dërguar Operatorëve Ekonomik, KDI i kishte siguruar përmes kërkesave për qasje në dokumente publike. Ministria e Shëndetësisë ka ofruar qasje në të gjitha këto informata brenda afateve ligjore.

LEXO EDHE: Coronavirusi/ Ministria e Shëndetësisë jep tender 1 milion euro pa njoftim të kontratës (Dokumente)

“Ministria e Shëndetësisë duke u thirrur në nevojat e krijuara gjatë situatës së ballafaqimit me pandeminë, para secilit aktivitet të prokurimit, kishte njoftuar KRPP-në se do të shfrytëzonte dispozitat ligjore që lejojnë përdorimin e procedurës së negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë.Për të tepër, kishte formuar komisionin mbledhjen e çmimeve referente për pajisje dhe produkte medicinale për mbrojtje nga Covid-19, në bazë të të cilave pastaj ishin përcaktuar vlerat e parashikuara në të gjithë tenderët. Sidoqoftë kishte raste kur ky komision nuk kishte bërë vlerësim të duhur të çmimeve referente duke përfshi në kalkulime edhe çmimet joormalisht të ulëta dhe jonormalisht të larta të prezantuara nga Operatorët Ekonomik, të cilat pastaj kanë ndikuar në ofertë”, thotë KDI.

Kjo është vërejtur në blerjet e dorëzave kirurgjikale. Pra, nëse komisioni do të kishte eliminuar çmimet jonormalisht të ulëta dhe jonormalisht të larta në kalkulim atëherë cmimi referent për njësi do të ishte 0.24 euro. Rrjedhimisht MSH për tre Lote të dorëzave kirurgjikale do të kishte paguar shumën totale prej 80,709.33 euro e jo 159,071.3 euro sa pagoi në realitet. Potencialisht vetëm për këto tre lote do të kurseheshin mbi 60,000 Euro.

KDI-, thotë se, përkundër që Ministria e Shëndetësisë kishte bërë hulumtime paraprake të tregut, nga 120 produktet e kërkuara, kishte arritur të siguroj furnizimin me vetëm 70 prej tyre me vlerë totale 7,093,272.57 euro. “Kjo kishte ardhur si pasojë e mos ofertimit nga Operatorët Ekonomik(OE) dhe rritjes enorme të çmimeve nga OE, por edhe në mungesë të hulumtimit të vazhdueshme të tregut nga Ministria e Shëndetësisë, në një kohë kur tregu ka pësuar ndryshime në baza ditore”.

Sa i përket konkurrencës, Ministria e Shëndetësisë në këta 9 tenderë kishte ftuar tre deri në 21 biznese për ofertim, ndonëse procedurat me negociim kërkojnë që autoriteti kontraktues të ftojë për ofertim 3 deri në 6 Operator Ekonomik. Sido që të jetë mbetet shqetësuese që vetëm një numër i vogël i OE kishte deponuar ofertë, duke rezultuar në disa raste edhe në çmime më të larta se ato të tregut.

KDI kishte gjetur se çmimet për produkte dhe pajisje të njëjta variojnë nga kontrata në kontratë, ku Ministria e Shëndetësisë në disa raste kishte arritur të sigurojë çmime më të ulëta deri në 42% nga vlera e parashikuar, ndërsa në raste tjera MSH kishte paguar deri në 74% çmime më të larta. Për ilustrim, çmimi për njësi të veshjeve mbrojtëse për Covid-19, në kontratën e datës 4 mars 2020 ishte 7 euro, ndërsa në kontratën e 28 prillit çmimi ishte 12.20 euro që përbën një rritje prej 74% nga çmimi i siguruar përmes kontratës së parë, ndonëse sasia e kërkuar ishte rritur për 4000%.

Ndërsa për materialet laboratorike për testim produktet me nr. 6,7,8,9,10 të blera përmes dy kontratave me nr. të prokurimit 206-20-959-1-2-5 dhe 206-20-1224-1-1-5 shohim se edhpse kishte edhe rritje të sasisë nga 25% deri 166%, MSH siguroi çmime që ishin 13% deri 42% më të lira.

Pas pranimit të ofertave në tenderin e datës 4 mars 2020 për furnizim me pajsije mbrotëse është vërejtur ngritje e çmimeve nga OE (sidomos çmimet e maskave) dhe kjo ka shtyer që MSH të kërkojë nga Policia e Kosovës-Departamenti i Hetimeve dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës(AKK) hetimin e këtyre kontratave.

Për të adresuar shqetësimet e sipër cekura lidhur me rritjet e çmimeve dhe mungesën e furnizimeve përmes kontratave emergjente të kontraktuara nga Ministrisë së Shëndetësisë në kohën e pandemisë, dhe për t’u siguruar se situata emergjente nuk ka ndikuar në favorizime të kompanive specifike, KDI u bënë thirrje organeve të drejtësisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit që të hetojnë dhe auditojnë të gjitha shpenzimet, për t’u siguruar që paraja e qytetarëve ishte shfrytëzuar në mënyrë të drejtë dhe korrekte.

Gjithashtu, kërkojmë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës që të ndërmarrë veprimet e nevojshme lidhur me hulumtimin e ngritjes së çmimeve nga Operatorët Ekonomik për produkte dhe pajisje medicinale, dhe të ndërmarrë masat përkatëse nëse dëshmohet manipulimi i tregut për përfitime më të mëdha në një krizë njerëzore.

Ministria e Shëndetësisë duhet të sigurohet dhe të kërkoj nga komisioni i caktimit të çmimit referent që gjatë analizimit të çmimeve mos të merr në konsideratë çmimet jonormalisht të ulëta dhe jonormalisht të larta, sespse kjo po e shtrembëron përcaktimin e vlerës së saktë të parashikuar duke ndikuar edhe në ofertë, konkurrencë dhe në shpenzimin publik. Poashtu kërkohet që çmimet referente të përditësohen në baza të rregullta.

Për të qenë sa më transparente me publikun ftojmë Ministrinë e Shëndetësisë të publikoj në platformën e-prokurimi të gjitha dokumentet të cilat janë pjesë e aktiviteteve të prokurimit, duke përfshirë thirrjet, ofertat dhe raportet e pranimit të dokumenteve. Poashtu kërkojmë nga Qeveria të publikojë të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me ndarjet buxhetore për sektorin e shëndetësisë.

Petrol Company në muajin e shenjtë të Ramazanit, dhuron pako ushqimore per familjet nevojtare në qytetin e Vitisë

Të tjera