Bota/Rajoni

ISIS, Ukrainë, Jemen, Siri: Armët serbe përfundojnë në luftërat nëpër botë

ISIS, Ukrainë, Jemen, Siri: Armët serbe përfundojnë në luftërat nëpër botë
13:46 | 13 Gusht 2022

Në vitin 2021, sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, Serbia ka eksportuar armë në vlerë prej rreth 500 milionë dollarësh. Kjo paraqet një rritje prej 30 për qind krahasuar me vitin 2020, kur ky shtet eksportoi armë në vlerë prej 384.2 milionë dollarësh.

Në vitin 2020, Serbia kishte eksportuar më së shumti armë në Emiratet e Bashkuara Arabe apo 16 për qind të totalit të eksporteve, pasuar nga Shtetet e Bashkuara me 15 për qind dhe Qiproja me rreth 11 për qind. Kështu thuhet në të dhënat e Ministrisë serbe të Tregtisë, e cila është përgjegjëse për lëshimin e licencave për eksportimin e armëve.

Arma më e kërkuar për shitje është obusi serb “Nora”, pasuar nga sistemi i raketave “Tamnava” dhe makina luftarake “Lazar”.

“Ne shesim armë për të jetuar më mirë, për të pasur paga dhe pensione më të larta”, deklaroi më 21 korrik presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Muajin e kaluar, një avion ukrainas që po transportonte armë serbe për në Bangladesh u rrëzua në Greqi. Pas kësaj ngjarjeje u ngrit sërish pyetja se kush e ndërmjetëson eksportin e armëve serbe dhe ku përfundojnë ato.

Pas rrëzimit të avionit që po bartte armë serbe, emri i Slobodan Teshiqit sërish u vu në qendër të vëmendjes.

Teshiq është në listën e sanksioneve amerikane që nga viti 2017 dhe kësaj liste, më 2019 iu shtuan edhe nëntë bashkëpunëtorë të tij. Arsyeja e sanksionimit të tyre ishte tregtia e paligjshme e armëve me disa shtete si dhe dhënia e ryshfetit. Teshiq gjithashtu ishte në listën e ndalimit të udhëtimit të Kombeve të Bashkuara nga viti 2003 deri më 2013, për shkak të shkeljes së sanksioneve të OKB-së për eksportet e armëve me Liberinë.

Mediat e lidhën emrin e Teshiqit me kompaninë private të Beogradit “Valir”, armët e të cilës ishin në dërgesë prej 11.5 tonësh me armë për në Bangladesh. Në dërgesë ishin përfshirë granata dhe mortaja të ndryshme. Këto armë ishin blerë nga kompania shtetërore e industrisë së armëve, “Krushik”.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me Teshiqin përmes telefonit dhe ka kërkuar që ai të tregojë nëse ka ndonjë lidhje me kompaninë “Valir”, por e ka pyetur edhe për akuzat e mëparshme për tregtinë e armëve. Teshiq, megjithatë, refuzoi që të përgjigjej.

Kompania “Valir” u themelua në dhjetor të vitit 2019, dy javë pasi Departamenti amerikan i Thesarit shtoi “bashkëpunëtorët e tregtarit të armëve, Slobodan Teshiq” në listën e kompanive dhe individëve të sanksionuar për korrupsion.

Sipas të dhënave zyrtare, drejtor i kësaj kompanie është Mladen Bodganoviq dhe deri në qershor të vitit 2020 këtë post e kishte pasur Stefan Çupkoviq.

Çupkoviq është ose ka qenë përfaqësues në disa kompani të tjera. Një prej tyre është “Lusor”, ku kishte mbajtur postin e drejtorit deri në vitin 2021.

Pronari i kësaj kompanie, që është e regjistruar për tregti me shumicë të armëve të specializuara është Khaled Hamed. Hamedi, i cili mori nënshtetësinë serbe më 2016, sipas mediave hulumtuese OCCRP dhe KRIK është cilësuar si partneri nga Jemeni i Slobodan Teshiqit.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të zbulojë lidhjet e drejtpërdrejta apo të tërthorta midis kompanisë “Valir” dhe Slobodan Teshiqit, apo lidhjet e tij me Khaled Hamedin si dhe me Stefan Çupkoviqin.

Rrjeti hulumtues BIRN raportoi më 8 gusht se kompanitë e lidhura me Teshiqin eksportonin armë në SHBA dhe se ai po “shmangte” sanksionet. Teshiq dhe Pentagoni nuk u janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Në vitin 2009, Agjencia serbe e Zbulimit (BIA) ndaloi eksportin e armëve nga Serbia në Libi. Ndërmjetësi i dërgesës së armëve ishte Teshiq.

Sipas dokumenteve të publikuara nga WikiLeaks më 2010, SHBA-ja kishte paralajmëruar për “përpjekjet e paligjshme të Slobodan Teshiqit për të shitur armë në Jemen”.

Në vitin 2013, teksa ishte ende nën sanksionet e OKB-së, Teshiq mori pjesë në një takim të delegacioneve të ministrive të Mbrojtjes së Serbisë dhe Libisë, që u mbajt në Beograd.

Emri i Teshiqit ishte përmendur edhe në aferën “Krushik” më 2019.

Sipas dokumenteve që u kishte dhënë gazetarëve Aleksandar Obradoviq, një sinjalizues nga fabrika shtetërore e armëve “Krushik”, disa kompani dhe individë të privilegjuar dyshohet se kishin përfituar nga çmime preferenciale për blerjen e armëve. Në mesin e tyre përmendet edhe emri i Slobodan Teshiqit.

Sipas dokumenteve të ofruara nga sinjalizuesi i “Krushik”, GIM ishte në mesin e kompanive private që kishte blerë armë me çmime preferenciale nga kjo kompani shtetërore. Kompania GIM ka lidhje me Branko Stefanoviqin, babanë e ministrit serb të Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviqit, i cili atëbotë mbante postin e ministrit të Punëve të Brendshme.

Ministri Stefanoviq i ka mohuar këto akuza dhe ka thënë se babai i tij, tashmë i ndjerë, kurrë nuk kishte qenë i përfshirë në tregti armësh.

Ku përfundojnë armët nga Serbia?

Një nga pyetjet që ngrihen në lidhje me eksportin e armëve nga Serbia është se ku përfundojnë ato.

Organizatat ndërkombëtare paralajmëruan Beogradin se këto armë ndonjëherë përfundojnë në duart e ekstremistëve dhe përdoren për sulme ndaj civilëve.

Për shkak të eksportit të armëve ka pasur raste kur raportet diplomatike të Serbisë me vende të caktuara janë dëmtuar.

Paralajmërimet e OKB-së për Mianmarin

Raportuesi i OKB-së për të drejtat e njeriut në Mianmar, Tom Andrews, paralajmëroi më 22 shkurt se Rusia, Kina dhe Serbia po vazhdojnë të furnizojnë me armë juntën në Mianmar, duke thënë se këto armë janë përdorur për të sulmuar civilët që nga grusht-shteti në këtë vend.

Junta ushtarake e Mianmarit mori pushtetin përmes grusht-shtetit më 1 shkurt të vitit 2021, duke rrëzuar Qeverinë e zgjedhur të Aung San Suu Kyi.

Gjithashtu sipas një hulumtimi të BIRN-it dhe Qendrës për Gazetari Hulumtuese të Serbisë (CINS), thuhet se Serbia ka eksportuar raketa në vlerë prej 4.7 milionë eurosh në Mianmar në vitin 2021, pas grushtit të shtetit.

Më 23 shkurt, Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë hodhi poshtë akuzat e raportuesit të OKB-së. Në reagim u tha se në mars të vitit 2021, Serbia vendosi që të mos dërgojë armë në Mianmar. Por, në reagim, MPJ e Serbisë nuk përmendi hulumtimin e BIRN dhe CINS.

Armët edhe në mesin e militantëve të IS-it

Në gusht të vitit 2021, organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (Ai), identifikoi armë të prodhimit serb në videot e publikuara nga grupet e armatosura që veprojnë në rajonin Sahel të Afrikës.

Rajoni Sahel, në Afrikën Perëndimore, gjendet në zonën kufitare midis Malit, Nigerit dhe Burkina Fasos.

Armët serbe kanë përfunduar edhe në duart e anëtarëve të degës së grupit militant, Shteti Islamik (IS).

AI ka identifikuar 12 raste kur luftëtarët në rajonin e Sahelit u panë duke mbajtur armë të reja të prodhuara nga kompania serbe, “Zastava”. Kjo organizatë megjithatë nuk mundi të përcaktojë synimin e eksportit të kësaj arme në këtë zonë. Siç u tha, ndoshta rruga e eksportit u devijua nga grupet e armatosura ose ato u bartën përmes kanaleve të paligjshme ose janë siguruar në fushëbeteja.

Në atë kohë, Ministria serbe e Tregtisë tha për median Nova se pranuesi i fundit i armëve të eksportuara në Burkina Faso më 2020 ishte Ministria e Mbrojtjes së atij shteti dhe shërbimi i sigurisë kombëtare të Burkina Fasos.

Në korrik të vitit 2020, autoritetet e Azerbajxhanit akuzuan Serbinë se ka dërguara mortaja dhe municione në Armeni, përmes territorit të Gjeorgjisë. Autoritetet në Baku pretenduan se këto armë ishin përdorur gjatë konfliktit që shpërtheu më 12 korrik të atij viti midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Më pas, Serbisë iu kërkua që të jepte shpjegim për këtë gjë dhe të hetonte rastin.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme të Gjeorgjisë mohoi pretendimet se armët kishin kaluar përmes territorit gjeorgjian.

Ministria serbe e Tregtisë njoftoi se që nga viti 2017, kompanive “Vectura Trans”, “Partizan Tech” dhe “Tastava oruzhje” u janë lëshuar 19 licenca për eksportin e armëve në Armeni.

Pronari i “Partizan Tech” është Slobodan Teshiq dhe ai ka qenë pronar edhe i kompanisë “Vectura Trans” nga marsi deri në dhjetor të vitit 2017.

Ministri i atëhershëm i Tregtisë, Rasim Lajiq, deklaroi për REL-in më 24 korrik se në vitin 2020 Serbia kishte miratuar dy kontrata për eksportin e armëve në Armeni. Sipas tij, bëhej fjalë për municion për pushkë dhe pistoleta.

Zyrtarët në Beograd deklaruan se Armenia nuk ishte shtet nën sanksione dhe se eksporti i armëve nuk ishte i paligjshëm.

Por, sipas Lajiqit, në të ardhmen duhet pasur kujdes që Serbia të mos dëmtojë raportet me Azerbajxhanin.

Në fund të shtatorit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mohoi se armët e prodhuara në fabrikat ushtarake serbe ishin përdorur në konfliktin e rajonit të shkëputur të Nagorno Karabakut. Ai tha se të dyja palët kanë përdorur municion të prodhimit vendas që ishin blerë më herët.

“Ne u kemi shitur vetëm municion të dyja palëve sepse kjo lejohej dhe kishim një certifikatë për ‘përdoruesin përfundimtar’. Por, armët, tanket, dronët dhe avionët – asnjëra nga këto nuk janë tonat”, tha Vuçiq për gazetarët.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar për dekada për Nagorno Karabakun, një rajon i banuar me shumicë armene që u aneksua gjatë epokës sovjetike.

Armët serbe në fushëbetejën në Ukrainë

Një foto që pretendohet se tregon një minë të prodhuar nga Serbia në lindje të Ukrainës u pa në pushtimin rus të Ukrainës që nisi në fund të shkurtit.

Në mars, në portale dhe në rrjetet sociale ruse u publikua një fotografi e një ushtari të të ashtuquajturës “Republika Popullore e Donjeckut” duke mbajtur një minë të pashpërthyer.

Radio Evropa e Lirë erdhi në përfundim se bazuar në shkrimet në minën e fotografuar mina ishte prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2016.

Mina të tilla prodhohen nga fabrika shtetërore e armëve në Serbi “Krushik”, fabrikë që prodhon armë për ushtrinë serbe.

Autoritetet në Serbi më pas njoftuan se nga viti 2014 deri në vitin 2021 nuk ka pasur eksporte të armatimit dhe pajisjeve ushtarake në Ukrainë.

Ministria e Tregtisë së Serbisë tha për REL se në të njëjtën periudhë kohore, Serbia nuk ka eksportuar armë në ndonjë shtet tjetër dhe të njëjtat të kenë pasur destinacion përfundimtar Ukrainën.

Armë serbe në konfliktin në Jemen?

Gjatë vitit 2018, armët e prodhuara serbe janë parë në fotografitë e publikuara të dy palëve të përfshira në konfliktin në Jemen. Armët ishin pushkë të prodhuara nga fabrika e armëve “Zastava” nga Kragujevci në Serbinë qendrore.

Këto fotografi janë publikuar në rrjetin social Twitter. REL nuk ka mundur të konfirmojë vërtetësinë e tyre.

Në Jemen, trupat e grupit etnik Huthi, që besohet se mbështeten nga Irani, dhe forcat që kontrollojnë veriun e Jemenit së bashku me kryeqytetin Sana, po zhvillojnë luftime. Këta të fundit mbështeten nga Arabia Saudite.

Jemeni, shtet në jug të Gadishullit Arabik, është nën sanksione nga OKB-ja sa i përket importit të armëve.

“Leje për eksportin në Jemen nuk janë lëshuar”, kishte deklaruar në atë kohë për REL-in Ministria e Tregtisë së Serbisë, institucion përgjegjës për lëshimin e lejeve për eksportin e armëve. Në përgjigje ishte thënë se ministria nuk kishte njohuri se armët e prodhuara në Serbi kanë përfunduar në Jemen.

Armët serbe dhe rebelët sirianë

Gazetarët e BIRN dhe Rrjetit Hulumtues për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (OCCRP) raportuan në maj të vitit 2017 se një dërgesë me mitraloza të rëndë të tipit “kojot”, të prodhuara nga fabrika shtetërore serbe në Kragujevc, përfunduan në duart e rebelëve sirianë.

Dërgesat e armëve kishin kaluar përmes një tregtari bullgar të armëve dhe kishin përfunduar në një kamp trajnimi në Arabinë Saudite.

Në Siri, lufta civile midis regjimit dhe grupeve opozitare po vazhdon që nga viti 2011.
Ministria serbe e Tregtisë konfirmoi raportimet e BIRN dhe OCCRP se blerësja e armëve ishte një kompani bullgare, por se destiancioni përfundimtar i dërgesës ishte Ministria e Mbrojtjes së Arabisë Saudite.

Atëbotë, kjo ministri deklaroi për agjencinë Beta se nuk kishte asnjë ndalim sa i përket eksportit të armëve për në Arabinë Saudite dhe tha se certifikatat origjinale ishin garanci e mjaftueshme, përfshirë edhe certifikatën që thoshte se “mallrat nuk do të rieksportoheshin pa marrë pëlqimin e autoriteteve kompetente” të Serbisë.

Po ashtu, më 2013, kjo ministri njoftoi se kishte revokuar një leje për eksportin e armëve në Arabinë Saudite dhe se këtij shteti i ishin refuzuar katër kërkesa për blerjen e armëve.

Armë në këmbim të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës?

Në vitin 2018, kryediplomati i atëhershëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, deklaroi se Serbia po u shiste apo po u jepet armë shteteve të caktuara si mjet diplomatik kundër pavarësisë së Kosovës. Pacolli tha se bëhej fjalë veçmas për shtetet afrikane.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i hodhi poshtë pretendimet e Pacollit duke thënë se “ne nuk japim armë”. Ai po ashtu kishte deklaruar se Serbia do të shesë edhe më shumë armë kudo që i lejohet. Vuçiq po ashtu kishte reaguar edhe ndaj akuzave se “pushkë serbe” janë parë në disa vende të diskutueshme.

“Unë kam parë kudo pushkë amerikane, kudo që ka luftë shoh pushkë amerikane, municione çeke”, deklaroi Vuçiq.

Si presidenti serb ashtu edhe Ministria e Mbrojtjes kanë deklaruar se Serbia do të eksportojë armë për këdo që është përdoruesi përfundimtar i autorizuar, në përputhje me ligjet vendore dhe ndërkombëtare.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, rreth 22.000 persona janë të punësuar në industrinë serbe të mbrojtjes.

“Petrol Company” në natën e “Kurban Bajramit” e bën me shtëpi të re familjen nga Skenderaj

Të tjera