Front TV

Ish-shefi i KQZ-së: VV-ja fitoi në zgjedhje parlamentare, por nuk u përkushtua në ato lokale

Ish-shefi i KQZ-së: VV-ja fitoi në zgjedhje parlamentare, por nuk u përkushtua në ato lokale
19:42 | 22 Tetor 2021

Njohësi i proceseve zgjedhore, Mazllum Baraliu, njëherësh ish-kryesues i KQZ-së, në një intervistë për Front Online, ka folur për procesin zgjedhor në të cilin po kalon Kosova dhe koalicionet që mund të ndodhin në mes partive politike nëpër komuna.

Ai ka thënë se është herët të flitet për koalcionet e mundshme, por se fuqia e kandidatëve dhe partive politike do të dihet pas balotazhit.

“Koalicioni shihet, gjegjësisht afiniteti për të votuar për një subjekt apo subjekt tjetër, respektivisht kandidatët e tyre do të dëshmohet dhe tregohet vetëm pas balotazhit kur dihet kush fiton më shumë, e kush më pak. Atëherë mund të themi se një subjekt politik ka pasur autoritet dhe ndikim, bindje dhe respekt nga votuesit, tani është herët”, është shprehur ai.

Kurse, sa i përket vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për ta dërguar në rivotim komunën e Hanit të Elezit, Baraliu ka thënë se kjo varet prej Supremes së çfarë epilogu do të ketë.

Ai tha se në rast të vendimit nga Supremja për përsëritje të votimit në Han të Elezit, atëherë duhet që KQZ-ja sa më shpejt të shpallë zgjedhjet, në mënyrë që nëse kjo komunë do të shkoj në balotazh atëherë data të jetë 14 nëntori i shpallur nga KQZ-ja për të gjitha komunat.

“Nëse konfirmohet vendimi i Panelit Zgjedhor atëherë i mbetet KQZ që në bazë të atij vendimi dhe vendimit të Gjykatës Supreme të organizoj zgjedhje të reja. Duhet të realizohet mundësia ligjore e turnit të dytë të kandidateve për të marrë pjesë në balotazh, nëse në këto zgjedhje të përsëritura siç ka ndodhur për disa qindra vota ka pasur dallim, atëherë mund të ndodhë që asnjëri të mos arrij 50% dhe duhet të shkonin në balotazh dhe balotazhi do të duhej të ishte mundësia e fundit e tyre krahas të tjerëve në datën e cila është e përcaktuar me ligj dhe rregull zgjedhore, 14 nëntori”, është shprehur ai për FrontOnline.

Mazllum Barlaliu: VV-ja s’ishte e përkushtuar ndaj votuesve, i la pas dore

Rënie në përqindje të votave ka shënuar Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet lokale në krahasim me ato nacionale.

Ky subjekt politik në zgjedhjet lokale ka fituar vetëm 205 mijë e 854 vota, derisa në zgjedhjet nacionale 438 mijë e 336 vota, shkruan FrontOnline.

Njohësi i proceseve zgjedhore, Mazllum Baraliu, thotë se rënia e tyre ka ardhë pasi që ky subjekt politik ka treguar neglizhencë ndaj qytetarëve.

“Natyrisht ndoshta edhe neglizhenca ose vetëkënaqësia nëse mund të themi e subjektit fitues të zgjedhjeve të fundit nacionale i cili subjekt nuk është që ka qenë i përkushtuar sa duhet ndaj votuesit në zgjedhjet lokale, as para fushatës e as pas fushatës dhe kjo në një mënyrë apo tjetër ka lënë përshtypje te votuesit se ka një masë interesimi ose zhgënjimi ose edhe thjesht abandonimi pra lënie pas dore, mos respekt i duhur ndaj qytetarit”, ka thënë ai.

Baraliu, deklaron se në zgjedhjet e 17 tetorit ka pasur ndryshim dhe se ata që kanë punuar kanë arritur të kenë sukses.

“Subjektet politike që kanë punuar shumë menjëherë pas zgjedhjeve nacionale që ta përmirësojnë imazhin e tyre të rënë në zgjedhjet e fundit nacionale në zgjedhjet lokale dhe si duket në një masë apo tjetër disa subjekte ia kanë arritur”, ka deklaruar Baraliu, për FrontOnline.

Qytetarët e Kosovës votuan më 17 tetor për të zgjedhur të parin e Komunës.

Por, ky proces përfundoi vetëm për 16 komuna, pasi që 21 prej tyre kanë shkuar në balotazh, ndërsa një në rivotim./FrontOnline/

Përfito FALAS një pushim për çift në Budva

Të tjera