[wp-story]

Lajme

Ish-partia e Ivanoviqit garon bashkë me Listën Serbe, reagime të shumta

Ish-partia e Ivanoviqit garon bashkë me Listën Serbe, reagime të shumta
19:41 | 05 Shtator 2019

Në kohën kur nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojcic, është në kërkim nga autoritetet në Kosovë si i përfshirë në rastin e vrasjes së liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq, drejtuesit e partisë që udhëhiqej nga ky i fundit, kanë vendosur që t’i bashkohen Listës Serbe.

Iniciativa qytetare e Ivanoviqit ka bërë të ditur se në zgjedhjet 6 tetorit do të garojë në një listë të përbashkët me Listën Serbe, e cila përkrahet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, raporton KTV.

Përmes një komunikate për media, SDP-ja e ka arsyetuar këtë vendim të sajin, duke thënë se ‘serbët në Kosovë kanë nevoje për unitet dhe mbështetje të shtetit të Serbisë për të ruajtur mbijetesën dhe interesat kombëtarë të serbëve’.

“Në këtë moment, serbët në Kosovë kanë nevojë për unitet, mbështetjen e shtetit të Serbisë për mbijetesën dhe ruajtjen e interesave kombëtare”, thuhet në komunikatën nga Iniciativa Qytetare , SDP.

E ky vendim i SDP-së ka shtyrë njërin nga anëtarët e kësaj partie, Marko Jaksiq, të largohet nga strukturat e partisë.

Jaksiqi, përmes një statusi të publikuar në rrjetin social Facebook, ka thënë se ai më nuk do të jetë anëtar i SDP-së. Derisa ka shtuar se drejtuesve të partisë duhet t’u vijë turp nga i ndjeri Oliver Ivanoviq.

“Ajo çfarë mund të shtoj para ditës së nesërme, ndonëse SDP-ja është strukturë joformale krahasuar me ndonjë parti, unë nga sonte nuk jam më anëtar i SDP-së nuk dua që dikush të më lidhë me persona ose opsione politike në çfarëdo forme”, ka thënë Jaksiq.

Vendimi i nënkryetares Ksenija Bozoviq, që t’i bashkohet Listës Serbe, ka revoltuar edhe dy këshilltarët e kësaj partie Igor Rajçiq dhe Dusan Milunoviq, të cilët e kanë dënuar këtë veprim.

Përmes një reagimi, ata kanë thënë se lajmin e kanë mësuar përmes medieve, derisa kanë theksuar se Bozoviqi i ka tradhtuar interesat e partisë dhe të gjithë atyre që luftuan për të gjetur vrasësit e Oliver Ivanoviqit.

Lideri i SDP-së, Oliver Ivanoviq, u vra në janar të vitit 2018, derisa po hynte në zyrën e partisë së tij, SDP, në Mitrovicën Veriore.

Përveç tre personave të cilët po mbahen në paraburgim si të dyshuar në këtë vrasje, Prokuroria Speciale tashmë ka kërkuar urdhër-arrest ndërkombëtar për nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojcic, si i përfshirë në këtë vrasje.

Prokuroria gjithashtu, është duke hetuar edhe një punonjëse të partisë së Ivanoviqit, e cila ditën tragjike kur kishte ndodhur vrasja, dyshohet se kishte qenë afër kamerave të cilat nuk kishin punuar në momentin e vrasjes./ FrontOnline/

Auto Mita me një mundësi të mirë për bizneset – për çdo veturë të re, SERVISI FALAS deri në 100…

Të tjera