Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, për FrontOnline, ka hedhur kritika në drejtim të kryeministrit Albin Kurti për dështimin në realizimin e premtimit për mbështetje të familjeve me fëmijë, bazuar në të ardhurat vjetore.
Ai e cilëson këtë dështim si të papranueshëm dhe ngre shqetësime serioze për besueshmërinë dhe përkushtimin e Qeverisë ndaj nevojave jetike të qytetarëve.
‘’Është e papranueshme që premtimi i Kryeministrit Kurti për mbështetjen e familjeve me fëmijë, bazuar në të ardhurat vjetore, të neglizhohet dhe të mos realizohet brenda këtij mandati katërvjeçar të qeverisë. Ky dështim ngre pikëpyetje serioze për besueshmërinë dhe përkushtimin e qeverisë në largim ndaj nevojave jetike të qytetarëve’’ thotë ai
Reçica theksoi se, në vend të veprimeve konkrete për realizimin e këtij premtimi, qytetarët kanë parë vetëm justifikime dhe përparësi për çështje që nuk reflektojnë urgjencën e problemeve sociale.
‘’Në vend që të ndërmerren hapa konkretë për përmbushjen e këtij premtimi, kemi parë vetëm justifikime dhe përparësi për çështje që nuk reflektojnë urgjencën e vërtetë të problemeve sociale’’ thotë ai.
Ai shtoi se ky dështim duhet të shërbejë si një moment reflektimi për qytetarët, duke i ftuar ata të mendojnë mirë në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
‘’Ky dështim duhet të shërbejë si një moment reflektimi për çdo qytetar që do të dalë për të votuar më 9 shkurt’’ shtoi Reçica.
Ish-ministri Reçica, shpreh pikëpyetje nëse duhet besuar një qeverie të tillë.
“Pyetja është e thjeshtë: A do të vazhdojmë t’i besojmë një udhëheqjeje që nuk përmbush angazhimet e saj, veçanërisht ato që ndikojnë drejtpërdrejt tek familjet më të cenueshme ekonomikisht?”, u shpreh ai.