Ministria e Mbrojtjes e Kosovës është detyruar të martën ( më 1 tetor 2024) t’i huazojë kuzhinierët nga Qendra e Studentëve dhe Shërbimi Korrektues për përgatitjen e ushqimit për ushtarët e Kosovës.
Problemi me ushqimin e ushtarëve të Kosovës është krijuar pasi që kontrata për tenderin e fundit të shpallur për këtë qëllim ende nuk është nënshkruar dhe rrjedhimisht ende nuk ka filluar të zbatohet. Në anën tjetër, tenderit paraprak i ka skaduar kontrata me 30.09.2024.
Çështja e ushqimit të ushtarëve të Forcës së Sigurisë ka ngjallur reagime të shumta në vend, e cila është përcjellë me akuza dhe kundërakuza midis pushtetit dhe opozitës.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ka deklaruar për “Front Online” se sa ka udhëhequr me këtë Ministri nuk ka pasur probleme të tilla.
Ai thotë se ministria e ka të drejtën ta vazhdojë kontratën të njëjtës kompani të ushqimit deri në përzgjedhjen e tjetrës.
“E kanë të drejtën t’ia vazhdojnë të njëjtës kompani që e kanë pas deri në momentin e përzgjedhjes së një kompanie tjetër. Kohën sa isha unë ministër nuk ka ndodhë një gjë e tillë”, u shpreh Berisha për “Front Online”.
Ushqimi për ushtarët e Kosovës, ministri Maqedonci pritet të raportojë në Kuvend