Ekonomi

Ish-ministri i Financave: S’ka zhvillim ekonomik, Kurti po mendon se është në fushatë

Ish-ministri i Financave: S’ka zhvillim ekonomik, Kurti po mendon se është në fushatë
19:00 | 24 Nëntor 2021

Çmimet në Kosovë janë rritur dukshëm, e sidomos në produkte ushqimore.

Për këtë, është ngritur shqetësimi se po rëndohet jeta e qytetarëve, veçanërisht e atyre që jetojnë me të ardhura të vogla e me asistencë sociale.

Qeveria u doli në ndihmë kësaj kategorie për dy muajt e fundit të këtij viti, por çmimet kanë filluar të ngritën edhe në produkte të tjera, esenciale për jetën e qytetarëve.

Por, pavarësisht kësaj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zgjedhur t’i thurë lavde vetës.

Ai në vazhdimësi po deklaron se në Kosovë ka filluar të ketë zhvillim të madh ekonomik dhe se ky është vizion i Qeverisë të cilën ai e udhëheqë.

Por, të kundërtën po e thotë një ish-ministër e që udhëhoqi me financat e shtetit.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, për FrontOnline duke ironizuar me deklaratat e Kurtit thotë se edhe rritja e çmimeve është zhvillim ekonomik.

Ai thotë se kryeministri Kurti ende nuk e ka kuptuar se ka përfunduar fushata zgjedhore.

“Janë rrit çmimet edhe kjo është njëfarë zhvillimi, zhvillimi pra është se vetëm janë rrit çmimet dhe këtë po e them me ironi. Po kam përshtypjen që Kurti ende nuk e ka kuptu që është kry fushata zgjedhore . Ai duhet me dit që duhet me vepru sepse i ka të gjitha kompetencat për me marrë vendime dhe për me pas një zhvillim ekonomik ajo nuk bëhet vetëm pse ti dëshiron, por duhet veprime”, është shprehur Shatri, për Front Online.

Sipas tij, kryeministri Kurti edhe po të kishte buxhetin e Amerikës nuk do të mund t’i vendoste në veprim ato para për të nxitur zhvillimin ekonomik.

“Kjo tash është tepër injoruese edhe për opinionin se unë për tetë muaj e bëra kiametin duke e zhvilluar Kosovën ekonomikisht, nuk është ashtu se për tetë muaj me i pas edhe paret e Amerikës në dorë nuk mundesh me i qit ne veprim për me mujt me nxit një zhvillim ekonomik”, ka thënë ai për FrontOnline.

Shatri thotë se Kurti ende nuk ka marrë ndonjë veprim për këtë çështje, dhe se po tallet me qytetarin.

 

Njohësi i ekonomisë: Kurti nuk ka të drejtë morale të flet për zhvillim ekonomik

Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj në një prononcim për FrontOnline, ka thënë se kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi po bie në kundërthënie me veten.

Kjo për shkak, siç thotë Kadrijaj, kur po kërkohet llogari e përgjegjësi, po thotë se ka vetëm tetë muaj që është në qeverisje, derisa kur vjen koha për suksese atëherë i thur lavde vetës.

Sipas tij, qytetari në Kosovë nuk ka parë ende zhvillim ekonomik.

 “Zhvillim ekonomik deri më tani nuk është parë për faktin se mirëqenia ekonomike vetëm sa është duke u përshkallëzuar edhe me keq për faktin se rritja e çmimeve në cilin do sektorë dhe në çdo shportë të konsumit duke filluar nga shporta e konsumit, e tekstilit, tani energjia elektrike pritet edhe derivatet po ashtu kështu që nuk ka aspak të drejtë morale që t’i jep të drejtë vetes duke i dhënë lavde vetes për faktin se deri më tani qytetari nuk ka parë ndonjë gjë të tillë, por vetëm thjeshtë llafe”, ka thënë ai, për FrontOnline.

 

Njohësi i ekonomisë: Nuk ka zhvillim ekonomik, aq sa po proklamohet

Në Kosovë nuk ka zhvillim ekonomik aq sa po proklamohet. Pra, në këtë drejtim ka stagnim.

Kështu ka thënë në një prononcim për Frontonline, njohësi i ekonomisë Musa Limani.

“Unë mendoj se nuk është me një dinamik me të cilën po proklamohet sepse zhvillimi ekonomik ka arritë një normë jashtëzakonisht të lartë shtatë, tetë apo dikund dy shifror por unë kisha dëshiru të jetë ashtu por duke pas parasysh situatën të cilën e thash dhe duke njohur në aspektin makroekonomik vlerat ekonomike në Kosovë jam skeptik në këtë drejtim që ta pranoj. Prandaj ka zhvillim por jo aq sa thuhet dhe proklamohet”, është shprehur Limani.

Sipas tij, për këtë kanë ndikuar disa faktorë.

“Duke u bazuar nga niveli i arritur i zhvillimit ekonomik në Kosovë deri më tani si dhe problemet të cilat i ka shkaktuar Covid-19 mund të themi se ka një stagnim pra ka paraqit një problem në vete në zhvillimin ekonomik dhe tani kur ia shtojmë gjithë kësaj çështjen e inflacionit , përkatësisht rritjes së çmimeve, pra ka ndikuar të ketë një çrregullim, një destabilizim ekonomik në Kosovë por sido që të jetë pa marrë parasysh këta faktorë sepse kanë pas ndikim negativ në rrjedhat ekonomike”, ka deklaruar njohësi i ekonomisë, Musa Limani.

Ndryshe çmimet e produkteve të konsumit janë rritur ndjeshëm në tetorin e këtij viti në Kosovë, përdallim prej atij të vitit të kaluar 2020.

Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin tetor 2021 me muajin tetor 2020 ishte më e lartë për 5.7%./FrontOnline

Apliko online për kredi në IBAS, përfito subvencionim nga Qeveria

Të tjera