Ish-gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Lahi Brahimaj, ka kujtuar me emocion 12-vjetorin e shpalljes së tij të pafajshëm nga Gjykata e Hagës për akuzat për krime lufte. Në një postim në rrjetet sociale, Brahimaj ka theksuar rëndësinë e datës 29 nëntor për jetën e tij, duke pasur parasysh se 12 vjet më parë, Tribunali i Hagës mori vendimin për lirimin e tij.
“Data 29 nëntor ka një rëndësi të veçantë në jetën time. Sot janë bërë saktësisht 12 vite kur Tribunali i Hagës mori vendimin për lirimin tim. Një natë pasi festuam 28 nëntorin në Hagë, të nesërmen u mor vendimi për lirimin tim nga burgu i Hagës. Kam qenë krenar atëherë për luftën e UÇK-së dhe i tillë jam edhe sot’,” ka thënë Brahimaj.
Ai ka shtuar se 28 nëntori i vitit 2012 mbetet një moment i paharrueshëm për të dhe për gjithë shqiptarët, duke shpresuar që kjo datë të jetë e fundit kur çlirimtarët e Kosovës mbahen padrejtësisht në Hagë. “Uroj që të jetë 28 nëntori i fundit në Hagë edhe për çlirimtarët tanë po mbahen padrejtësisht në Hagë dhe t’i presim së shpejti në Kosovë për të festuar së bashku,” ka shtuar Brahimaj.
Ky vendim ishte një hap i rëndësishëm për Brahimajn dhe për shumë ish-pjesëtarë të UÇK-së, të cilët janë përballur me akuza për krime lufte pas përfundimit të luftës në Kosovë. Me këtë shpallje të pafajësisë, Brahimaj ka theksuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e ligjshme, dhe se ky vendim ka vërtetuar drejtësinë për luftën çlirimtare të Kosovës.