×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime

    “Inovacioni” i Rahovecit/ Punësohen me tender specialistë për pranimin e dokumenteve!

    Fatlum Berisha
    08 Prill 2021

    Për amerikanët, konsulenti, është një specialist që për punë ka dhënien e këshillave dhe informacioneve për bizneset, organizatat e institutcionet rreth një teme të caktuar. Fjalori i tyre të paktën i referohet kështu këtij termi. E të njëjtin kuptim, në parim, ia vë edhe leksiku i Gjuhës Shqipe.

    Megjithatë, komunarët e Rahovecit në krye me udhëheqësin e tyre, Smajl Latifi, e shohin pak më ndryshe. Për ta, konsulent, është edhe dikush, detyrë e vetme e të cilit është pranimi i aplikacioneve. 6 të tillë, m`u për këtë nevojë, ata i kanë punësuar përmes një tenderi, i dhënë me 19 mars të këtij viti. E i finalizuar, disa javë më vonë, në muajin prill, raporton Front Online.

    Të përzgjedhur janë: Albina Dërguti, Valmir Gashi, Bahrije Çmega, Donjeta Dina, Bekim Krasniqi, Alban Gashi.

    6-shja konsulente, punës, ia kanë nisur, tashmë. Ata do të marrin 330 euro rrogë në muaj. Kurse brenda një viti, sa edhe është paraparë të jetë kontrata e tyre, secilit do t`i bie të arkëtojë nga 3 mijë e 960 euro.

    Një nga kontratat e finalizuara nga komuna e Rahovecit

    Komuna iu dha këtyre epitetin konsulentë me qëllim që të jetë në përputhje me rregulloren e veçantë të Komisionit Rregullativë të Prokurimit. Kjo e fundit u ka mundësuar institucioneve të angazhojnë specialista të ndryshëm duke i shpërblyer me kontrata përmes tenderëve, raporton Front Online.

    Kryetari e aryeston tenderin, INPO gjen keqpërdorim

    Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi e ka arsyetuar tenderin.

    “Ne vetëm e kemi aplikuar Ligjin e Ri me tender. Nuk e pranon programi i Prokurimit veçse me emrin konsulent. Detyrat e tyre janë të përshkruara në kontrata pastaj”, tregoi Latifi për Front Online.

    Por, neni 3 i rregullores e specifikon qartë se një procedurë e tillë e punësimit të konsulentëve mund të vihet në funksion pos në ato raste kur institutcionet nuk kanë brenda administratës persona të profileve që u duhen. E edhe atëherë kur zyrtarët nuk mund të rekrutohen sipas procedurave të Ligjit për Zyrtarët Publik.

    Komuna ka punësuar njerëz në disa pozita që nuk “rrokin” në këto kategori.

    Qëndrim Arifi nga INPO përmend disa prej tyre, derisa tregon edhe arsyet.

    “Në aktivitetin e zhvilluar nga ana e Komunës së Rahovecit, përkatësisht në Dosje të Tenderit shihet se komuna do të punësojë konsulentë për pranimin e aplikacioneve, anketues, pranim të lëndëve, menaxhim të pyjeve e të ngjashme, ku përveç që nuk kemi të bëjmë me fushë specifike, gjithashtu të gjitha këto pozita mund të plotësohen nëpërmjet Ligjit për Zyrtarët Publik”, u shpreh ai për Front Online.

    Qëndrim Arifi – INPO

    Andaj ky thotë se në Rahovec komuna ka keqpërdorë rregulloren.

    “Për pasojë, përfundojmë se Komuna e Rahovecit ka keqpërdor Ligjin, përkatësisht “Rregullat për Shërbime të veçanta (Konsulentët/Kontraktorët individual)” për të punësuar persona të caktuar ani pse punësimi i tyre nuk ka të bëjë me një konsulencë në fushën specifike”, u shpreh Arifi për Front Online.

    Mega-tender,  staf prej 30 vetash 

    Tenderi “inovativ” nuk mbaron me 6 punësime. Është më i madh se kaq, një mega-tender. Aty përfshihet edhe punësimi i 24 personave tjerë. Edhe për këto rekrutime, pushtetarët lokalë rahovecianë, janë thirrë në po të njëjtën rregullore, atë të Komisionit Rregullativë të Prokurimit.

    Arbnor Kabashi, Egzon Thaçi dhe Faik Thaqi i prijnë listës së gjatë. Ata do të jenë konsulentë për “pranimin e lëndëve dhe regjistrimin e kërkesave”.

    Një punë më pak se trinomi i lartëpërmendur do ta kenë konsulentet binome, Vjollca Berisha dhe Germia Gashi, të cilat do të merren vetëm me pranimin e lëndëve, shkresave dhe dokumenteve.

    Rinisë, Kulturës e Sportit i është dhënë fokus i veçantë, raporton Front Online.

    Idetë e tyre për këto kategori do t’i derdhin në projekte: Fjolla Berisha, Shpetim Dulaku dhe Edin Shtavica. Të tre janë emëruar si konsulentë individual për këto punë. Koordinimin mes tyre dhe ojq-ve të tjera, me të cilat këta kanë punë, do ua bëjnë Albulena Rexha dhe Granita Behra. Për rininë do të djersitet edhe Shqipe Shabani.

    Jetmir Ukajt i është besuar arkitektura. Inxhinieria, Shpetim Bajraktarit.  E menaxhimi i pyjeve është lënë në duart e Zamir Haxhibeqirit.

    Anketimi i tatimit në pronë i është besuar metodave të Pajtim Haxhijahas, Minire Hotit dhe Agnesa Ramdanit. Derisa sistemin informativ shëndetësor rahovecian do ta asistojë Valentina Hajda. Në anën tjetër, këshillat për monumentet kulturore dhe historike do të vijnë nga mendja e Besarta Shehut.

    Rekomandimet sa i përket menaxhimit të “kuletës” së komunës, nga e cila dalin të hollat për realizimin e këtyre projekteve dhe ideve, i janë besuar Zyber Thaqit dhe  Qendresa Kryeziut. Këta dy, mund, do të dhënë në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa. Në drejtori po, veçse atë të Ekonomisë, kontribut do të japë edhe Mimoza Ejupi.

    Lista e gjatë e punësimeve përmbyllet me Behar Hotin dhe Fitore Shalen. Nga një vend, atyre, u është rezervuar në Inspekcion.

    Mbi 130 mijë euro harxhime për paga – opozita kërkon arsyetim

    Të gjithë zyrtarët e punësuar do të paguhen me nga 330 euro në muaj apo 3960 euro në vit. Në total, angazhimi i tyre si staf prej 30 vetash, për 12 muaj komunës së Rahovecit do t`i kushtojë mbi 130 mijë euro.

    Nga opozita në këtë komunë thonë se nëse pozita nuk i arsyeton këto mjete, duhet t`i bartë pasojat, raporton Front Online.

    “Nëse nuk e japin arsyetimin natyrisht se kostoja është e dëmshme për buxhetin. Duhet me këqyr pse ka ndodhë kështu. Nëqoftëse s`kanë mbulesë, sigurisht që e dëmton komunën”, tregon Dervish Qadraku, asambleist i VV-së në Kuvendin komunal të Rahovecit.

    Dervish Qadraku, asambleist i VV-së në Rahovec

    Komuna kishte pasur në plan t`i merrte në punë edhe 3 persona të tjerë.

    Por, në dy prej 33 pozitave të hapura, nuk kishte pasur fare aplikues, raporton Front Online.

    Kurse tek një tjetër aplikuesi, u eliminua meqë siç thanë nga zyra e Prokurimit në Rahovec, nuk i kishte plotësuar kushtet e vendosura./FRONT ONLINE

    Cilësi, gatim dhe shpërblim
    Nga Rubrika
    Lajme19 Prill 2024
    Një 17 vjeçar është arrestuar sot në Ferizaj nën dyshimin se ka tentuar ta vras me thikë një 20 vjeçar. I lënduari...
    Lajme19 Prill 2024
    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka konfirmuar arrestimin nga policia serbe të shtetasit kosovar dhe asaj britanike, Sadik...
    Lajme19 Prill 2024
    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter, Stano, tha për Radion Evropa e Lirë të premten se ngjarjet e fundit, që kanë të bëjnë...
    Të tjera
    Ekonomi19 Prill 2024
    Shqipëria ka njohur një rritje të fortë të importit të fruta-perimeve gjatë këtij viti. Të dhënat tregojnë, se Shqipëria bleu rreth 70...
    Bota/Rajoni19 Prill 2024
    Ogranizata e Kombeve të Bashkuara kanë dënuar shkatërrimin e qëllimshëm të pajisjeve mjekësore të Gazës, shkruan BBC, përcjell klankosova.tv “Misionet e fundit...
    Lajme19 Prill 2024
    Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi ka thënë se stërvitjet ushtarake të Serbisë, të quajtura “Vorbulla 2024”, paraqesin shqetësim për institucionet...
    Lajme19 Prill 2024
    Policia e Kosovës ka arrestuar sot në Ferizaj një shtetas të Maqedonisë së Veriut, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet...
    Bota/Rajoni19 Prill 2024
    Policia suedeze ka qëlluar dhe arrestuar një burrë që dyshohet se ka plagosur tre gra me një objekt të mprehtë në Vasteras,...
    Lajme19 Prill 2024
    Njësiti i hetimeve të stacionit policor të Drenasit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë në ofrimin e informatave, të cilat do...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.