[wp-story]

Kronika

I burgosuri rrëfen ngjarjen e 23-vjeçarit që u vetëvra në Burgun e Dubravës

I burgosuri rrëfen ngjarjen e 23-vjeçarit që u vetëvra në Burgun e Dubravës
17:07 | 06 Shtator 2019

Një i burgosur nga Burgu i Dubravës përmes një telefonate në Koha.net , i cili ka dashur të mbetet anonim (emër i njohur për redaksinë), ka dhënë informacione pas vetëvarjes së 23-vjeçarit F.I.

Ai ka mohuar deklaratat që janë lëshuar nga KMDLNJ-ja dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, duke thënë se asnjëra s’janë të vërteta.

Sipas tij, i burgosuri F.I, nuk është takuar me ndonjë psikolog, ashtu siç deklaroi KMDLNJ-ja që i F.I, “gjatë qëndrimit në Burgun në Dubravës është vizituar nga psikologu, psikiatri, pulmologu, stomatologu dhe mjekët e tjerë me ç’rast ka deklaruar se e mendon vetëvarjen”.

Megjithatë, raportet e monitorimit nga Avokati i Popullit dhe organizatat tjera, ndonëse flasin për kushte jo të mira në burgjet e Kosovës, nuk e mohojnë që të burgosurit kanë vizita të rregullta mjekësore e të punonjësve socialë.

I burgosuri që është në vuajtje të dënimit, thotë se ai dhe të tjerët, kurrë s’takohen me psikologë e psikiatër, madje, as s’dinë nëse aty ka të tillë.

Ai ka thënë se ka qëndruar me F.I në të njëjtën ndërtesë, dhe realisht, ai kurrë s’ka përmendur vetëvrasjen por ka kërkuar të vizitohet nga një mjek. Në të kundërtën, siç thotë ky, ai s’ka gjetur mbështetje por është rrahur me shuplaka nga shefi i ndërrimit.

“Është për keqardhje çka po ndodh këtu. Qysh mundet një institucion me kamuflu këso gjërash. Në një ndërtesë me F.I kam qenë. Ai është varë për arsye tjera. Kanë dhënë motive tjera të vetëvrasjes. Edhe KMDLNJ e ka dhënë një deklaratë që është skandaloze. Në burgun e Dubravës nuk ka psikologë e as psikiatër. 90 për qind e të burgosurve as nuk i kanë parë ndonjëherë. Problem është që e ka trajtuar ndonjëherë dikush këta (F.I)”, është shprehur i burgosuri.

“Nuk është e vërtetë që ai (F.I) ka paralajmëruar vetëvrasje. Ai ka lyp ndihmë mjekësore dhe nuk e kanë dërguar tek mjeku. Janë deklarata skandaloze, është e habitshme qysh shteti me bo një gjë të tillë, i mban njerëzit në burg për krime e vet ju bën krim. Ai ka lyp ndihmë për shkak të dhimbjeve të kokës, stafi ka refuzuar ta dërgojë përkundrazi, kemi edhe dëshmitarë, shefi i ndërrimit e ka goditur dy herë me shuplakë, dhe më pas ai e ka fur veten”, shprehet ai, duke kërkuar të mbetet anonim sepse siç u shpreh ai, “tani këta po na hakmerren”.

I njëjti ka treguar për kushtet e rënda higjienike e ato elementare që i kanë. Thotë se terapitë, duhet t’i kërkojnë vet prej shtëpisë.

“As në Afganistan nuk është kështu. Që 7 vjet nuk janë ndërruar dyshekët, kundërmojnë erë e është e pamundur të flesh aty. Terapinë detyrohemi me marrë prej shtëpisë. Le të bëhet një Komision i pavarur e le të vie e ta verifikojë, të gjitha qëndrojnë. Neglizhenca është në maksimum, shëndetësia është katastrofale, ushqimi tepër keq. Pakot ushqimore na kanë ndaluar”, u shpreh tutje ai.

Pak muaj më parë Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se të burgosurit në burgun e Dubravës, në vazhdimësi përballen me dhunë fizike, kërcënime, shantazhe e fyerje./kohanet

Auto Mita me një mundësi të mirë për bizneset – për çdo veturë të re, SERVISI FALAS deri në 100…

Të tjera