×
  • Lajme
  • Lajme

    I akuzuari për krime lufte mohon fajësinë, thotë se natën kritike ndodhej në Serbi

    FrontOnline
    03 Mars 2021

    Njëri nga dy të akuzuarit për krime lufte ndaj popullatës civile më vitin 1999 në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizajt, Z.K ka thënë se natën kritike të 26 marsit 1999, ai nuk kishte qenë në Kosovë, por në Kragojevc të Serbisë.

    Një deklarim të tillë i akuzuari për krime lufte Z.K e bëri në seancën e së mërkurës, me rastin e dhënies së mbrojtjes së tij.

    “I kam thon avokatit tim, më 20 ose 21 mars 1999 kam shkuar me bashkëshorten në Kragojevc, dhe atje e kam prit bombardimin. Më 26 i bjen që kam qenë në Kragojevc”, tha i akuzuari Z.K.

    D.Sh. bashkë me Z.K. akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serb kishin kryer veprën penale krime lufte.

    I pyetur nga mbrojtësi i tij, avokati Dejan Vasiq, se kur kishte dëgjuar për vrasjen e katër anëtarëve të familjes N., i akuzuari Z.K u përgjigj se për rastin kishte kuptuar nga nëna e tij, pas ardhjes në Nerodime nga Kragojevci.

    “Këtë e kam dëgjuar prej nënës kur kam ardhur prej Kragojevcit, e kemi pyetur njëri-tjetrin çka të re, kur e kam pyet unë çka ka të re në Nerodime, më ka thonë djali jem kam dëgjuar që kanë vdekur ata që e kanë ble tokën prej neve. Pas një ose dy ose tri orë, kam dëgjuar prej tjerëve, te çështja në shitore, kam dëgjuar se në udhëkryqin në Babush kanë vdek nga familja e O.N”, ka thënë i akuzuari Z.K.

    I akuzuari Z.K deklaroi se raportet mes tij dhe të dëmtuarve nga familja N kanë qenë të mira dhe se lajmi për vrasjen e tyre e kishte tronditur rëndë atë.

    Më pas, Z.K pohoi se kishte qenë i mobilizuar tri herë nga policia serbe, nga 15 ditë, gjatë viteve 1997-1998, e më pas ishte larguar për në Kragojevc, pas ç’lajmërimit nga policia.

    “Nga viti 1978 deri në vitin 1992, kam qëndruar në Kragojevc. Në vitin 1992 jam kthyer dhe deri në vitin 1998 kam jetuar në Nerodime. Gjatë kësaj periudhe 3 herë kam qenë i mobilizuar, deri kur jam ç’lajmëruar nga Ferizaji. Atëherë kur për herë të tretë kur kam qenë në Ferizaj, ata kanë dasht që të më qojnë në Carralevë, nuk kam dashtë të shkoj, aty kanë dasht t’i ndërmarrin disa sanksione, të cilat nuk i di, ka qenë një mosmarrëveshje që më kanë kërcënu se duhet të shkoni, e pas jam ç’lajmëruar nga Ministria e Punëve të Brendshme”, deklaroi i akuzuari Z.K.

    I akuzuari Z.K. pranoi se të dëmtuarit kishin blerë një pronë nga ai, e se për këtë ata edhe ishin marrë në pyetje nga policia serbe.

    “Unë kam thon që s’kom dëgju që kanë pas problem me policinë, ndërsa kur e kanë ble tokat na kanë thirr edhe neve edhe ata në polici, dhe na kanë marr në pyetje a kanë pagu, a i kanë dhanë lektë, ata i kanë pyet prej nga i ke të hollat me ble toka të serbëve”, shtoi i akuzuari Z.K.

    Në fund të dëshmisë së tij, i akuzuari Z.K mohoi se e kishte njohur më parë të bashkakuzuarin D.Sh dhe tha se pret që drejtësi për të dhe për të dëmtuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Për herë të parë D.SH e kam pa këtu në gjykatë. Zotëri kryetar, kisha dasht që edhe për mu edhe për ata që drejtësia të përfundojë”, tha në fund i akuzuari Z.K.

    Pas dhënies së mbrojtjes nga i akuzuari Z.K, seanca pritet të vazhdojë me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari i dytë, D.SH.

    Ndryshe, pas konfirmimit të aktakuzës gjykata kishte nisur shqyrtimin gjyqësor në korrik të  vitit 2020, ndërkaq seanca fillestare ishte mbajtur në janar të vitit 2020 ku dy të pandehurit kishin mohuar fajësinë.

    Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 dhjetor 2019, i akuzuari Z. K., më 26 mars 1999, rreth orës 22:00, në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizaj, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serb, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije e qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë direktë në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes N. që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur.

    Gjithnjë sipas aktit akuzues, i njëjti gjatë këtij aksioni në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, fillimisht me mjete motorike ushtarake dhe policore, ka hyrë në oborrin e shtëpisë së O. N, e pastaj nën krisma të armëve dhe britmave në gjuhën serbe, rrëmbyeshëm dhe me formë kanë hyrë brenda në shtëpi, ku ishin të strehuar 19 anëtarët e kësaj familje, në mesin e tyre fëmijë, gra e burra.

    Pastaj, thuhet se i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë të cilët u përkisnin forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, ka marrë pjesë në cenimin e rëndë të personalitetit dhe dinjitetit të pjesëtarëve të kësaj familje, ngase me forcë nën kërcënimin e armëve, duke ndjellë frikë për jetën e tyre, i kanë nxjerrë dhunshëm nga shtëpia dhe duke i trajtuar në mënyrë jo humane i kanë rreshtuar në oborr para shtëpisë duke i mbajtur nën frikë dhe presion për një kohë të gjatë.

    Tutje, thuhet se në vazhdim derisa personat civil të familjes N., ishin të rreshtuar në oborr, në prezencën e tyre, i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë, ka marrë pjesë në shkatërrimin e paligjshëm dhe qëllimshëm të pasurisë së kësaj familje, djegien e shtëpive, kafshëve, ushqimin e kafshëve dhe gjithë pasurinë që gjendej në oborr, pasuri kjo që nuk justifikohej me nevoja ushtarake.

    Pastaj, sipas akuzës, i pandehuri në të njëjtën kohë ka marrë pjesë edhe në dëbimin e 15 anëtarëve të kësaj familje, të cilët paraprakisht ishin të rreshtuar në oborr, ku në bashkëveprim edhe me kryerës tjetër, nën kërcënimin e armëve  i kanë urdhëruar të shpërngulen nga vendbanimi i tyre duke i dëbuar me forcë në drejtim të panjohur.

    Tutje, thuhet se i pandehuri ka marrë pjesë në marrjen peng të katër personave të kësaj familje, i cili duke vepruar në bashkëveprim me kryerës tjerë, fillimisht i ka ndarë nga pjesëtarë tjerë të familjes, personat O. N, B. N., A. N. dhe B. N., tani të ndjerë. Pas marrjes të tyre, thuhet se thelbësisht ka kontribuar në trajtimin mizor të tyre, duke i maltretuar, torturuar, gjymtuar dhe përfundimisht vrarë me armë zjarri, kufomat e të cilëve me qëllim të fshehjes së krimit i kanë hedhur për skaj rrugës magjistrale Prishtinë – Ferizaj, konkretisht në fshatin Babush.

    Për këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së, të paraparë edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventae të Gjenevës nga neni 146, paragrafi 1 dhe 2 , nënpargrafi 2.1,2.2 dhe 2.3 të KPRK-së, ndërlidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Kurse, i pandehuri D. Sh., sipas aktakuzës, më 1 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pajetë, viktimave O. N., B. N., A. N. dhe I. R., ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

    Sipas akuzës, në një njëjtën ditë, sipas urdhrit të të pandehurit dhe pjesëtarëve tjerë policorë, trupat e pajetë të viktimave të cekura si më larë, përmes personave H. K., I. A. dhe një personi tjetër i quajtur “Rada”, me kamionin e tipit “FAP”, me ngjyrë të verdhë janë tërhequr nga Morgu i Prishtinës, ende pa u bërë autopsia dhe janë dërguar në afërsi të varrezave të qytetit të Ferizajt të quajtura “varrezat myslimane”, ku aty ishte duke i pritur i akuzuari D. Sh., i cili menjëherë posa kanë arritur trupat e pajetë, ka urdhëruar personin e quajtur “Maksut”, që me ekskavator të fillojë hapjen e një grope me qëllim të hedhjes së këtyre.

    Ndërkaq, më pas, akuza thotë se pas hapjes së gropës me përmasa përafërsisht 2 deri në 3 metra e gjerë dhe 70 deri në 80 cm të thellë, i pandehuri D. Sh., ka urdhëruar që trupat e të vrarëve fillimisht t’i zbresin nga kamioni, e pastaj pa u respektuar traditat dhe ritet fetare janë hedhur në mënyrë të parregullt të gjithë në të njëjtën gropë masive.

    Sipas akuzës, në përfundim, i pandehuri në kundërshtim me doket, zakonet dhe rregullat fetare të të vrarëve ka urdhëruar që përmes ekskavatorit trupat e pajetë të hedhur në gropë masive të mbulohen me dhe, duke mos mbajtur asnjë shënim për identitetin e të varrosurve dhe duke mos lënë asnjë shenjë identifikuese se aty ka varrezë.

    Më këtë, akuzohet se ka kryer veprat penale “krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 LP të RSFJ-së, aktualisht e dënueshme edhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës nga neni 146, paragrafi 2.2 “ Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës”.

    Afër dhjetë mijë banorë të fshatrave të Skenderajt përfitojnë nga rrjeti i ri elektrik
    Nga Rubrika
    Ekonomi19 Prill 2024
    840 mijë qytetarë kanë kaluar përmes aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ndërsa periudha e njëjtë e vitit të kaluar ka qenë...
    Lajme19 Prill 2024
    Çmimet e naftës dhe arit janë rritur menjëherë pas sulmit izraelit drejt Iranit. Investitorët kanë ndjekur nga afër reagimin e Izraelit ndaj...
    Lajme19 Prill 2024
    Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci ka thënë se ka informacione se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës mund të shtyhet,...
    Të tjera
    Lajme19 Prill 2024
    Një mashkull ka sulmuar një mashkull tjetër në Ferizaj, duke i shkaktuar dhunë fizike. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar...
    Lajme19 Prill 2024
    Një person i gjinisë femrore është arrestuar pasi e njëjta përmes rrjeteve sociale kishte kanosur mashkullin kosovar, shkruan FrontOnline. Pas kontrolles femrës...
    Lajme19 Prill 2024
    Një mashkull është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi i njëjti ka ushtruar dhunë dhe ka sulmuar fizikisht një mashkulli tjetër, shkruan...
    Lajme19 Prill 2024
    Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi i njëjti ka ushtruar dhunë ndaj viktimës femër. Me vendim të Prokurorit i...
    Lajme19 Prill 2024
    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës sepse sipas tij ai dha Asociacionin për Këshillin...
    Lajme19 Prill 2024
    Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri në një deklarim për FrontOnline thotë nuk pret sukses nga ky votim dhe se Komisionet Komunale...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.