Drejtori i Arsimit në Komunën e Hanit të Elezit, Hysni Luri, për Front Online ka deklaruar se komuna e tij ka mungesë librarish, dhe prindërit janë detyruar të udhëtojnë në Ferizaj për të blerë libra, shpesh duke pritur me orë të tëra dhe pa mundur të sigurojnë librat e nevojshëm.
Megjithatë, ai theksoi se sivjet kyçja në platformën “E-Kosova” ka qenë më e lehtë, krahasuar me vitin e kaluar, falë angazhimit të administratorëve të shkollave. Sidoqoftë, ndihma për prindërit që nuk kanë mundësi të marrin subvencion është e kufizuar, sidomos për ata që jetojnë në zona neutrale si lagjja Bardhi, ku fëmijët kanë dokumente të Republikës së Maqedonisë Veriore dhe për këtë arsye nuk mund të përfitojnë subvencione.
“Komuna e Hanit të Elezit ka mungesë të librarive dhe e ka më vështire të furnizohen nxënësit me libra , për shkak se duhet të shkojnë librat me i ble në qytetin e Ferizajt , problemi tjetër është se prindërit edhe kur kanë shkuar i është dashur të presin me orë të tëra edhe në fund prapë nuk kanë mundur ti sigurojnë”, ka deklaruar ai për FrontOnline.
Sipas tij, sivjet kyçja në këtë platformën E-Kosova ka qenë më e lehtë , edhe pse ankesa kemi te prindërit të cilët nuk kanë mundësi të marrin subvencionim , pra fëmijët e tyre nuk posedojnë dokumente të Kosovës. “ Kemi shembull një fshat që është në zonë neutrale është lagjja Bardhi që prindërit e tyre kanë dokumente të Kosovës, por fëmijët e tyre kanë dokumente te Republikës së Maqedonisë Veriore , ata nxënës mësim mbajnë tek ne mirëpo nuk marrin subvencion”, u shpreh Luri.
Problemet në furnizimin me libra shkollor/Katër Komuna demantojnë ministren Nagavci