Opinione

Historia dhe iluzionet: Tito, Evropa dhe fashizmi

Historia dhe iluzionet: Tito, Evropa dhe fashizmi
17:49 | 19 Maj 2020

E kam parë me dhjetëra herë fjalimin e fundit të Josip Broz Titos, në Ditën e Rinisë, që dikur organizohej me 25 maj, për hir të ditëlindjes së tij. Titos i këndonin edhe shqiptarët atëherë “pëllumb bardhit”, në të gjitha trojet brenda ish-Jugosllavisë. Tash këtu shqiptarët në nostalgji bëjnë përjashtim, duke nxjerrë jashtë gabimisht edhe Luftën e Lëvizjes Nacional Çlirimtare-LNÇ, pra faktin që si popull qëndronin në anën e kundër të fashizmit, pavarësisht se nuk ka dyshim që në këtë shtet kanë qenë më të diskriminuarit. Në ato momente kur Sanije Hyseni, një studente nga Prishtina i drejtohej presidentit të ish-Jugosllavisë në stadiumin e stërmbushur, përveç studentes shqiptare dhe elozheve që ajo i thurte, sigurisht në shpirtin e kohës me fjalitë “këtë popull asgjë nuk mund ta thyej, as sot as nesër, kurrë”, ishte fakti dhe retorika që shoku Tito, i veshur me rrobat e tij solemne (tash quhet gala) dhe të bardha i thoshte duke folur për luftën si një e shkuar që jetonte edhe në vitin e largët 1979. Këto do të ishin momentet e fundit të Jozhës së vogël, siç e quanin disa, para vdekjes dhe varrimit madhështorë me vonë që rrallë do ta mbajë mend historia me aq shumë burrështetas në një delegacion. Gjithsesi, Tito tash jeton në shumë zemra të shumë jugosllavëve, edhe pse jo publikisht për shkak të linçimit, në zemrat e tyre edhe shumë shqiptar të moshuar.

Padyshim, këtu jo domosdshmërisht duhet parë si një gjë e keqe nostalgjia për Titon, pasi një pjesë e madhe e bazamenteve shoqërore në tërë ish-Jugosllavinë, por edhe në zonat shqiptare është vënë në një periudhë nën emrin e bashkim vëllazërimit. Por, Tito pa dyshim që ka qenë një diktator edhe pse më shumë elegant se sa të tjerët, më i zgjuar përfundimisht dhe mbase po të ishte në këtë sistem, do quhej diplomat i zgjuar. Por, nostalgjia s’është për njeriun. Ankthi që mbillte sistemi për armiqtë ka qenë një pjesë përbërëse e çdo sistemi totalitar. Natyrisht, Tito mbase të vetmen gjë që nuk e kishte imagjinuar kur thoshte se “një vend me rini të tillë, nuk ka nga çfarë të frikësohet”, nuk e kishte imagjinuar kurrë që fara e socializmit nuk ishte mbjellë tek të gjithë dhe se do të ishte pikërisht kjo rini që do ta rrënonte deri në themele e më gjerë shtetin gjigant të Jugosllavisë. Gjatë këtyre viteve punë është e pashmangshme të mos shkruash për figurën e tij, pavarësisht se ka vdekur prej kohësh. Dikur në Beograd, Joshka, nipi i tij kishte një tavernë të vizituar gjithmonë. Në Beograd, disa restorante mbajnë emrin e tij. Në Vojvodinë një person ka ndërtuar parkun e Jugosllavisë, ndërkaq në vendlindjen e tij në fshatin në kufirin Kroaci-Slloveni, në Kumorovec vazhdon të jetë gjithçka njësoj, pavarësisht se kroatët gjithashtu janë ndarë nga kjo histori. Një nga vendet me të vizituara në bregdetin kroat është ishulli, dikur rezidencë e Titos, në Brijuni, pasi atje vazhdon të jetë i gjallë koleksioni i tij i takimeve, por edhe kopshti zoologjik. Vizita kushton së paku 25 euro. Në mes të dy herëve të fundit që kam qenë atje, Titos i kishte ngordhur Soni, një nga dy elefantët që ia kishte sjellë dhuratë Indira Gandhi, nga India dhe ky u bë lajm në një pjesë të mediave të botës.
Thonë se në ish Jugosllavi dihej gjithçka në rendin e tij, madje vet Tito fliste për lirinë e shprehjes.“Ke mujt me flet në park, mos me të nguc kurrkush”, thonë shumica. Por, ata që nuk janë pajtuar shpesh kanë përfunduar në ishullin famëkeq të Goli Otokut, që njihej si Alkatrazi jugosllav. Por, ende mijëra slloven (që prijnë çuditërisht në numër), arrijnë në “Shtëpinë e luleve”, mauzoleun e presidentit ku ndodhet edhe varri edhe muzeu i Jugosllavisë. Një gjë e ngjashme ka qenë në vitin 2013, kur për në banesën e saj pranë varrit të liderit, u përcolle gruaja e fundit e tij dhe zonja e parë e shtetit fantazëm, Jovanka e Titos. Jo pak e kishin adhuruar edhe të shoqen, pavarësisht historive të dyshimta të saj në rolin me të shoqin. Kështu popujt që u përgjakën, sllovenët që e duan dolën të parët nga federata jugosllave, njëkohësisht kroatët e ruajnë se e kanë të tyrin, kurse serbët e lidhin me trashëgiminë e tyre dhe askush nuk e sheh atë si një kroat.

Këtë vit, qëlloi që 4 maji, dita e vdekjes së tij të jetë në kohën e koronës, por nuk ishin të pakët ata që I shkuan te varri, përfshirë edhe shefin e diplomacisë serbe, socialistin Ivica Daçiç. Ditë më vonë pasoj edhe dita e Evropës, një ditë që e ndajnë bashkë Perëndimorët me vendet e ish Bashkimit Sovjetik që janë larg të drejtave të njeriut. Evropa e shënon nëntë majin si ditën e saj, por ndryshe e bëjnë Rusia apo këtë vit më spekakulare ishte Bjellorusia.

Në kohën kur bëhej Lufta e Dytë Botërore, Evropa kishte pjellë dhe duhej ta zhbënte një ideologji shkatërruese siç ishte fashizmi dhe duhej të merrte përgjegjësinë për paqen në kontinentin e vjetër, por edhe bota e aletëve. Kanë kaluar plotë 75 vjet që nga përfundimi i asaj lufte dhe fatkeqësisht Evropa ende ka fashizëm, urrejtje dhe dhunë politike. Lufta e ftohtë, e zhvilluar tutje në sfera të tjera, krijon ende ide totalitare që e shtyjnë botën drejt një humnere, natyrisht tash në emër të demokracisë dhe populizmit politik që është i ngjashëm me fjalimet komuniste. Por, përse kaq shumë e duan njerëzit ende Titon e vdekur seriozisht prej kohës? Shumë thonë se po të bëhej ringjallja e Titos ngjashëm me atë të Krishtit, këta që sundojnë do ta shihnin se si do të zhdukeshin. Ose, kur diçka nuk shkon kërcënimet janë: në kohë të Titos si puna e këtij përfundonte në Goli Otok. Personazhet e tilla duken në makinën e udhëtimit në kohë si një film science fiction dhe të papërsëritshëm. Mijëra njerëz ende në Rusi nderojnë Stalinin e Leninin, ka plotë që vazhdojnë të jenë makrsist në zemër apo edhe të atillë që e nderojnë një rrymë apo tjetër si Maon e Kinës. Më të pakët përfundimisht janë fansat e Causeskut të Rumanisë apo Enver Hoxhës. Por, përse Titon e duan ende njerëzit që nuk e mbajnë mend madje dhe bindshëm diktatori më i lavdëruar? Sigurisht që në ketë pjesë të botës, pas komunizmit, rezultati le për të dëshiruar dhe njerëzit janë nostalgjik të një jete me sistem që për një pjesë të madhe jugosllavësh ishte më shumë “nënë se sa njerkë”.

Një slogan jugosllav në serbo-kroatisht për industrinë ka qenë “od igle do lokomotive”- përkatësisht nga gjilpëra e deri tek lokomotivat. Pra, prodhimi. Në ish-Jugosllavi dëgjohej muzikë Perëndimore, xhinset lejoheshin, arti, filozofia e historia, bunti e në njëfarë forme edhe hipit, luksi e deri tek revistat e stripave si Alan Ford apo ato erotike si Playboy. Por, dihej vetëm mbyllje gojën kundër njërit.

Në ish-Jugosllavi vlente një rregull i artë si komunizmi më liberal i historisë, mund të kritikojë kë të duash, edhe funksionimin e partisë, ligjeve, mund të kritikoje ministra e shumë gjëra të tjera, por joTiton. Tani shumica e këtyre nostalgjikëve mendojnë, ndoshta me të drejtë, se tani mund të kritikosh kë të duash, përveç shumicës dhe qindra mijëra njerëzve të tjerë të pushteteve barkëmëdhenjë e të uritur, por shteti gjendet rrallë në gjurmë. Dhe, kurrë gati për qytetarin. Ndoshta historia edhe ne do na mbajë mend si epokë të veçantë. Por, shtrohet pyetja a do ketë nostalgji? (Koha.mk)

Petrol Company në muajin e shenjtë të Ramazanit, dhuron pako ushqimore per familjet nevojtare në qytetin e Vitisë

Të tjera