Gjuha:
×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj: Krijimi i Asociacionit, rruga e vetme për të arritur tek marrëveshja finale

    FrontOnline
    2 muaj më parë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj thotë se Prishtina nuk duhet të mbetet peng i Asociacionit dhe se zgjidhja e kësaj çështjeje është rruga e vetme për të arritur tek marrëveshja finale Kosovë-Serbi.

    Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një prej çështjeve që ka krijuar tension mes Prishtinës dhe Beogradit, por edhe mes Prishtinës e faktorit ndërkombëtar.

    Gjatë një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Haradinaj vlerëson qëndrimin e Uashingtonit në këtë proces, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara, po ndihmojnë Kosovën të kalojë pengesën e fundit, për të arritur tek marrëveshja finale.

    Haradinaj tha gjithashtu se i ashtuquajturi propozimi evropian, i cili sipas tij në fakt është më shumë amerikan, është një mundësi reale që Kosova të “divorcohet” nga Serbia.

    Zoti Haradinaj, pas takimit me përfaqësues të klasës politike dhe shoqërisë civile, ambasadori amerikan në Kosovë, ritheksoi se çështja e krijimit të Asociacionit është një çështje urgjente dhe tani pritet propozimi i palës shqiptare për të. Cili është mendimi juaj, a duhet të krijohet Asociacioni?

    Haradinaj: Besoj që ambasadori po bën një punë të madhe dhe po i jep një ndihmë Kosovës, për t’i hequr pengesën e fundit para mbërritjes tek mundësia e arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë, në atë që njihet si plani franko-gjerman. Kosova duhet ta gjejë një rrugë që të mos mbetet peng i Asociacionit për të arritur këtë marrëveshje. Puna që ka bërë sot ambasadori është një mënyrë për ta konsumuar procesin deri në arritjen e marrëveshjes.

    Uashingtoni dhe Brukseli e kanë thënë qartë se procesi i Asociacionit duhet të ecë paralel me planin e BE-së, pra sipas tyre janë procese të ndara, që nuk kushtëzojnë njëri-tjetrin. A mendoni se debati në Kosovë për Asociacionin duhet të fillojë pa vonesë?

    Haradinaj: Debati është çdo herë i duhur. Çështja e Asociacionit ka fituar peshë me zhvillimet e fundit, pra krizat e njëpasnjëshme në veri dhe tensionet atje. Kjo është mundësia e vetme, nuk ka rrugë tjetër as Kosova as palët e tjera për të arritur tek marrëveshja përfundimtare, pa i dhënë një epilog çështjes së Asociacionit. Asociacioni për Kosovën është një obligim i marrë me kohë, por për fat të mirë është obligim kushtetues dhe ligjor, pra nuk del jashtë Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

    Diplomatët thonë se ka modele të mira evropiane për Asociacionin që nuk e dëmtojnë shtetësinë e Kosovës. Cilin model shihni ju si të përshtatshëm për vendin tuaj?

    Haradinaj: (Modeli) që rrjedh nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Pra, ne nuk kemi arsye të përzgjedhim një model të huaj. Ne kemi një marrëveshje për Asociacionin dhe kemi vendimin e gjykatës që sqaron se çfarë është Asociacioni. Asociacioni është “Sui-Generis” (unik), pra nuk mund të merren modele nga vende të tjera për shkak se situata dhe arritja deri tek ky obligim është një situatë e veçantë. Asociacioni është i Kosovës, për njerëz të Kosovës, për komuna të Kosovës dhe synon integrimin e serbëve në institucionet e vendit dhe shkëputjen e varësisë nga Serbia. Dua të përsëris edhe një herë, se Amerika po e ndihmon Kosovën për të kaluar pengesën e fundit për të arritur tek marrëveshja përfundimtare, tek propozimi franko-gjerman, për të cilin unë besoj se është më shumë amerikan. Unë personalisht dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e mbështesim arritjen e kësaj marrëveshjeje, sepse e shohim shumë me rëndësi kohën, pra e shohim me urgjencë arritjen e marrëveshjes, në mënyrë që të hapet perspektiva për partneritet për paqe dhe (anëtarësim) në NATO për Kosovën, çka garanton sigurinë tonë.

    Është koha më serioze që kemi pas ndonjëherë. Duhet të tregojmë seriozitet dhe nuk guxojmë të bëjmë përllogaritje të vogla. Duhet ta ndihmojmë vendin, të ndihmojmë aleatët tanë, në këtë rast posaçërisht Uashingtonin, që t’i kalojmë pengesat, pra t’i zgjidhim të gjitha çështjet që kanë mbetur të hapura, në mënyrë që të arrijmë tek marrëveshja përfundimtare. Personalisht i jap një përkrahje këtij procesi dhe arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

    Është bërë tashmë e qartë se trysnia është shtuar ndaj Kosovës dhe Serbisë, por sidomos ndaj Prishtinës, për të ecur përpara. Ju e keni ndjerë vetë këtë trysni kur ishit kryeministër, me çështjen e kufirit me Malin e Zi. Çfarë këshille do t’i jepnit ju sot Kryeministrit Kurti?

    Haradinaj: Dallojnë shumë si tema, Mali i Zi është anëtar i NATO-s. Edhe pse ishte një obligim ndërkombëtar, e kemi bërë në një klimë të mirë me Malin e Zi. Arritja e një marrëveshjeje për njohje me Serbinë, që në përmbajtje ka njohjen, është vërtet rezultat i madh i faktorit ndërkombëtar në këtë rast. Pra faktori ndërkombëtar është shtytësi. Unë e inkurajoj qeverinë tonë që ta shfrytëzojë këtë energji të madhe, që vjen edhe për shkak të luftës në Ukrainë dhe dëshirës së madhe të NATO-s dhe Amerikës për ta larguar Rusinë nga Ballkani. E vetmja mënyrë për ta larguar Rusinë nga një pjesë e Ballkanit është arritja e marrëveshjes me Serbinë sepse Kosova menjëherë fillon perspektivën për Parneritet për Paqe.

    Sa i përket marrëveshjes me Serbinë si e shihni ju atë në dritën e propozimit evropian, çfarë forme duhet të kishte ajo?

    Haradinaj: Përmbajtja që i jep plani franko-fjerman zgjidh të gjitha problemet Kosovë-Serbi. Serbia e njeh Kosovën në planin ndërkombëtar por nuk vendos marrëdhënie dypalëshe, por hapet perspektiva e Kosovës për anëtarësim në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Pra është një mundësi reale për t’u “divorcuar” përjetësisht me Serbinë.

    Pavarësisht se çështja e njohjes nuk përfshihet në mënyrë eksplicite?

    Haradinaj: Njohja është realisht në çdo kapitull të kësaj marrëveshje, por nuk e ka kaluzolën e njohjes në marrëdhënie dypalëshe, por Serbia e njeh Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.

    Para disa ditësh në shtypin e Kosovës rodhi një material i brendshëm, një analizë e statusit aktual të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Prishtinës, shkruar nga ambasadori i Kosovës në Uashington për Ministrinë e Jashtme, ku vihet në dukje se dyert në Uashington nuk janë më aq të hapura për zyrtarët nga Kosova. Në vlerësimin tuaj a janë marrëdhëniet me Uashingtonin sot, në pikën më të ulët që pas pavarësisë?

    Haradinaj: Uashingtoni dhe Amerika e duan Kosovën, e duan popullin e Kosovës, shtetin e Kosovës. Ka vështirësi tani, le ta quajmë në menaxhim të axhendës me qeverinë aktuale. Por janë jashtëzakonisht të afërt dhe bashkëpunues me të gjithë ne, që pa interesa të tjera, pra pa interesa të vogla, dëshirojmë të ndihmojmë interesat kombëtare, tema të mëdhaja. Siç shihet, ne jemi të mirëpritur këtu. Përshembull unë kam qënë në Departamentin e Shtetit, në Kongres dhe Senat, Këshillin e Sigurisë Kombëtare, kam takime në Departamentin e Mbrojtjes dhe kam shumë takime që në të vërtetë tregojnë respektin edhe për Kosovën.

    Ju, por jo përfaqësues të qeverisë.

    Haradinaj: Për fat të keq pra ka një vështirësi në menaxhim të axhendës për shkak, po e quaj, situatës së paqartë që mban qeveria jonë në disa tema. /VoA/

    Është koha të shijojmë çokollatën më të mirë..
    Nga Rubrika
    Lajme21 Mars 2023
    Një aksident trafiku ka ndodhur sonte në Vushtrri ku një veturë ka goditur tre këmbësor. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë...
    Lajme21 Mars 2023
    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sonte vet kryeministri Albin Kurti, e ka pranuar vet se i ka ofruar palës...
    Lajme21 Mars 2023
    Kthehet ora verore me akrepat e orës që lëvizin një orë përpara mes të shtunës 25 dhe të dielës 26 mars. I...
    Të tjera
    Lajme21 Mars 2023
    Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se marrëveshja mes kryeministrit kosovar, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq ka lëvizur...
    Bota/Rajoni21 Mars 2023
    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e ka konfirmuar se do të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të G7-ës në Japoni në maj...
    Lajme21 Mars 2023
    Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan i ka reaguar kryetarit të kësaj komune, Alban Hysenit, pasi ky i fundit sot...
    Lajme21 Mars 2023
    Drejtori i të ashtuquajturës zyra serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i është kundërpërgjigjur deklaratës së kryeministrit të vendit,...
    Lajme21 Mars 2023
    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar sot një bisedë përmbajtësore me Presidentin e Shtetit të Izraelit, Isaac Herzog si...
    Bota/Rajoni21 Mars 2023
    ekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u ka bërë thirrje vendeve anëtare të përshpejtojnë rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, pasi shifrat...

    FrontOnline, © 2023 Të gjitha të drejtat e rezervuara.