[wp-story]

Lajme

Haradinaj i tronditur me vrasjen në Prishtinë: Ftoj organet e rendit që të angazhohen dhe dorasve t’u japin dënim meritor

Haradinaj i tronditur me vrasjen në Prishtinë: Ftoj organet e rendit që të angazhohen dhe dorasve t’u japin dënim meritor
18:29 | 05 Shtator 2019

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas krimit të katërfishtë, i cili ndodhi pasditen e sotme në Prishtinë, ku tashmë ka mbetur një person i vrarë.

Ai u ka bërë thirrje organeve të rendit që të angazhohen në gjetjen e dorasve dhe t’iu japin një dënim meritor, raporton Front Online.

“Tronditje! Prishtina përjetoi sot një ngjarje makabre! Vrasja e një personi dhe plagosja e shumë të tjerëve, në mes të ditës duke rrezikuar edhe shumë banorë të Lagjes së Spitalit, është tragjedi që na prek të gjithëve. Ftoj organet e rendit, që të angazhohen pa ndalë deri në gjetjen e motiveve dhe dorasve të kësaj masakre dhe të njëjtit të marrin dënimin meritor. Ngushëllime për familjen që humbën familjarin e tyre dhe lutemi për shëndetin e të plagosurve. Kosova nuk do të lejojë ngjarje të tilla. Ne kemi forcuar në vazhdimësi institucionet e rendit dhe ligjit në vend dhe aktet e tilla kriminale nuk do të tolerohen”, ka shkruar ai në Facebook.

Mjeku kujdestar në QKUK, Agron Çitaku para disa minutash ka konfirmuar se ka ndërruar jetë, njëri nga katër të plagosurit e incidentit me armë zjarri në Prishtinë.

Ai para medieve ka thënë se tashmë i ndjeri, nuk ka arritur t’iu mbijetojë plagëve, raporton Front Online.

“Njëri nga katër plagosurit nuk iu mbijetoi plagëve. Tre të tjerë janë gjithashtu në gjendje të rëndë, ndërkohë që njëri po përgatitet për sallë për intervenime të mëtutjeshme.”, deklaroi shkurtimisht ai.

Zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi më herët ka treguar se tashmë janë arrestuar dy të dyshuar, raporton Front Online.

“Janë të arrestuar dy persona të dyshuar. Janë konfiskuar dy armë, një e shkurtë dhe një e gjatë. Prokurori është në vendin e ngjarjes. Më vonë edhe policia edhe prokuroria do të japin informata të tjera sepse për momentin nuk dihet se cili ka qenë motivi. Dyshohet se të dy familjet banojnë në këtë lagje, ende është duke u ekzaminuar vendi i ngjarjes”, ka thënë ai.

Front Online do t’iu mbajë të informuar.

Petrol Company në muajin e shenjtë të Ramazanit, dhuron pako ushqimore per familjet nevojtare në qytetin e Vitisë

Të tjera