[wp-story]

Lajme

Hapet një Front i ri medial në Kosovë

Hapet një Front i ri medial në Kosovë
09:01 | 20 Gusht 2019

Prej sot ka nisur punën portali “Front Online (www.frontonline.net)”, të cilin e kanë themeluar gazetarët Lavdim Hamidi dhe Enis Veliu.

Përkundër numrit të madh të medieve online në Kosovë,  “Front Online” ka për qëllim të jetë një projekt serioz, i cili do të fokusohet në hulumtime në fushën e ekonomisë, duke premtuar se do të nxjerrë në pah afera të ndryshme korruptive në institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës, dallaveret në fushën e prokurimit publik, si dhe të gjitha parregullsitë që ndodhin në politikë, sektorin e drejtësisë, sport, etj.

Themeluesit e kësaj medie online , Hamidi dhe Veliu, kanë përvojë të gjatë në fushën e gazetarisë, të cilët përgjatë rreth dy dekadave pune të pandërprerë në mediet e ndryshme të Kosovës dhe të rajonit kanë fituar më shumë se dhjetë Çmime vendore dhe ndërkombëtare në gazetari.

Hamidi ka më shumë se 17 vjetë përvojë pune të pandërprerë në gazetari, ku për dy vite e gjysmë ka qenë kryeredaktor i gazetës së përditshme “Zëri”, rreth 4 vite zëvendëskryeredaktor dhe 8 vite ka punuar gazetar i ekonomisë në këtë të përditshme.

Ai ka bashkëpunuar edhe me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), ku ka realizuar disa hulumtime rajonale.

Ndërsa Enis Veliu për dy vite e gjysmë ka qenë zëvendëskryeredaktor në gazetën “Zëri”, rreth katër vite ka qenë redaktor i ekonomisë në këtë medium, ka punuar si redaktor i ekonomisë në gazetën “Lajm” dhe disa vite ka punuar si gazetar i ekonomisë në këto dy të përditshme kosovare.

Për punën profesionale në gazetari Hamidi dhe Veliu janë shpërblyer me disa Çmime vendore dhe ndërkombëtare.

I pari ka fituar Çmimin e Parë në Bursën Ballkanike për Gazetari të ndarë nga Robert Bosch Stiftung, Erste Stiftung dhe BIRN në Vjenë të Austrisë në vitin 2008, Çmimin e Tretë të Bashkimit Evropian për Gazetari Hulumtuese, Çmimin “Rexha Surroi” për gazetari, Çmimin për storjen më të mirë për Antikorrupsion nga UNDP dhe Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, Çmimin e ndarë nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë “Vangjush Gambeta”, etj.

Veliu ka fituar Çmimin Vjetor të Lëvizjes “Fol” për Guxim Qytetarë, Çmimin për ekonomi “Vangjush Gambeta”, etj.

“Front Online” u ofron lexuesve të vet një dizajn unik, informacione të shumëta, si dhe garanton ruajtjen e paanshmërisë politike dhe kultivimin e gazetarisë profesionale.

Rrini N’Front online …  www.frontonline.net

“Petrol Company” ndihmon më shumë se 200 familje për festën e Fitër Bajramit (VIDEO)

Të tjera