×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Hamasi publikon emrat e tre pengjeve që do të lirohen të shtunën

    FrontOnline
    14 Shkurt 2025

    Pengjet, sipas njoftimeve të Hamasit dhe autoriteteve izraelite, përfshijnë 36 vjeçarin amerikano-izraelitin Sagui Dekel Chen, banor i vendbanimit Niz Oz në jug të Izraelit. Sipas raportimeve, Chen ishte rrëmbyer nga militantët e Hamasit gjatë sulmit më 7 tetor të vitit 2023 në pjesën jugore të Izraelit. Dy muaj pas rrëmbimit të tij, bashkëshortja e tij Avital, lindi vajzën e tyre të tretë.

    Në mesin e të liruarve do të jetë edhe 29 vjeçari Sasha Troufanov, po ashtu nga Nir Oz. Ai u rrëmbye në tetor të vitit 2023 bashkë me nënën e tij Elenën, gjyshen Irina Tati dhe të dashurën e tij Sapir Cohen, të cilat u liruan përmes marrëveshjes së parë të armëpushimit, një muaj pasi ishin rrëmbyer. Babai i tij, Vitaly, u vra gjatë sulmit të Hamasit. Kjo familje kishte emigruar në Izrael nga Rusia 25 vjet më parë.

    Pengu i tretë u identifikua si shtetasi 46 vjeç argjentino-palestinez Iair Horn. Ai ishte rrëmbyer më 7 tetor në Niz Or bashkë me vëllanë e tij Eitan, i cili nuk është pjesë e kësaj faze të marrëveshjes për lirimin e pengjeve.

    Dyshimet mbi lirimin e pengjeve

    Lirimi i pengjeve u vu në dyshim pasi Hamasi akuzoi Izraelin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit dhe kërcimeve për rifillimin e luftës.

    “Ne nuk jemi të interesuar për prishjen e marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës, jemi të gatshëm për zbatimin e saj dhe për t’u siguruar që Izraeli do t’i përmbahet asaj plotësisht”, deklaroi zëdhënësi i Hamasit, Abdel-Latif al-Qanoua.

    Ai gjithashtu kritikoi atë që e quajti “gjuhë të kërcënimeve dhe shantazhit” të Kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump, duke thënë se ata nuk po e ndihmojnë zbatimin e armëpushimit.

    Qeveria izraelite më vonë përsëriti qëndrimin e saj se Hamasi duhet t’i lirojë tre pengjet gjatë kësaj fundjave.

    “Nëse këta tre nuk lirohen, nëse Hamasi nuk i kthen pengjet tona deri të shtunën në mesditë, armëpushimi do të marrë fund”, tha zëdhënësi i qeverisë izraelite, David Mencer.

    Në fillim të kësaj jave, Hamasi akuzoi Izraelin se po shkelte marrëveshjen me sulmet e vazhdueshme ajrore ndaj banorëve të Gazës dhe me bllokimin e ndihmës. Grupi militant tha se lirimi i radhës i pengjeve do të shtyhej.

    Kryeministri Netanyahu tha se luftimet do të rifillojn; nëse pengjet nuk lirohen të shtunën, ndërkohë që Presidenti Trump tha të hënën se “ferri e pret” Hamasin nëse pengjet nuk kthehen.

    Plani i Presidentit Trump për Gazën

    Të mërkurën, pasi Izraeli thirri trupat rezervë, Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz përsëriti paralajmërimin e Presidentit Trump.

    “Nëse Hamasi nuk liron pengjet, atëherë nuk do të ketë armëpushim dhe do të ketë luftë”, tha ai. Ai shtoi se luftimet do të jenë më intensive dhe do “të mundësojnë realizimin e vizionit të Trumpit për Gazën”.

    Presidenti Trump ka përmendur një plan në bazë të së cilit Shtetet e Bashkuara do të marrin kontrollin mbi Gazën dhe palestinezët do të largoheshin në një vend të tretë, pa të drejtë kthimi. Shtetet e tjera rajonale, përfshirë Egjiptin, Jordaninë dhe Arabinë Saudite, e kanë kundërshtuar këtë ide.

    Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha të enjten se Shtetet e Bashkuara duan të shohin propozimet e reja nga shtetet arabe për Gazën pas kundërshtimit të planit të Presidentit Trump.

    “Nëse kanë një plan më të mirë, ky është momenti për ta shpalosur atë”, deklaroi Sekretari Rubio në një radio konservatore.

    Që kur hyri në fuqi armëpushimi muajin e kaluar, Hamasi, të cilin Shtetet e Bashkuara, Britania dhe shtetet perëndimore e kanë shpallur organizatë terroriste, liroi 21 pengje. Izraeli liroi mbi 730 të burgosur palestinezë.

    Lufta në Gazë u shkaktua nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit në tetor të vitit 2023, që shkaktoi vdekjen e 1,200 personave dhe gjatë të cilit grupi militant rrëmbeu 250 pengje. Kundërofensiva e Izraelit shkaktoi vdekjen e 48,200 palestinezëve, mbi gjysma e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve vendase, të cilat nuk i veçojnë viktimat civile nga militantët. Izraeli thotë se ky numër përfshin rreth 17,000 militantë të vrarë.

    Izraeli dhe Hamasi janë akuzuar për krime lufte.

    Shtetet e Bashkuara të enjten vendosën sanksione ndaj kryeprokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtar për shkak të hetimeve që kjo gjykatë po bën ndaj zyrtarëve amerikanë dhe krimeve të pretenduara izraelite të luftës në Gazë./VOA/

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni23 Mars 2025
    Një sulm ajror izraelit në qytetin jugor të Khan Younis në Gaza ka vrarë udhëheqësin kryesor politik të Hamasit, Salah al-Bardaweel, ka...
    Bota/Rajoni23 Mars 2025
    Për herë të parë në Zvicër, është vendosur një sanksion për shkeljen e ndalimit kombëtar të mbulimit të fytyrës. Një grua në...
    Bota/Rajoni23 Mars 2025
    Një gjykatë zyrtarisht e ka arrestuar kryetarin e Stambollit dhe rivalin kyç të presidentit Recep Tayyip Erdogan më 23 mars dhe e...
    Të tjera
    Lajme23 Mars 2025
    Një person është arrestuar në Zubin Potok të shtunën, pasi në gjendje të dehur në një kafiteri kishte goditur me një shishe...
    Lajme23 Mars 2025
    Pas dyshimeve për keqpërdorime e qindra mijëra eurove të Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, BIK ka njoftuar se sot do të...
    Lajme23 Mars 2025
    Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka folur për FrontOnline, rreth punës katër vjeçare të presidentes, Vjosa Osmanit. Kadrijaj, potencon se si deputete...
    Lajme23 Mars 2025
    Policia e Kosovës brenda 24 orëve ka shqiptuar 2 mijë e  110 tiketa trafiku. Në raportin 24-orësh të policisë bëhet e ditur...
    Lajme23 Mars 2025
    Edhe pak ditë bëhen katër vite kur në pozitën e parë të shtetit është zgjedhur Vjosa Osmani. Ish-deputetja femër më e votuar...
    Lajme23 Mars 2025
    Një shtëpi në Rahovec është përfshirë nga zjarri. Përveç saj, zjarri ka kapluar edhe kulmin e një shtëpie afër saj. Zjarrfikësit e...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.