Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka deklaruar të martën se Rodri ishte një fitues i merituar i çmimit “Topi i Artë” për vitin 2024.
Mesfushori spanjoll i City e ka fituar trofeun në ceremoninë e mbajtur të hënën në Paris, organizuar nga “France Football”, duke lënë pas brazilianin Vinicius Jr. dhe anglezin Jude Bellingham.
Rodri kishte një sezon të suksesshëm me Manchester City, me të cilin fitoi Premier League për të katërtin vit radhazi dhe luajti një rol kyç në triumfin e Spanjës në Euro 2024.
Ndërkohë, Real Madrid kishte tërhequr delegacionin e tij nga pjesëmarrja në këtë ceremoni, pasi u konfirmua se Vinicius Jr., i cili ishte kandidat kryesor, nuk do të shpallej fitues.
Guardiola, në konferencën për shtyp para ndeshjes së Carabao Cup kundër Tottenham, ka shprehur entuziazmin për suksesin e Rodrit, duke theksuar rëndësinë e këtij çmimi për klubin dhe për futbollistin.
“Çfarë mund të them? Së pari, përgëzime për të dhe familjen e tij, është një lajm i jashtëzakonshëm për të dhe për të gjithë ne”, ka thënë Guardiola. “Janë gazetarët që votojnë. Spanja ka bërë diferencë në dekadën e fundit, duke fituar Kupën e Botës dhe Evropianët, dhe sërish nuk arriti ta fitojë këtë çmim”.