×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Gjykata e Koresë së Jugut lëshon fletarrestim për presidentin Yoon

    FrontOnline
    31 Dhjetor 2024

    Një gjykatë në Korenë e Jugut ka lëshuar të martën urdhër për arrestimin e presidentit të vendit, Yoon Suk Yeol, dhe për bastisjen e rezidencës dhe zyrës së tij, për dyshimet për kryengritje në lidhje me shpalljen jetëshkurtër të ligjit ushtarak.

    Kjo është hera e parë që lëshohet fletarrestim për një president në detyrë në Korenë e Jugut. Megjithatë, ekspertët thonë se ka pak gjasa për arrestim apo bastisje, nëse Yoon nuk shkarkohet nga detyra fillimisht.

    Gjykata e Qarkut në Seul dha urdhrin për arrestimin e Yoonit dhe për bastisjen e zyrës presidenciale dhe rezidencës së tij në qendër të Seulit, sipas një komunikate nga Zyra për Hetimin e Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë, e cila po e udhëheq hetimin bashkë me policinë dhe autoritetet ushtarake.

    Ajo thotë se po kryen hetim për të parë nëse shpallja e ligjit ushtarak nga Yoon më 3 dhjetor përbën kryengritje.

    Sipas ligjit koreanojugor, lideri i një kryengritjeje mund të përballet me dënim me vdekje apo me burgim të përjetshëm, nëse shpallet fajtor.

    Kryengritja është njëra prej akuzave ndaj të cilave presidenti koreanojugor nuk ka imunitet.

    Yoon u pezullua nga të gjitha detyrat presidenciale pasi u shkarkua nga Parlamenti për shkak se vendosi përkohësisht ligjin ushtarak në vend.

    Ligji ushtarak zgjati vetëm disa orë, pasi Parlamenti votoi për ta rrëzuar atë dhe Yoon u tërhoq.

    Sipas ligjit, presidenti në Korenë e Jugut lejohet ta shpallë ligjin ushtarak vetëm gjatë kohës së luftës, apo emergjencave të ngjashme, dhe nuk ka të drejtë ta pezullojë punën e Parlamentit qoftë edhe me ligj ushtarak.

    Yoon ka ngulur këmbë se shpallja e ligjit ushtarak nga ai ishte vepër e ligjshme, duke e cilësuar atë si paralajmërim për partinë kryesore opozitare, Partia Demokratike, të cilën e ka quajtur “përlindeshe”, duke thënë se ajo e ka përdorur shumicën e saj legjislative për t’i rrëzuar zyrtarët e lartë dhe për ta minuar buxhetin e Qeverisë.

    Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut pritet të vendosë për shkarkimin apo kthimin në detyrë të Yoonit.

    Ekspertët thanë se Yoon me shumë gjasë do ta shpërfillë fletarrestimin. Yoon i ka shpërfillur tashmë kërkesat e vazhdueshme nga hetuesit për t’u marrë në pyetje, ndërsa shërbimi presidencial i sigurisë nuk i ka lejuar ata ta kontrollojnë as zyrën e as rezidencën e Yoonit, duke u thirrur në ligjin që ndalon bastisjet në vendet ku ka sekrete shtetërore.

    Yoon Kap-keun, avokat i presidentit, e quajti fletarrestimin të “pavlefshëm dhe jashtëligjshëm”.

    Shërbimi presidencial i sigurisë ka thënë se do t’i ofrojë siguri Yoonit në përputhje me ligjin.

    Agjencia kundër korrupsionit ka thënë se nuk ka plane të menjëhershme se si t’i zbatojë urdhrat për arrestim dhe bastisje ndaj tij.

    “Nëse Yoon nuk i lejon vullnetshëm ta arrestojnë, atëherë nuk ka mënyrë se si ata mund ta arrestojnë”, tha Choi Jin, drejtor i Institutit për Lidership Presidencial në Seul. /REL/

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni02 Janar 2025
    Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Shqipëri ka arrestuar 4 punonjës policie dhe 4 shtetas, 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë...
    Bota/Rajoni02 Janar 2025
    Drejtori i Klinikës Kirurgjike për Fëmijë në Maqedoninë e Veriut, Llazo Jovçeski, ka folur rreth gjendjes së fëmijës që shpëtoi në aksidentin...
    Bota/Rajoni02 Janar 2025
    Bashkimi Evropian mund të finalizojë në mars propozimin për krijimin e të ashtuquajturave “qendra kthimi” për migrantët e paligjshëm, ka thënë të...
    Të tjera
    Lajme02 Janar 2025
    Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdoi të fuqizohej edhe gjatë 2024-s. Ushtria u furnizua me armatime, makineri ushtarake e municion. Teksa, prapa...
    Bota/Rajoni02 Janar 2025
    Ësht nxjerrë nga lumi vetura bashkë me tre trupa të pajetë. Policia dhe ekipet e shpëtimit janë në kërkim të personit të...
    Bota/Rajoni02 Janar 2025
    Është nxjerrë nga lumi vetura me tre trupa të pajetë. Siç raporton Alsat në veturë, ka qenë edhe një fëmijë i moshës...
    Lajme02 Janar 2025
    Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Ilir Tahiri ka thënë se marrëveshja e fundit e bashkëpunimit ndërmjet...
    Bota/Rajoni02 Janar 2025
    Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme përgjatë lumit Vardar, në rrugën Rashçe-Saraj. Burimet policore sipas Alsat, bëjnë të ditur...
    Bota/Rajoni02 Janar 2025
    Autoritetet e Malit të Zi kanë dalë sot me detaje lidhur me tragjedinë e mbrëmshme në Cetinje, ku 45-vjeçari  Aco Martinoviq vrau...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.