[wp-story]

Lajme

Gjak brenda familjeve kosovare, detaje për vrasjet që tronditën vendin këtë vit

Gjak brenda familjeve kosovare, detaje për vrasjet që tronditën vendin këtë vit
10:39 | 01 Janar 2021

Numri i vrasjeve në vend është rritur dukshëm krahasuar me vitin e kaluar. Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, gjatë këtij viti kanë ndodhur 28 vrasje, shumica e të cilave kanë qenë brenda familjes. Express u sjell një përmbledhje të këtyre rasteve tragjike që tronditën vendin gjatë këtij viti.

Ditën e parafundit të vitit 2020, Kosova u trondit nga një ngjarje tragjike që ndodhi në fshatin Pozhoran të Vitisë. Një mërgimtar nga Zvicra, dyshohet se vrau dy djemtë, bashkëshorten e më pas edhe veten.

Burime të sigurta brenda prokurorisë në Gjilan kanë thënë për Express se arsyeja që çoi deri tek vrasja është një konflikt që kishin pasur çifti bashkëshortor në Zvicër, ku ata kishin jetuar.

E njëjta familje kishte ardhur nga Zvicra për t’i kaluar pushimet në Kosovë, ndërsa sipas familjarëve të cilët kanë folur në kushte anonimiteti, babai kishte vrarë së pari njërin djalë, më pas tjetri kishte tentuar të ikte, por që s’ia kishte dale. Më vonë kryefamiljari vrau gruan dhe në fund edhe veten.

Rreth katër orë më vonë, trupat e pajetë të viktimave u nxjerrën nga shtëpia e tyre, ku edhe gjetën vdekjen. Ata u dërguan për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Nga Policia e Gjilanit kanë deklaruar se tri viktima janë gjetur brenda shtëpisë, ndërsa një në kopsht.

“Ne tani jemi në procesim në vend të ngjarjes, dhe fokusi është të mbledhim çdo dëshmi fizike me qëllim të kemi një hetim sa më profesional. Po ashtu hetuesit janë në terren për dëshmitarë. Mund të konstatojmë që 3 viktima janë gjetur brenda shtëpisë, ndërsa një në kopsht.

Por, kjo s’është vrasja e vetme që ka ndodhur gjatë këtij viti. Madje, krahasuar me vitin e kaluar, numri i vrasjeve është rrritur dukshëm.

Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës, vetëm deri në dhjetor kanë ndodhur 25 vrasje në vend.

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se në periudhën njëmbëdhjet mujore të këtij viti janë raportuar 25 raste të vrasjeve, të ndodhura në nivel vendi”, thuhet në përgjigjet e Policisë, pa përfshirë vrasjen në Prizren dhe vrasjen që ndodhi mbrëmë në Pozhoran të Vitisë.

Gazeta Express ka raportuar gjatë gjithë vitit për vrasjet që kanë ndodhur në vend dhe më poshtë u sjell përmbledhje për rastet më tragjike të vitit që po lëmë pas.

Djali vrau prindërit në Prizren

Në fund të janarit të këtij viti, Durim e Suada Hadri u gjetën të vrarë në shtëpinë e tyre në Ortakoll të Prizrenit. Çifti kishte vite që jetonin e punonin në Suedi, derisa në Kosovë kishin ardhur për pushime.

Vrasjen e çiftit me shtetësi suedeze dyshohet se e kreu djali i tyre, Adriatiku, i cili kishte ikur menjëherë nga Kosova. Ai ishte arrestuar më pas në Suedi, në fillim të marsit.

E në po këtë shtet edhe do të zhvillohet gjykimi për të. Autoritetet kosovare e kanë transaferuar procedurën penale ndaj tij në shtetin suedez para më shumë se tetë muajve, shkaku i pamundësisë që të ekstradohet në Kosovë.

Prokurori i rastit në Suedi, Olof Calmvik, i ka thënë Gazetës Express se gjykimi për këtë rast nuk ka filluar ende, por se po presin që ta dërgojnë rastin në gjykatë mes dhjetorit e janarit.

E për motivin që dyshohet se e ka shtyrë A.Hadrin që t’i vrasë prindërit, Calmvik nuk ka pranuar të jap hollësi në këtë fazë të hetimit.

“Hetimi tani është rishikuar nga i dyshuari dhe avokati i tij dhe ne presim që rastin ta dërgojmë në gjykatë dikur mes dhjetorit dhe janarit. Prandaj, gjykimi nuk ka filluar ende. Ne nuk mund të futemi në hollësi sa i përket motivit në këtë fazë të hetimit”, ka deklaruar Calmvik.

Zyrtarja policore vrau prindërit, vëllezërit dhe veten në Gjilan

Në një shtëpi në lagjen “Bojanina” në Gjilan, u shua një familje e tërë mesditën e 18 shkurtit.

Zeqir, Hanife, Blerim, Fisnik e Valdete Bllaca u gjetën pa shenja jete në ambientet e shtëpisë së tyre në lagjen “Bojanina”. Vrasja dyshohet se u krye nga e bija e vetme e kësaj familje, e cila më pastaj bëri vetëvrasje. Ajo ishte edhe zyrtare e Policisë së Kosovës, dhe vrasjet i kishte kryer me armën zyrtare.

Sipas Prokurorisë Themelore të Gjilanit, ajo dyshohet t’i ketë kryer vrasjet para orës 08:00 të mëngjesit.

Zëdhënësja kësaj prokurorie, Liridona Xheladini kishte deklaruar se zyrtarja policore Valdete Bllaca dyshohet se i kishte vrarë prindërit dhe dy vëllezërit në ora 7 e 40 në mëngjes, derisa jetës së saj i kishte dhënë fund tek pas katër orësh.

“… V.B., në orët e para të mëngjesit rreth orës 7:40 minuta, të datës 18 shkurt 2020, me armë zjarri fillimisht kishte vrarë katër anëtarët e familjes së saj, kurse dyshohet se rreth orës 12:50 minuta, me të njëjtën armë kishte kryer aktin e vetëvrasjes”, kishte thënë Xheladini për Express.

Xheladini kishte konfirmuar edhe raportimet se e ndjera kishte pranuar tretman mjekësor, disa muaj para se të kryente vrasjen e shumëfishtë.

Për këtë rast, ishte ngritur kallëzim penal ndaj një polici të Gjilanit, nën dyshimin se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mbajtur në mënyrë të pasigurtë çelësat e sirtarit ku ruhen armët, me ç’rast zyrtarja policore, Valdete Bllaca e kishte marrë armën dhe kishte kryer vrasje të shumëfishtë.

Ish-pjesëtari i UÇK’së u vra dhe u djeg në veturën e tij

Një tjetër vrasje e rëndë kishte ndodhur edhe në fshatin Zahaq të Pejës. Në orët e para të mëngjesit të 27 shkurtit, trupi i ish-pjesëtarit të UÇK’së, Qerim Kelmendit, ishte gjetur pa shenja jete dhe i djegur në veturën e tij.

Për vrasjen e tij, familjarët e kishin drejtuar gishtin nga shërbimet sekrete serbe.

Ish-udhëheqësi i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Ibrahim Kelmendi, i kishte thënë Gazetës Express se dyshon që prapa vrasjes së vëllait të tij qëndrojnë vrasës mercenarë, apo profesionistë të BIA-s serbe, që thotë se këtë e kanë bërë për të ndezur edhe më shumë armiqësimin mes krahut të luftës dhe atij të paqes.

Ndërkohë, pak orë para se policia të gjente veturën e djegur të Qerim Kelmendit, ky i fundit përmes dy shkrimeve në rrjete sociale i kishte dalë në krah, nënkryetarit të organizatës së veteranëve të luftës, Nasim Haradinajt, që në një intervistë në Televizionin T7, e quajti tradhtar ish-presidentin Ibrahim Rugova.

Kelmendi kishte shkruar se emri i Ibrahim Rugovës është shndërruar në lavatriçe të udbashëve.

“Emri i Ibrahim Rugovës ështē shendrruar ne Lavatriçe të udb-ashve, titistve, rankoviqistve, rugovistve, pastaj, të qyqarve, dezertorve dhe sabotatorve te luftës. Këtë farē te keqe e ka mbjellë, kultivuar, rritur dhe korrur UDB dhe KOS ! Janë shumë…”, kishte shkruar ai, derisa e kishte shpërndarë intervistën e Haradinajt, ku fliste për Rugovën.

Një orë më vonë, Qerim Kelmendi e kishte bërë edhe një postim në rrjete sociale, të fundit, para se të gjendej i vrarë.

Ai kishte shpërndarë një shkrim të një personi ku thoshte se “Të quhet Nasim Haradinaj farë e keqe nga Naser Rugova, është fyerje jo vetëm për Nasimin, por edhe për babanë e tij hero”.

Rasti i vrasjes së Qerim Kelemendit është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Vajza vrau babanë 87-vjeçar në Gjakovë

Një vrasje brenda familjes kishte ndodhur edhe në Gjakovë, më 21 maj. Brenda një shtëpie në rrugën “Sabrije Vokshi”, ishte gjetur i vdekur një 87-vjeçar nga kujdestarja e familjes.

Pranë trupit të tij, ishte gjetur edhe vajza e tij 58-vjeçare, e cila dyshohet se ka kryer vrasjen. Detaje rreth kësaj vrasjeje, përplasjeve që kishin viktima dhe e dyshuara, kishte dhënë kryeprokurori i ndjerë i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ali Selimaj.

Selimaj i kishte thënë Gazetës Express se në bazë të informacioneve që kanë, viktima dhe e dyshuara për vrasje ishin përplasur kohëve të fundit lidhur me trashëgiminë.

Selimaj ka treguar se 58-vjeçarja ka jetuar bashkë me viktimën dhe se e njëjta është me çrregullime të rënda mendore për një kohë të gjatë.

“Dorasja është me çrregullime të rënda mendore për një kohë të gjatë. Ka jetuar me viktimën. Por në bazë të informacionit që disponojmë, kohëve të fundit janë përplasur lidhur me trashëgiminë”, kishte thënë Selimaj për Express.

Fqinji vrau dy vëllezërit për një copë toke

Vrasje kishte edhe në Podujevë. Një 65-vjeçar atje dyshohet se vrau dy fqinjët e tij, shkaku i një copë toke, mbi pronësinë e së cilës pretendonin të dy palët.

Detaje rreth këtij rasti dhe veprimeve që po ndërmerren për kapjen e të dyshuarit ka dhënë prokurori i rastit, Armend Hamiti.

Hamiti i ka thënë Gazetës Express se i dyshuari nuk është arrestuar ende, por se janë duke kryer të gjitha veprimet hetimore që ta arrestojnë sa më shpejt.

“Nuk është arrestuar ende. Urdhërarresti është lëshuar me kohë, kurse ne ndërkohë jemi duke i kryer të gjitha veprimet hetimore në mënyrë që sapo të arrestohet të përfundohet rasti sa më shpejt”, ka deklaruar Hamiti.

I pyetur nëse ka gjasa që i njëjti të ketë dalë jashtë shtetit, Hamiti ka thënë se zyrtarisht nuk e kanë një informacion të tillë, por Express merr vesh se dyshimet janë se 65-vjeçari ka ikur nga Kosova.

Ndryshe, Policia kishte konfiskuar katër gëzhoja dhe dy vetura në vendin e ngjarjes, derisa pas bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit ishte gjetur dhe konfiskuar një armë AK-47, një pistoletë me gaz dhe një pushkë gjuetie.

Djali ia preu babait kokën me sëpatë në Fushë Kosovë

Edhe Fushë Kosova ishte tronditur nga një vrasje që kishte ndodhur brenda një familje.

Një 40-vjeçar atje ia kishte prerë kokën me sëpatë babait të tij 72-vjeçar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha kishte dhënë detaje për vrasjen.

Personi që e kishte kryer vrasjen dyshohet se kishte edhe probleme mendore.

“Rreth orës 16:50 ka pranuar një informacion për një vrasje e cila ka ndodhur në një shtëpi private në Fushë Kosovë. Njësitet relevante të policisë menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar që një trup i pajetë gjendet aty. Menjëherë në vend kanë dalë edhe njësitet e forenzikës dhe njësitet hetimore. Po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes edhe prokurori kujdestar”, ka thënë ai.

Babai vrau vajzën e pastaj veten në Prizren

Vrasje brenda familjes pati edhe në Prizren. Zyrtari policor në Policinë Kufitare, Sali Mazreku, 52 vjeç, dyshohet se e vrau vajzën e tij 21-vjeçare, Leonitën, e më pas edhe veten.

Sipas familjarëve, vrasja e vajzës ishte aksidentale, teksa zyrtari policor po bëhej gati për të shkuar në punë.

Lidhur me ngjarjen tragjike, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, i ka thënë Expressit se prokuroria ndodhet në fazën e grumbullimit të informacioneve dhe akoma nuk dihet nëse bëhet fjalë për vrasje aksidentale, ashtu siç pretendon familja.

Shala tha se krimi dyshohet të jetë kryer me armën zyrtare të policit kufitar.

“Mbrëmë rreth orës 19:15, prokuroria ka marrë informacion nga policia se në lagjen “Edit Durham” në Prizren, janë gjetur dy kufoma, policia së bashku me prokurorin kujdestar kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga aty kemi konstatuar se bëhet fjalë për dy viktima, babë e bijë.

Ajo që kemi konstatu është që është gjetur një armë e zjarrit, armë zyrtare, pasiqë njëri nga viktimat është zyrtar policor i Policisë Kufitare, i kemi siguru provat, turpat e pajetë janë dërguar për obduksion në IML dhe po presim raportin nga institute pastaj mund të dalim me konkludime përfundimtare se çfarë ka ndodhur me të vërtetë. Lidhur me rrethanat e rastit nuk e dim akoma çfarë ka ndodhur, jemi në fazën fillestare të hetimit dhe të grumbullimit të informacioneve”, ka thënë Shala.

“M Sillosi” S’ka nëvojë për panik, grurë ka me bollëk

Të tjera