[wp-story]

Bota/Rajoni

“Gazetaria një profesion i rrezikshëm” 49 gazetarë të vrarë në vitin 2019

“Gazetaria një profesion i rrezikshëm” 49 gazetarë të vrarë në vitin 2019
18:18 | 17 Dhjetor 2019

Në një përmbledhje vjetore mbi dhunën dhe shkeljet ndaj gazetarëve, të publikuar të martën nga “Gazetarët pa Kufij” (RSF), thuhet se gjithsej 49 gazetarë u vranë këtë vit, 389 janë aktualisht në burgje dhe 57 po mbahen peng.

Gazetaria, thuhet në raport, mbetet një profesion i rrezikshëm, por numri i gazetarëve të vrarë këtë vit është në shkallën më ulët në 16 vjet.

Sivjet është shënuar numri më i vogël i gazetarëve të vrarë që nga viti 2003 dhe paraqet një rënie prej 44 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas organizatës kjo rënie është rrjedhojë e faktit se ka rënë numri i gazetarëve të vrarë në zonat e luftës. Mbulimi i konflikteve në Siri, Jemen dhe Afganistan ishte më pak vdekjeprurës në vitin 2019 gjatë të cilit u regjistruan 17 gazetarë të vrarë, ndryshe nga viti 2018, kur 34 gazetarë ishin vrarë në këto tri vende.

Rënia e pashembullt e këtij numri, thuhet në raport, nuk duhet të lërë nën hije faktin se numri i gazetarëve në vrarë në vendet “në paqe’ vazhdon të jetë po aq i lartë sa edhe vitet e shkuara.

Në Meksikë, për shembull, janë vrarë 10 gazetarë, po aq sa edhe një vit më parë. Me gjithsej 14 gazetarë të vrarë, Amerika Latine është tani po aq vdekjeprurëse për gazetarët sa edhe Lindja e Mesme.

Sekretari i përgjithshëm i organizatës, Christophe Deloire, tha se “e mirëpresim rënien e pashembullt të numrit të gazetarëve të vrarë në zona të luftës, por, në të njëjtën kohë, gjithnjë e më shumë gazetarë po vriten me dashje në lidhje me punën e tyre në vendet demokratike, gjë që paraqet një sfidë të vërtetë për demokracitë ku këta gazetarë jetojnë dhe punojnë”.

Një aspekt tjetër shqetësues për organizatën është shtimi i numrit të arrestimeve arbitrare të gazetarëve. Gjithsej 389 gazetarë janë në burgje në lidhje me punën e tyre, rreth 12 për qind më shumë sesa vitin e kaluar. Gjysma e tyre mbahen në burgje në Kinë, Egjipt dhe Arabinë Saudite. Ndërsa ka shtuar shtypjen ndaj pakicës Ujgure, Kina është vendi që mban në burg një të tretën e gazetarëve të arrestuar në mënyrë arbitrare, përkatësisht 120 gazetarë të burgosur.

Aktualisht, sipas organizatës të paktën 57 gazetarë mbahen peng, po aq sa edhe një vit më parë, kryesisht në Siri, Jemen, Irak dhe Ukrainë. Sipas të dhënave të organizatës, 24 prej tyre mbahen peng nga grupi militant Shteti Islamik, 14 nga kryengritësit Houthi në Jemen, 13 nga Al Quaida, Hayat Tahrir al Sham dhe grupe tjera radikale dhe 6 mbahen nga grupe të paidentifikuara përfshirë edhe kryengritësit pro rus në Ukrainë.

Përmbledhja e tillë e raportit bëhet që nga viti 1995.

“Petrol Company” në natën e “Kurban Bajramit” e bën me shtëpi të re familjen nga Skenderaj

Të tjera