Front TV

Gashi: Kurti tregoi “dinakëri”, nuk i uli pagat, më 1 mars ato do të rriten

Gashi: Kurti tregoi “dinakëri”, nuk i uli pagat, më 1 mars ato do të rriten
17:49 | 13 Shkurt 2020

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kujtim Gashi, në një intervistë për portalin “Front Online”, ka thënë se vendimi i Kryeministrit Kurti për zvogëlimin e pagave është populist para qytetarëve të Kosovës, pasi siç tha ai, më 1 mars në fuqi pritet të hyjë Ligji për Pagat dhe ekzekutivi pritet të marrë pagat me rritje.

“Me 1 mars, Gjykata Kushtetuese do të vendos për Ligjin e Pagave ku poashtu pagat e ministrave dhe Qeverisë do të jenë me rritje, mendojë që kjo ka qenë një taktikë dhe një lajm për të mbushur mediet se kinse po ulen pagat”, tha Gashi.

Duke folur për PDK-në si opozitë, Gashi për “Front Online”, tha se ka qenë rezultati i 6 tetorit dhe vullneti i qytetarëve që kjo parti të shkojë në opozitë.

Gashi në këtë intervistë ka folur edhe për taksën ndaj mallrave serbe.

Thotë se ndihet i befasuar se si në ditët e para të marrjes së mandatit, Qeveria Kurti vendosi për ta hequr taksën, ngase sipas tij, dikur kanë thënë se taksa duhet të mbetët në fuqi, e në rast se ndodh e kundërta do të bëjnë përpjekje ta rrëzojnë Qeverinë.

Sipas Gashit, PDK-ja do të jetë “sy qelë” dhe e vendosur të pengojë çdo veprim të  Qeverisë që janë në dëm të Kosovës.

“Shihet që Qeveria Kurti është e gatshme ende pa i bërë një muaj të bëj kompromise në dëm të vendit, në dëm të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.

Intervista e plotë:

Front Online: Z. Gashi pas shumë kohësh, PDK-ja nuk është në pushtet. Si po ju ecën në opozitë?

Kujtim Gashi: Në fakt ka qenë një periudhë e gjatë e qeverisjes tonë, edhe shpeshherë duke e udhëhequr Qeverinë e në disa raste pjesë e koalicioneve të ndryshme qeveritare. Mendojë se ka qenë një rezultat i 6 tetorit për të cilën Partia Demokratike e Kosovës po reflekton në bazë të këtij rezultati, me t’u shpallur rezultatet ne kemi pranuar verdiktin e qytetarëve të Kosovës dhe kemi vendosur përfundimisht të jemi në opozitë, ashtu siç kanë vendosur qytetarët e Kosovës ne t’i bëjmë interesat e tyre, por nga këndi opozitar. Mendojë që ka qenë periudhë e gjatë e qeverisjes, kemi bërë punë të mëdha, çështje shumë të rëndësishme për qytetarët dhe për Kosovën dhe besojë që jemi në fazë tjetër, rrethana tjera, natyrisht që edhe të bërit opozitar është me dobi edhe të PDK-së, sepse ne kemi pasur ndryshime të mëdha edhe brenda subjektit. Poashtu jemi ballafaquar me reforma jashtëzakonisht të mira. Besojë fuqishëm që ne në kuadër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Komisioneve Parlamentare do të dimë t’i artikulojmë të gjitha kërkesat e qytetarëve.

Front Online: Në çka do të fokusohet PDK-ja në opozitë, cilat do të jenë pikat kryesore?

Kujtim Gashi: Në fakt ne do të jemi gardian të kësaj qeverisje, do të jemi të zëshëm në të gjitha temat të cilat janë me interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dyshim që me theks të veçantë do t’i kemi temat që janë me interes nacional e të cilat padyshim që e presin këtë Qeveri dhe fokusi ynë do të jetë në të gjitha ato probleme me të cilat ballafaqohen qytetarët e Republikës së Kosovës. Kemi një grup parlamentar të përgatitur, poashtu deputetë të cilët vinë nga fusha të ndryshme nga shumë profile, njerëz të cilët kanë bartë përgjegjësi në institucionet e Kosovës dhe besojmë që për secilën temë kemi kuadro dhe njerëz të mjaftueshëm, që do të jenë zë i qytetarëve në Kuvendin e Kosovës.

Front Online: Në qeverisjen Kurti ka dukshëm më pak zv. ministra, ashtu siç edhe janë shkrirë disa ministri, e konsideroni këtë vendim të duhur?

Kujtim Gashi: Unë mendojë se këto kanë qenë veprime më shumë populiste, dhe kështu shihen, pavarësisht se shpeshherë tentojnë t’i arsyetojnë si tkurrje të ministrive për të zvogëluar buxhetin, por unë e them me përgjegjësi të plotë nëse ka reduktim ka për një staf krejtësisht të ngushtë, pra staf politik sepse administrata do të funksionon ashtu siç ka funksionuar edhe në Qeveritë e kaluara, pra është më shumë temë populiste për “t’i qit hi syve” qytetarëve në temat e mëdha që e presin vendin tonë. Padyshim që ne e kemi përshëndet zvogëlimin e ministrive, sigurisht se në disa dikastere do të ketë probleme të funksionimit sepse ndoshta edhe janë përzierë edhe kompetencat e shumë  ministrive që kanë qenë veç e veç, por ne do të shohim se si funksionon edhe pse jam jashtëzakonisht skeptik për këtë mënyrë.

Front Online: Si PDK, keni ndërruar qasje sa i përket taksës ndaj Serbisë, tani po kërkoni që të mos hiqet, pse ky ndryshim i qëndrimit?

Kujtim Gashi: Ne në fakt nuk kemi kërkuar që mos të hiqet taksa, ne kemi vendosur në Qeverinë e kaluar taksë Serbisë për shkak të sjelljeve jo të mira karshi Kosovës sidomos në arenën ndërkombëtare, në anëtarësimin e Kosovës në mekanizma të ndryshëm, pra pengesat që Serbia ia ka bërë Kosovës dhe si shenjë ndaj tyre ne kemi vendosur taksën në Qeverinë e kaluar tani padyshim që është në duart e kësaj Qeverie se a dëshiron taksën ta lë në fuqi ndaj shtetit serb apo dëshiron ta heq. Nuk është më punë e PDK-së se çfarë ndodh me taksën, ne vetëm jem befasuar me kaq shpejtësi e nguti të cilën zoti Kurti si kryeministër i Kosovës ka vepruar për të heq taksën. Intervistat e para i cili ka thënë po e heqim taksën dhe po vendosim reciprocitet, mendojë që para qytetarëve të Republikës së Kosovës se kinse po e heqin taksën dhe po vendosin reciprocitet është vetëm një dorëzim edhe para Listës Serbe të cilën e ka në kuadër të Qeverisë dhe padyshim për t’u dukur sa ma mirë para miqve ndërkombëtar, pra janë ndryshime të shpejta të këtij Kryeministri i cili në bazë të premtimeve të shumta i ka fituar zgjedhjet.

 

Front Online: Në rast të ndonjë marrëveshjeje të dëmshme për vendin, e shihni të udhës të dilni në protesta ose të përdorni gaz lotsjellës?

Kujtim Gashi: PDK-ja është një parti e cila i ka ndërtuar koalicionet dhe nuk do t’i dëmton në asnjë rrethanë institucionet. Po sigurisht që veprimet tona demokratike do të jenë në çdo kohë dhe çdo formë për ta penguar këtë Qeveri për marrëveshjet e dëmshme që mund t’i sjellë vendit. Natyrisht që janë ditët e para të kësaj Qeverie dhe do të shohim cilat hapa do t’i merr tutje, por lajmet e para të kësaj Qeverie janë shumë skeptike, ende pa i bërë një muaj Qeveria ka veprime të ngutshme edhe për çështje të taksës, shihet që Qeveria Kurti është e gatshme ende pa i bërë një muaj të bëj kompromise në dëm të vendit, në dëm të shtetit të Kosovës. Sigurisht që PDK-ja do të jetë “sy qelë”, do të jetë e vendosur të pengojë çdo veprim i cili do të jetë në dëm të Kosovës.

 

Front Online: Si e komentoni vendimin e Qeverisë Kurti për ulje të pagave dhe shkarkimin e koordinatorëve nacional?

Kujtim Gashi: Mendojë që edhe kjo është një taktikë e z.Kurti, pagat procedohen deri me datën dhjetë dhe tani për muajin aktual janë proceduar pagat dhe pagat do të dalin me rritje, kurse Kurti e ka marrë  dy ditë më vonë vendimin pas janë proceduar të gjitha pagat. Duke e pasur parasysh me 1 Mars, Gjykata Kushtetuese do të vendos për Ligjin e Pagave ku poashtu pagat e ministrave dhe Qeverisë do të jenë me rritje, mendojë që kjo ka qenë një taktikë dhe një lajm për të mbushur mediet se kinse po ulen pagat, por në asnjë rrethanë kjo nuk është e vërtetë sepse Ligji për Paga hyn në fuqi me 1 mars ose Gjykata Kushtetuese do të vendos rreth këtij ligji sepse Kuvendi i Republikës së Kosovës në mënyrë unanime e ka votuar pro dhe ky veprim i Kurtit është një lajm populist para qytetarëve të Kosovës.

Super zbritje në “Petrol Company”

Të tjera