×
  • Lajme
  • Lajme

    Fyerje në vend të programeve zgjedhore

    FrontOnline
    27 Janar 2021

    Përplasjet verbale dhe fjalori i ashpër ndërmjet partive politike po e karakterizojnë periudhën e parafushatës zgjedhore, thonë njohësit e zhvillimeve politike Arton Demhasaj dhe Imer Mushkolaj.

    Përplasjet e tilla verbale ndërmjet përfaqësuesve të subjekteve politike, sipas tyre, përmbajnë ofendime dhe fyerje, qoftë nëpër rrjetet sociale, qoftë nëpër studiot televizive dhe po ashtu edhe gjatë takimeve të përfaqësuesve të subjekteve politike me simpatizuesit e tyre.

    Përplasjet me fjalor të ashpër, pa konkurrencë programesh

    Arton Demhasaj, drejtor i Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, thotë për Radion Evropa e Lirë se subjektet politike i janë qasur kësaj forme të fushatës joformale, në vend se qytetarëve t’u shpalosin programet dhe platformat, me të cilat garojnë për të ulëset në Kuvendin e Kosovës dhe për qeverinë e re.

    “Në momentin që ato (subjektet politike) dalin e takojnë dhe grumbullojnë njerëz, si dhe realizojnë një lloj fushate, mendoj që është dashur që të kenë programe të shkruara dhe të artikuluara mirë. Kur të takohen me njerëz, thjesht, t’u tregojnë se cili është vizioni i tyre politik dhe se çfarë parashohin ato të bëjnë. Por, këtë gjë nuk po e shohim. Sidoqoftë, mendoj si ishte dashur të anashkalohen çështjet që po bëhen shumë publike, të sharjeve ndërpartiake dhe gjërat e tilla, duke i sulmuar edhe institucionet e pavarura, gjë që po ndodh fatkeqësisht”, theksoi Demhasaj.

    Njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se sjellja që subjektet politike manifestojnë aktualisht, me fjalor të ashpër dhe në shumë raste fyes në adresë të njëra-tjetrës, nuk është e rastësishme. Sipas tij, të gjitha subjektet politike i kanë indikacionet lidhur me mbështetjen që e kanë në elektorat.

    “Varësisht prej këtyre indikacioneve, pastaj gjithë këtë mllef ose këtë pakënaqësi, përpiqen që ta përkthejnë ose transmetojnë në publik përmes një gjuhe, shpeshherë jashtëzakonisht problematike, përballë rivalëve politikë dhe jo vetëm ndaj tyre. Nuk është se edhe në parafushatat dhe fushatat e kaluara nuk ka ekzistuar kjo gjuhë e partive politike ose njerëzve të politike, por kësaj radhe kam përshtypjen se është më e shprehur”, theksoi Mushkolaj.

    Ai shtoi se subjektet politike janë duke e shfrytëzuar, siç quan ai, parafushatën, për të nxitur militantët e tyre për të bërë tifo për partitë që pasojnë, por pa u ofruar programe të qarta as atyre dhe as qytetarëve në përgjithësi, se çfarë synojnë të bëjnë nëse vijnë në pushtet.

    Riciklim i programeve dhe premtimeve

    Të dy këta njohës të zhvillimeve politike, thonë se deri më tash, subjektet politike nuk i kanë shpaluar programet me të cilat garojnë në zgjedhje, por vetëm siç i quajnë ata, inserte apo copëza programesh, të cilat në fakt nuk kanë përmbajtje të re nga programet e tyre në zgjedhjet paraprake. Në të shumtën e rasteve, siç thonë ata, bëhet fjalë për riciklim të premtimeve dhe programeve, por të cilat publiku ende nuk ka arritur t’i shohë plotësisht. Sipas tyre, programet vetëm janë freskuar me disa ide për situatën nëpër të cilën po kalon vendi me pandeminë dhe me zhvillimin ekonomik e social.

    Lëvizja Vetëvendosje deri më tash nuk i ka shpalosur ofertat e saj për qytetarët, në formë programi, por në takimet me qytetarët në rajone dhe qytete të ndryshme të vendit ka garantuar përkrahjen për ta dhe për adresimin e problemeve me të cilat ballafaqohen ata. Kjo parti ka premtuar zhvillim ekonomik që krijon vende të reja të punës, si dhe drejtësi institucionale dhe shoqërore.

    Megjithatë, Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes kandidatit të saj për kryeministër, Avdullah Hotit, më 25 janar ka shpaluar programin e saj, të cilin ua oferton votuesve. Prioritetet që janë në fokus të LDK-së, sipas Hotit, janë lufta kundër pandemisë së koronavirusit, integrimet euroatlantike, mirëqenia e qytetarëve, sundimi i ligjit e të tjera.

    Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë më 25 janar, përmes një spoti parazgjedhor, se në fokusin e kësaj partie do të jetë sundimi i ligjit dhe i sigurisë, rimëkëmbja e vendit në fushën e ekonomisë dhe atë shëndetësisë.

    Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tashmë ka shpaluar ambicien e tij për t’u zgjedhur president, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Ai ka paralajmëruar angazhimin për forcimin e rendit dhe ligjit, policisë dhe ushtrisë, reformë në sistemin arsimor, krijimin e një fondi për financimin e punësimit të parë të të rinjve. Haradinaj ka thënë gjithashtu që në rast se Kosova mbetet vend i izoluar, atëherë opsioni tjetër për Kosovën do të jetë një referendum për t’u bashkuar me Shqipërinë.

    Skena politike e përçarë dhe fjalori nxitës për militantët partiakë

    Arton Demhasaj thotë se fjalori i ashpër dhe fyes, me të cilin subjektet politike sulmojnë njëra-tjetrën mund të jetë i kuptueshëm gjatë fushatës zgjedhore, por, sipas tij, ai nuk ndërlidhet vetëm me fushatën.

    “Skena politike është shumë e përçarë dhe shumë e polarizuar. Është në një fazë goxha të rrezikshme që e gjithë kjo pastaj mund të transferohet edhe në shoqëri. Ky acarimi që po shfaqet edhe përmes mediave, në mes partive politike, mund të ndikojë te qytetarët. Prandaj, mendoj që partitë politike duhet të jenë shumë të kujdesshme në fjalorin që e përdorin dhe që të mos kenë tendenca që të nxitin edhe militantët e tyre partiakë, gjë që mund të shpërfaqet në ndonjë konflikt të ndërsjellë të militantëve të partive politike. Fatmirësia në fatkeqësi është që jemi në pandemi dhe nuk do të ketë grumbullime të mëdha. Përndryshe do të ishte rrezik, marrë parasysh se sa e polarizuar dhe sa e acaruar është skena politike”, theksoi Demhasaj.

    Edhe Imer Mushkolaj vlerëson se subjektet politike, tashmë e kanë idenë për fuqinë politike që prezantojnë dhe mundësitë që kanë për t’i fituar ose jo zgjedhjet. Sipas tij, pikërisht kjo është arsyeja pse ato nuk kursehen në përdorimin e fjalorit të ashpër. Por, sipas tij, përdorimi i këtij fjalori të ashpër mund të çojë në përplasje më të mëdha jo vetëm ndërmjet rivalëve politikë, por edhe ndërmjet militantëve dhe përkrahësve të partive politike.

    “Tash, lufta ose beteja më e madhe zhvillohet edhe në rrjete sociale, me një gjuhë krejtësisht të papranueshme, në mes njerëzve që përkrahin një parti ose një tjetër, duke e kontaminuar jashtëzakonisht shumë hapësirën publike. Këtë hapësirë publike ata po e zhvillojnë për goditje të ulëta ndaj njëri-tjetrit, në vend se ta shfrytëzojnë si platformë, për krahasimin e ofertave politike dhe krahasimin e programeve politike”, theksoi Mushkolaj.

    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, subjektet politike do të ketë 10 ditë për fushatë zgjedhore, nga date 3 shkurt e deri më 12 shkurt.

    Comodita “pushton” Amerikën, dyshekët e saj në top 5 produktet më të shitura
    Nga Rubrika
    Lajme28 Mars 2024
    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka qenë në Mitrovicë ku është takuar me kreun e kësaj komune Bedri...
    Lajme28 Mars 2024
    Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka thënë të enjten se imazhi i krijuar për Kosovën që “mund të...
    Lajme28 Mars 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka folur për kandidaturën e tij dhe përballjen në zgjedhje me kryetarin e VV-së, Albin...
    Të tjera
    Lajme28 Mars 2024
    Zgjedhjet evropiane të vitit 2024 do të përcaktojnë kursin për një sërë gjërash. Sigurisht edhe për të ardhmen e BE-së. Sepse është...
    Lajme28 Mars 2024
    Bashkëkryesuesi i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE–Kosovë, Lukas Mandl ka deklaruar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim...
    Bota/Rajoni28 Mars 2024
    Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës i bashkohet Frontit Evropian. Ky vendim erdhi pas mbledhjes së Kuvendit Qendror të kësaj partie. Pas...
    Lajme28 Mars 2024
    Zëvendëskryeministri shqiptar në Qeverinë e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, ka thënë se qëndrimi zyrtar i tyre për Kosovën nuk ka ndryshuar....
    Lajme28 Mars 2024
    Bashkëkryesuesi i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE–Kosovë, Lukas Mandl ka deklaruar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim...
    Lajme28 Mars 2024
    Inspektorati i Kryeqytetit njofton se po vazhdon aksionin e kontrollit të transportuesve të udhëtarëve në kryeqytet bashkë edhe me Policinë e Kosovës....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.